Stilistja e njohur dhe ikona e modës Rachel Zoe ka tërhequr vëmendjen e rrjeteve sociale pasi prezantoi publikisht “divorce ring”, unazën e saj të re luksoze, të krijuar pas ndarjes nga bashkëshorti prej vitesh, Rodger Berman.
Bizhuteria përbëhet nga tre diamante të mëdhenj në formë ovale, me një gur qendror dominues dhe dy anësorë simetrikë, të realizuar në bashkëpunim me markën Ring Concierge. Zoe e ka cilësuar unazën si “unaza e ëndrrave pas divorcit”, duke e vendosur në gishtin tregues, një zgjedhje simbolike që përfaqëson forcë, pavarësi dhe rilindje personale.
Ajo paraqiti kërkesën për divorc në korrik 2025, rreth dhjetë muaj pasi çifti kishte njoftuar ndarjen, duke i dhënë fund një marrëdhënieje mbi 30-vjeçare që ishte konsideruar një partneritet i suksesshëm si në jetë ashtu edhe në biznes.
Trendi i “divorce ring” po fiton terren në showbiz. Edhe figura si Emily Ratajkowski dhe Brooks Nader kanë zgjedhur të rikonceptojnë unazat e tyre të fejesës, duke i transformuar në bizhuteri të reja që simbolizojnë një kapitull të ri.
Në rastin e Ratajkowski-t, gurët e unazës së fejesës u ndanë në dy unaza të veçanta, një metaforë elegante e ndarjes, por edhe e forcës individuale. Sipas bizhutierëve, mesazhi pas këtij trendi është i qartë: fundi i një historie dashurie nuk duhet parë si humbje, por si një moment vetëvlerësimi dhe fillimi i një etape të re.