Nga Dr. Brunilda Liçaj- Lektore Universiteti A. Moisiu Durrës
Shqipëria po përjeton një moment euforie turistike. Shifrat janë mbresëlënëse: në vitin 2024, vendin tonë e vizituan 11,7 milionë turistë të huaj, të cilët shpenzuan gjithsej 4,99 miliardë euro, ose mesatarisht rreth 426 euro për vizitor. Nga ana tjetër, 7,9 milionë shqiptarë udhëtuan jashtë vendit, duke shpenzuar 2,7 miliardë euro, që përkthehet në rreth 342 euro për person.
Në shikim të parë, bilanci duket pozitiv – Shqipëria fiton më shumë nga turistët që hyjnë sesa humbet nga ata që dalin. Por një analizë më e hollësishme nxjerr në pah një kontrast të rëndësishëm: shpenzimi mesatar i një shqiptari në udhëtimet jashtë është vetëm pak më i ulët se ai i një turisti të huaj në Shqipëri. Duke marrë parasysh që popullsia e vendit është vetëm 2,5 milion banorë, shpenzimet e shqiptarëve jashtë janë proporcionalisht shumë të larta dhe tregojnë një prirje për konsum turistik në tregjet e huaja.
Kjo krijon një paradoks ekonomik: banorët vendas, të cilët potencialisht mund të ishin klientët më të mirë dhe më të qëndrueshëm të industrisë së turizmit në Shqipëri, shpenzojnë më shumë jashtë sesa brenda vendit. Në këtë mënyrë, sektori humbet një treg të brendshëm të vlefshëm dhe mbetet i varur pothuajse tërësisht nga vizitorët e huaj.
Për më tepër, ky realitet ngre pyetje mbi konkurrueshmërinë e turizmit shqiptar. Nëse një shqiptar paguan rreth 342 euro për të përjetuar një eksperiencë jashtë vendit ( ku mesatarost ben 3 udhetime ne vit) ndërsa i huaji shpenzon mesatarisht 426 euro në Shqipëri, atëherë analiza ndryshon.Kjo tregon se oferta turistike shqiptare, ndonëse tërheqëse, ende nuk arrin të konkurrojë në mënyrë të plotë me atë që ofrojnë destinacionet e rajonit apo të Evropës.
Lexo edhe: Shqipëria ngjitet në vendin e 15-të në botë për sigurinë kibernetike sipas NCSI 2025
Por a mjaftojnë shifrat për të kuptuar realitetin? Jo domosdoshmërisht. Marko Jukić, në Palladium, ka thënë se turizmi nuk e ka bërë kurrë të pasur një vend. Ai është një sektor i brishtë, i varur nga moti, krizat dhe sezoni. Madje, një pjesë e madhe e euros që hyjnë largohen menjëherë për të paguar importe: nga domatet spanjolle, te djathi grek e vera italiane. Kështu, “festa turistike” ushqehet shpesh me produkte të huaja, ndërsa fermeri dhe prodhuesi vendas mbeten në hije.
Këtu hyn edhe dimensioni teorik. Karl Marx do të na kujtonte se vetëm puna prodhuese krijon vlerë të re, ndërsa shërbimet, në vetvete, nuk shtojnë pasuri reale. Në komunizëm, kjo logjikë u përdor për ta lënë turizmin mënjanë si sektor dytësor. Sot kemi kaluar në ekstrem: e kemi ngritur turizmin në qiell, ndërkohë që toka, bujqësia dhe industria përpunuese kanë mbetur në harresë.
Për më tepër, turizmi gjeneron eksternalitete që shpesh nuk përllogariten: nevoja për më shumë shërbime në mjekësi, menaxhim të trafikut, përpunim të plehrave, rritje të sigurisë publike dhe policisë, presion mbi infrastrukturën dhe ndikime monetare nga hyrja masive e valutës së huaj. Të gjitha këto janë kosto që i paguan taksapaguesi shqiptar, por nuk shfaqen në tabelat zyrtare të Bankës së Shqipërisë.
Siç ka theksuar Jafar Jafari, turizmi është një sistem ku aktorë, industri dhe shoqëri ndërthuren, duke prodhuar pasoja që shkojnë përtej ekonomisë. Këtë e kam parë nga afër në mbi 30 vite përvojë në sektorin e turizmit: zhvillimi turistik sjell fitime, por edhe tensione të mëdha sociale, mjedisore dhe ekonomike, nëse nuk mbështetet mbi prodhim vendas dhe politika të mirëkoordinuara.
Çdo student i ekonomisë së destinacioneve turistike mëson që në fillim se zinxhiri i vlerës së turizmit është i cunguar pa bujqësinë dhe industrinë përpunuese. Çdo miliard euro që regjistrohet në bilanc është si ujë që kalon mbi gurë: duket i bollshëm, por nuk vadit tokën. Vetëm kur eurot e turistëve shndërrohen në vende pune për fermerët, zhvillim rural dhe siguri ushqimore, turizmi kthehet në pasuri të qëndrueshme.
Ashtu siç e përmbledh Chris Dwyer, turizmi nuk është një qëllim më vete, por një mjet për zhvillim gjithëpërfshirës. Dhe ky është leksioni që Shqipëria duhet të marrë sot: turizmi është qershia mbi tortë – por torta duhet ndërtuar mbi prodhimin vendas, industrinë dhe kulturën tonë.
P.S.
Në diskursin e sotëm turistik, vlen të rikujtohen dy koncepte të vitit 2020:
- “Rregullimi i turizmit nëpërmjet ingranazheve të ofiçinës së turizmit” – që e sheh sektorin si një mekanizëm ku çdo hallkë lidhet me tjetrën.
- “Zgjimi i fshatit” – si domosdoshmëri për ta kthyer bujqësinë, kulturën dhe mikpritjen në themelin e një turizmi që sjell pasuri reale dhe të qëndrueshme.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto