Vatikani dhe inteligjenca artificiale, zëri etik në epokën e algoritmeve - Business Magazine Albania

Vatikani dhe inteligjenca artificiale, zëri etik në epokën e algoritmeve

Nga Anne Bouverot – Ndërsa inteligjenca artificiale po trondit ekuilibrat e botës moderne, shumëkush pyet veten se çfarë roli do të kenë njerëzit në këtë revolucion teknologjik që tashmë ka nisur. Shoqëritë po ndahen, modelet ekonomike po lëkunden, ndërsa politikanët shpesh duken të paqartë. Në këtë kaos, një zë unik po bie në sy: ai i Vatikanit.

Sapo jam kthyer nga Roma, ku mora pjesë në Minerva Dialogues; takime mes teologëve, mendimtarëve dhe drejtuesve të teknologjisë nga e gjithë bota, veçanërisht nga Silicon Valley. Prej gati dhjetë vitesh, Selia e Shenjtë ka kultivuar një dialog të qëndrueshëm mbi inteligjencën artificiale, duke nxitur reflektim të thelluar përtej qëndrimeve ekstreme që zakonisht e shoqërojnë këtë temë.

Ashtu si me krizën klimatike, Papa i ndjerë Françesku kishte kërkuar të vendoste njeriun në qendër të zhvillimeve teknologjike. Ky ishte mesazhi që ai përcolli edhe në fjalimin e tij përpara krerëve të shteteve të G7-s vitin e kaluar në Apulia.Françesku paralajmëroi për rreziqet e inteligjencës artificiale, por theksoi edhe potencialin e saj për të mirën e shoqërisë.

Pasuesi i tij, Papa Leo XIV, e ka ripohuar këtë vizion. Emri që ai zgjodhi, Leo, i referohet Papa Leos XIII, autorit të enciklikës Rerum Novarum të vitit 1891, themelit të doktrinës sociale të Kishës, shkruar në kulmin e revolucionit industrial. Ashtu si paraardhësi i tij, edhe Papa Leo XIV sheh ngjashmëri të thella mes sfidave të asaj epoke dhe dilemave që sjell inteligjenca artificiale sot.

Në fund të shekullit XIX, industrializimi po krijonte klasa punëtore të varfra dhe të pambrojtura. Rerum Novarum kërkonte një ekuilibër: e refuzonte luftën e klasave, njihte të drejtën e pronës private, por dënonte përqendrimin e pasurisë dhe kërkonte rolin e shtetit në mbrojtjen sociale. Ajo enciklikë shënoi një pikë kthese për kishën, duke çuar më pas në reforma si pushimi i së dielës, ndihmat për familjet dhe lindjen e Demokracisë Kristiane në Evropën e pasluftës.

Lexo edhe: OpenAI sfidon Google, lançon shfletuesin e ri “Atlas”

Sot, pyetjet janë të ngjashme: çfarë do të thotë dinjiteti i punës në epokën e inteligjencës artificiale? A do të zëvendësojë teknologjia punën intelektuale të klasës së mesme? A do të dëmtojë ndjenjën e qëllimit dhe bashkësisë njerëzore? Apo mund të krijohet një ekuilibër ku teknologjia plotëson njeriun, dhe jo e zëvendëson atë?

Përveç sfidave ekonomike, AI ngre edhe dilema të reja etike: çfarë të mendojmë për aplikacionet që “flasin” me të vdekurit, të krijuara nga regjistrime video e audio? Si do të ndikojë kjo në mënyrën si mësojnë fëmijët? Dhe si të garantojmë që mjetet digjitale të mos kufizohen vetëm në pak gjuhë, kur në botë ekzistojnë rreth 7,000?

Papa Leo XIV, me formim matematikor, nuk është as teknofob, as adhurues i verbër i teknologjisë. Ai promovon një qasje të matur: të kuptojmë përpara se të gjykojmë, dhe të humanizojmë debatin në vend që ta polarizojmë. Ashtu si Papa Leo XIII, ai kërkon që revolucioni teknologjik të vihet në shërbim të punës dhe të së mirës së përbashkët.

Ndërhyrja e Vatikanit në këtë debat mund të duket e papritur, por është thellësisht legjitime. Me mbi një miliard katolikë në botë dhe mijëra shkolla, universitete, spitale e qendra sociale, Kisha ka ndikim real në formimin e brezave dhe mund të luajë një rol të madh për ta bërë inteligjencën artificiale një mjet për përfshirje, e jo për ndarje.

Përgjegjësia etike nuk mund t’u lihet vetëm qeverive apo gjigantëve të teknologjisë. Ndërtimi i një AI të drejtë dhe gjithëpërfshirëse kërkon bashkëpunimin e zërave të ndryshëm, edhe atyre që duken të largët nga teknologjia. Kjo është pikërisht fryma e Minerva Dialogues dhe një ftesë për reflektim për të gjithë, besimtarë apo jo.

Epoka e algoritmeve ringjall pyetje të vjetra mbi vendin e njeriut në sistemet që vetë ai krijon. Por përgjigjet mbeten në duart tona.

Copyright: Project Syndicate, 2025 / www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0