Nga Dhurata Thanasi– Sot shënohet Dita Botërore e Ushqimit; një moment reflektimi për cilësinë e ushqimit që konsumojmë dhe ndikimin e zgjedhjeve tona në shëndetin tonë dhe mjedisin përreth. Jo vetëm në Shqipëri, por globalisht, përballemi me sfida si ushqimi i përpunuar, humbja e diversitetit të traditave ushqimore dhe ndikimet e prodhimit masiv. Si qytetarë dhe konsumatorë, kemi përgjegjësinë të informohemi mbi prejardhjen, sezonin dhe mënyrën e prodhimit të ushqimit që konsumojmë.Vetëm duke zgjedhur me vetëdije mund të sigurojmë ushqim të shëndetshëm për veten dhe komunitetin, të kontribuojmë në zhvillimin ekonomik lokal dhe të ruajmë trashëgiminë tonë kulinare. Në këtë kontekst, produktet shqiptare që kanë marrë statusin e mbrojtjes (TGJ/STG), si:
Mjalti i Bedunicës (Përmet)
Djathi i Ziem i Veleçikut (Malësi e Madhe)
Djathi i dhisë Muhur (Dibër)
Djathi Mishavina (Malësi e Madhe)
Qepa e Drishtit (Shkodër)
Molla e Dvoranit (Korçë)
Vaji i ullirit ekstra i virgjër i Valmit (Elbasan)
Glikoja e Arrës së Përmetit (Përmet)
Kërpudha e Pukës (Pukë)
Gështenja e Recit (Shkodër)
Kumbulla e Shumbatit (Dibër)
Flija e Kuksit (Kukës)
Jufka me pule te Dibrës (Dibër)
nuk janë thjesht ushqim, por pjesë e identitetit tonë kulturor dhe gastronomik.
Statusi i Treguesit Gjeografik (TGJ) ose i Specialitetit Tradicional të Garantuar (STG) rrit besimin e konsumatorit dhe vlerën e markës. Këto certifikime e bëjnë më të lehtë hyrjen e produkteve shqiptare në tregjet europiane, duke mundësuar dokumentim të origjinës, metodave të prodhimit dhe përputhshmëri me standardet e Bashkimit Europian. Për prodhuesit e vegjël, kjo hap mundësi në kanale turistike, dyqane specializuara, e-commerce dhe panaire ndërkombëtare.
Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha. Certifikimi kërkon kohë, burime financiare dhe ekspertizë. Standardet sanitare dhe të sigurisë ushqimore, etiketimi dhe zinxhirët e shpërndarjes janë barriera për prodhuesit artizanë. Shumë prej tyre punojnë sipas praktikave tradicionale dhe duan mbështetje për modernizim. Bashkëpunimi mes prodhuesve për krijimin e konsorciumeve është shpesh i vështirë, por i domosdoshëm.
Shqipëria ka krijuar kuadro ligjore dhe institucione (GDIP, MARD, Autoritete ushqimore) dhe ka nisur regjistrimin e GI/TSG! Po ashtu ka projekte me FAO dhe GIZ, Zyrën e Bashkëpunimit të projekteve të Qeverisë Italiane, Zviceriane dhe ngritje kapacitetesh nga programe të BE. Por ama, kemi nevojë të menjëhetshme për ekspertiza praktike për certifikim, kontrolle të vazhdueshme dhe mbështetje financiare/teknike për grupet e prodhuesve. Eksperienca e viteve të fundit tregojnë nevojën për më shumë trajnime, laboratorë dhe mekanizma financimi. Sigurisht ekziston baza ligjore dhe interesa politike apo institucionale, por zbatimi i suksesshëm kërkon financim të synuar, shërbime këshilluese për prodhuesit dhe ndërtim konsorciumesh apo shoqërish lokale.
Mbrojtja e metodave tradicionale, regjistrimi i recetave dhe origjinës, ndihmon jo vetëm ruajtjen e dijes lokale, por edhe zhvillimin e turizmit gastronomik, krijimin e vendeve të punës dhe stabilitetin e të ardhurave për komunitetet rurale.
Ajo çka dua të theksoj për lexuesit e Business Magazine është se vlerësimi i produkteve tipike shqiptare duhet të fillojë nga ne vetë, shqiptarët. Para se të mendojmë për eksportin dhe tregjet e huaja, duhet të njohim, konsumojmë dhe vlerësojmë produktet tona brenda vendit. Vetëm kur ne i japim rëndësi dhe u japim vlerën e duhur, mund t’i prezantojmë me sukses dhe t’i bëjmë mirë para të huajve.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto