Vëllezërit shqiptarë që punojnë për Pentagonin - Business Magazine Albania

Vëllezërit shqiptarë që punojnë për Pentagonin


Organizata amerikane Partneriteti për Shërbimin Publik (PSHB) është një ent jo fitimprurës me qendër në Washington, misioni i të cilit është frymëzimi i një brezi të ri nëpunsish civilë në punën e tyre në qeverinë federale, me qëllimin për të përmirësuar dhe transformuar mënyrën se si funksionon tani qeveria federale e Shteteve të Bashkuara në kryerjen e përgjegjësive që ka ndaj taksa-paguesve amerikanë.

Shkrimi i sotëm i bazuar në artikullin e PSHB-ës është tepër interesant pasi kemi të bëjmë me dy vëllezër shqiptaro-amerikanë nga Kosova, të cilët u larguan nga ai vend në moshë të re dhe morën rrugën drejt mërgimit duke ardhur në Amerikë dhe tani punojnë në zyrat më të larta të Pentagonit. Madje, në artikullin e entit Partneriteti për Shërbimin Publik dy vëllezërit nga Kosova, Ylli dhe Ylber Bajraktari, jo vetëm që punojnë në Pentagon, por cilësohen si dorë e djathtë e zyrtarëve më të lartë të Pentagonit, përfshirë Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, Ashton Carter.

Vëllëzërit Bajraktari, në punën e tyre të përditshme, merren me çështje të politikës së mbrojtjes dhe politikës së jashtme dhe si të tillë ata udhëtojnë, anë e mbanë botës, me udhëheqësit më të lartë të mbrojtjes amerikane gjatë vizitave të tyre zyrtare jashtë vendit.

Në artikullin kushtuar vëllezërve Bajraktari thuhet se në shikim të parë duket si diçka tepër e pabesueshme që dy vëllezër shqiptarë të shpërngulur nga Prishtina e shkatërruar nga lufta, do të arrinin pozita të njëjta të nivelit të lartë duke punuar për dy zyrtarët më të lartë të Pentagonit. Por kjo është e vërteta, Ylli dhe Ylber Bajraktari, në rrugën e karierës së tyre të jashtëzakonshme, falë aftësive dhe dedikimit të tyre, pëfunduan në rrethin më të ngushtë dhe më të besueshëm të Pentagonit.

Vëllëzërit Bajraktari emigruan në Shtetet e Bashkuara, ndonëse në moshë të re ata morën rrugë të ndryshme me të arritur këtu, ndërkohë që u regjistruan në universitetet amerikane për të ndjekur studimet e larta.

Me kohë, ata morën edhe shtetësinë amerikane dhe tani merren me çështjet më të rëndësishme botërore, duke iu paraqitur eprorëve të tyre informacionin më të freskët mbi ngjarjet më të fundit në botë.

Në artikull citohet Carl Woog, ish-këshilltari i lartë i Sekretarit të Mbrojtjes për Komunikime Strategjike dhe tani anëtar i Këshillit të Sigurimit Kombëtar, i cili thotë se vëllëzërit Bajraktari, “Janë zotuar dhe të dedikuar se do të ndihmojnë në përcaktimin e rolit të Amerikës në botë nepërmjet punës dhe kontributit të tyre, në fushën e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes”.

Zyrtari i lartë i Këshillit të Sigurimit Kombëtar amerikan shtoi se ai, “Ai nuk kishte dëgjuar kurrë më parë për një rast si ky, ku dy vëllezër të kenë luajtur një rol kaq me rëndësi”, në zyrat më të larta të punës në fushat përkatëse të mbrojtjes dhe të politikës së jashtme, në Pentagon.”

Ylberi i cili është diplomuar nga universiteti i njohur Princeton shërben tani si zëvendës kryetar i stafit për çështjet politike në zyrën e Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Ashton Carter. Më parë, ai ka punuar në zyrën e ish-Drejtorit të CIA-s, David Petraeus duke u marrë gjithashtu me gjendjen politike dhe ushtarake në Irak dhe me përpilimin e politikës amerikane ndaj Iranit, herë në Pentagon e herë në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërsa Ylli shërben si Ndihmës i Posaçëm i Zëvëndës Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Robert Work në Pentagon, që njëkohësisht është edhe enti më i madh i qeverisë federale, për nga numri i nëpunësve dhe për nga buxheti i përgjithshëm. I diplomuar nga Universiteti Harvard, gjatë karierës së tij, Ylli është marrë me çështje politike që kishin të bënin me Afganistanin dhe me Indinë, ndërsa më heret ka shërbyer si këshilltar i ish-Kryetarit të Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneralit Martin Dempsey. Ylli Bajraktari u shpreh se puna që ai bën tani në Pentagon është tepër interesante, pasi sipas tij, çdo gjë që përfundon në tavolinën e tij ka një element krize diku në botë.

Por nuk ka shumë rëndësi se ç’thonë vetë vëllezërit Bajraktari për punën e tyre, rëndësi ka vlerësimi i punës dhe i dedikimit të tyre ndaj detyrës nga të tjerët, nga kolegët dhe nga zyrtarët e lartë të Pentagonit me të cilët ata punojnë çdo ditë.

Njëri prej tyre, Eric Rosenbach, Kryetari i stafit të Sekretarit Carter, i cilëson dy vëllezërit Bajraktari si “Dy indidvidët më të dedikuar ndaj punës së tyre, që ai ka njohur”, duke shtuar se, “Ata po mbrojnë interesat e Shteteve të Bashkuara dhe duke bërë një gjë të tillë”, me punën e tyre shtoi ai, “ata sjellin një përspektivë më të qartë mbi rolin e Amerikës në botë.”

Ndërsa nga ana e tyre vëllezërve Bajraktari, në artikullin kushtuar tyre në faqen e organizatës amerikane Partneriteti për Shërbimin Publik, shprehën falenderimet dhe mirënjohjen e tyre ndaj ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, “Për rolin kritik që luajtën forcat ushtarake amerikane në shpëtimin e Kosovës”, shumë prej të cilëve, anëtar të të kësaj ushtrie tha Ylberi, tani i takojmë në korridoret e Pentagonit.

Nuk kalon asnjë ditë që nuk takojmë ushtarakë amerikanë të cilët kanë qenë pjesë e misionit të NATO-s kundër Serbisë, pohoi Ylli, duke shtuar se, “Angazhimi dhe zotimi që ndjejmë ndaj këtij vendi është një obligim për ne. Ne e ndjejmë veten të privilegjuar dhe të nderuar që punojmë këtu në Pentagon”, përfundoi ai.

Burimi: mapo.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0