Ura mes botëve, udhëtimi i Petraq Koshos drejt Shërbimit Publik... - Business Magazine Albania

Ura mes botëve, udhëtimi i Petraq Koshos drejt Shërbimit Publik Global

Shprehje të tilla si “qytetarë të botës”, “në shërbim të botës” apo edhe “jam lindur i lirë”, tashmë janë bërë klishe. Jo aq për shkak se sot, pavarësisht vendit ku ke lindur, mund të jetosh në çdo vend të botës që dëshiron, por më shumë për faktin që kushdo prej nesh mund ta vendosë botën në shërbim të vetes. Nuk është e thjeshtë, pa dyshim, por as e vështirë jo. Nëse e ke fokus të jetës dhe nëse gjithçka e kthen në shërbim të vetes… Ah, edhe nëse mësohesh që jetës t’i marrësh më të mirën. Pa u dorëzuar…

Petraq Kosho është një prej atyre që nuk dorëzohen derisa të arrijnë qëllimin që i kanë vendosur vetes. E kuptoi shumë herët që Shqipëria i rrinte ngushtë potencialit të tij, ndaj provoi, lundroi, udhëtoi përtej saj. Në lloj-lloj ujërash, të qetë e të trazuar, në rrugë të gjata e me pengesa, në sfida të vështira e të pamundura, Petro e dinte se fundi do t’ia vlente. Sepse suksesi është i dashuruar me përpjekjet dhe sepse trofeu është më i ëmbël kur vjen pas një rruge të gjatë e të mundimshme. Sot, ai është në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është një rast suksesi i jashtëzakonshëm i një shqiptari tjetër përtej oqeanit.

Në një botë ku politika shpesh shfaqet përmes retorikës dhe interesave të ngushta afatshkurtra, Petro përfaqëson një model tjetër lidershipi: ai që ndërtohet mbi shërbimin publik dhe mbi një politikë të re që ndjekin të rinjtë; pa teori e retorika, por me shërbime konkrete e me vepra që flasin më shumë sesa të gjitha teoritë përsëritëse.

Nga Tirana, drejt një vizioni global të shërbimit publik

Gjithçka nisi në Tiranën sfiduese, por kapërceu më vonë, në pak vite, deri në politikat ekonomike të SHBA-ve. Formimi i tij nisi në disa organizata të ndryshme në Shqipëri, si AIESEC, U.S. Embassy Youth Council apo “Qëndresa Qytetare”, ku kontribuoi për fuqizimin e pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje. Por horizontet e Petros nuk mund të mbeteshin brenda kufijve kombëtarë. Me një bursë prestigjioze prej mijëra dollarësh nga “Rotary International” dhe më pas me një formim në “Clinton School of Public Service” në SHBA, ai u përfshi në disa projekte me ndikim konkret në komunitetet më specifike dhe të nevojshme në Amerikë.

Në qytetin e Little Rock-ut në Arkansas, Petro realizoi një studim njëvjeçar mbi marrëdhëniet mes të rinjve dhe forcave të rendit, një temë sfiduese dhe me peshë në jetën sociale të qyteteve amerikane. Rezultatet e këtij studimi ishin shumë domethënëse dhe ai u përdor si praktikë edhe në disa departamente të tjera policore në SHBA. Ndërkohë, në Michigan, ai udhëheq komponentin e politikave komunikuese për një nismë milionadollarëshe, “Michigan Global Talent Initiative”, nga organizata “Global Detroit”, që bashkon qeverinë lokale të Michigan-it, fondacione të ndryshme dhe sektorin privat për të integruar talentet ndërkombëtare në tregun amerikan të punës. Politika të tilla nuk janë të nevojshme vetëm për SHBA-të, por shërbejnë edhe si model për vende si Shqipëria, që përballen me sfida të ngjashme.

Politika që nuk flasin, por veprojnë…

“Ekziston një paradoks këtu në SHBA,” – thotë Petro për Business Magazine. “Nga njëra anë mungojnë profesionistët, ndërsa nga ana tjetër kemi studentë ndërkombëtarë dhe emigrantë, përfshirë shumë shqiptarë, që vijnë me studime ose përmes lotarisë amerikane, të cilët hasin barriera për t’u integruar në ekonomi.”

Ai shton se pengesat shpesh lidhen me mungesën e orientimit institucional, sfidat gjuhësore apo administrative, apo edhe me faktin që diplomave shqiptare shpesh nuk u njihet vlera. “Kam takuar shumë bashkatdhetarë që kanë përfunduar studimet, por nuk dinë nga t’ia nisin.”

Në këtë boshllëk, Petro sheh një mundësi për ndryshim sistemik dhe ndërtimin e politikave mikpritëse që e trajtojnë emigracionin si një aset zhvillimi. Politikat që ndihmojnë këta të rinj të kalojnë nga statusi i migrantit në profesionist të integruar nuk janë vetëm çështje sociale, janë motorë të zhvillimit ekonomik. “Nëse duam ta quajmë emigracionin një pasuri, duhet të ndërtojmë struktura që ta përkthejnë këtë pasuri në zhvillim konkret,” – shton më tej Petro.

Ai gjithashtu thekson se studentët ndërkombëtarë janë një burim kritik për tregun amerikan të punës. “Vetëm gjatë vitit akademik 2022–2023, 1.1 milion studentë ndërkombëtarë kontribuuan mbi 43 miliardë dollarë në ekonominë amerikane,” – thotë ai, duke cituar burime zyrtare. Por për të, më i rëndësishëm se ndikimi ekonomik është ndërtimi i mekanizmave që e kthejnë këtë potencial në rritje të qëndrueshme.

Në rolin e tij si vlerësues për programin “Global Talent Accelerator”, Petro ka zhvilluar analiza të thelluara mbi ndikimin e trajnimeve në aftësitë e buta, vetëbesimin profesional dhe ndërtimin e rrjeteve për pjesëmarrës nga dhjetëra vende të botës. Ai përdori metodologji të avancuara të matjes, si kombinimi i analizës para, pas dhe fokus-grupeve, për të kuptuar efektet reale të ndërhyrjeve. Gjetjet e tij janë përdorur nga “Global Detroit” dhe organizata të tjera të ngjashme për të përmirësuar strategjitë e punësimit dhe për të modeluar politika të reja për fuqinë punëtore të ardhshme.

Petro është gjithashtu autor i disa artikujve akademikë mbi politikat e integrimit dhe zhvillimin ekonomik, të botuara në revista ndërkombëtare me rishikim shkencor. Së shpejti, pritet të marrë një rol redaktorial në një revistë kërkimore mbi politikat publike, si njohje për kontributin e tij analitik dhe për qasjen e tij praktike ndaj sfidave sistemike.

Ura mes dy botëve: Një kthim që s’kalon nga Rinasi…

Edhe pse sot ndodhet mijëra kilometra larg, lidhja e tij me Shqipërinë mbetet e fortë. Petro beson se eksperiencat që ai përjeton mund të përkthehen në politika të dobishme për shoqërinë shqiptare. Ai nuk e sheh emigrimin si braktisje, por si mundësi për të ndërtuar ura mes përvojave të ndryshme dhe për të sjellë dijen dhe praktikat më të mira aty ku nevojiten më shumë. Ai e sheh përvojën e vet si një burim të vlefshëm për vendin e tij të origjinës. “Nëse duam një ekonomi më të hapur, gjithëpërfshirëse dhe të drejtë, duhet të mësojmë nga eksperiencat që funksionojnë diku tjetër,” – thotë Petro, duke shtuar se shërbimi publik nuk është një rrugë plot shembuj suksesi: “Shërbimi publik është një urë midis asaj që jemi dhe asaj që mund të bëhemi,” – deklaron Petro Kosho, me qetësinë e një njeriu që beson se e ardhmja ndërtohet hap pas hapi, por gjithmonë duke pasur fokus një horizont më të gjerë, më të largët.

Ashtu si në politikë, edhe në shërbimin publik është e vështirë të kesh sukses pa bërë zhurmë apo pa bërtitur për të treguar “çfarë je i zoti të bësh”. Por edhe këtu, Petro ka një filozofi tjetër: një politikë që ndërton përmes ndikimit të përditshëm dhe që rrënjoset thellë në vlerat e shërbimit publik. Petro beson te politika pa mikrofon, por me vizion.

“Ka diçka shumë të rëndësishme në mënyrën se si Amerika e zhvillon ekonominë dhe mënyrën se si njerëzit besojnë që në Amerikë mund të bëhen të pasur. Ju do pyesni cila është filozofia? Është shumë e thjeshtë: Besimi se sistemi amerikan ofron shanse të barabarta për të gjithë, sidomos për ata që kërkojnë të ndërtojnë një jetë më të mirë. Dhe përtej kësaj, besimi se kushdo, pavarësisht origjinës, racës apo statusit familjar, mund të arrijë sukses dhe pasuri përmes punës së palodhur, përkushtimit dhe talentit.

Sepse në Amerikë “vepron” meritokracia, dhe ne duhet ta marrim si shembull!”

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0