Nga Eni Muça– Vangel Dimo, themelues dhe CEO i Elite Realty Group, ka mbyllur shitjen më të shtrenjtë të një penthouse-i në historinë e Sarandës. The One Penthouse, i listuar nga firma e tij si “The Headline of the Albanian Riviera,” u shit për €1,000,000 në Janar të vitit 2026, duke ngritur tavanin për pronat luksoze në jug të vendit.
Dimo, 24 vjeç, filloi të punojë në tregun e pronave që në moshën 16-vjeçare, në biznesin e familjes. Në 2022 ai themeloi Elite-n, agjencia e parë në Shqipëri që operon ekskluzivisht me prona luksoze, marketing të specializuar dhe branding të dedikuar për çdo pronë. Brenda katër viteve, firma ka shërbyer klientë nga rreth 30 shtete dhe ka arritur mbi 100 milionë shikime përmes marketingut, të gjitha në mënyrë organike, duke u bërë agjencia më e ndjekur në Shqipëri me mbi 60 mijë ndjekës, pa shpenzuar për reklama me pagesë.
“Para nesh, agjentët thjesht postonin “penthouse për shitje në Sarandë” edhe e linin me kaq. Pa përkushtim, pa branding, pa asgjë,” tha Dimo. “Kjo kategori pronash nuk meriton të trajtohen si të zakonshme. Ne e ndërtuam gjithçka nga zeroja. Çdo pronë që marrim përsipër merr një emër dhe një identitet të ri. The One Penthouse është rezultati që merr kur e trajton një pronë si brand, jo si një listim i thjeshtë.”
Lexo edhe: AIatWork, ekosistemi i parë europian i të mësuarit të AI hap aksesin për tregun shqiptar
Çfarë do të thotë pronë luksi dhe si do e kategorizonit shtëpinë ideale të luksit, cilat janë kriteret që e bëjnë një pronë luks?
Dimo e shpjegon qartë. “Nuk është as pamja por as cilësia. Pjesa më e madhe e tregut mendon se mobilimi i shtrenjtë e bën shtëpinë më luksoze. Për të kuptuar nëse një pronë është e veçantë, duhen bërë këto dy pyetje. A mund ta kopjojë dikush këtë pronë? A mund ta gjejë këtë pamje, këtë vendndodhje, këtë ndjesi diku tjetër? Nëse po, nuk është në kategorinë e luksit. Pastaj vjen pjesa emocionale. Çdo pronë që shesim ka një një identitet. Sepse klientët tanë kërkojnë një pronë që i pasqyron. Pasi prona që blen tregon kush je pa thënë asnjë fjalë.”
Shitja nuk ndodhi brenda natës. Dimo ishte i pari që solli marketingun digjital të dedikuar për çdo pronë, në një nivel që tregu nuk e kishte parë kurrë. Pjesa më e madhe e tregut mendonin se ky vizion ishte ende i largët për Shqipërinë. Ai thotë se nuk u ndikua aspak nga ky mentalitet, përkundrazi vijoi rrugëtimin e tij ku katër vite më vonë rezultatet folën vetë.
Shifra prej €1,000,000 nuk është thjesht një numër. Është një indikator se Riviera Shqiptare ka potencialin për të konkurruar denjësisht me tregjet e tjera të Mesdheut. “Ne nuk e arritëm këtë vetëm,” tha Dimo. “Klientët që na besuan, tregu që u rrit, dhe Shqipëria që po ndryshon, të gjitha së bashku e bënë të mundur.”
Çfarë këshillash do t’u jepnit të rinjve që duan të ndjekin karrierë në real estate?
Dimo u përgjigj shkurt. “Të gjithë pyesin pse dikush do të më besojë paratë e veta kur ende nuk kam bërë asgjë? Nuk ka arsye. Prandaj fillo nga vetja. Mëso. Puno. Bëhu më i miri në atë që do të bësh. Kur je i ri, avantazhi yt është energjia dhe dëshira për të bërë më shumë. Përdore tani, sepse nuk zgjat përgjithmonë. Puno aq shumë sa askush nuk mundet të të injorojë, as konkurrentët, as klientët, as tregu yt. Aty fillon gjithçka.”
Sa e rëndësishme është marka personale (personal branding) për ju dhe për kompaninë tuaj?
Për rolin e personal branding në real estate, Dimo është po aq i qartë. “Sot, inteligjenca artificiale dhe interneti po ndryshojnë gjithçka. E vetmja gjë që nuk mundin ta zëvendësojnë është personal brand-i yt. Prandaj duhet ta mbrosh atë me çdo kusht. Një moment dobësie mund të shkatërrojë vite të tëra reputacioni, dhe duhet dhjetë herë më shumë kohë për ta rindërtuar. Emri yt është kapitali yt më i madh. Njerëzit blejnë nga njerëzit, jo nga kompanitë. Nëse të besojnë ty, besojnë atë që ti ofron, nëse jo, atëherë nuk ka rëndësi se sa e mirë është prona. Përcakto se kush je, çfarë është ajo që ti përfaqëson, dhe vazhdo në po atë drejtim. Kështu ndërtohet autoriteti.”
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto
