Nga Eni Muça – Viti 2025 pritet të sjellë zhvillime të rëndësishme në tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri, të ndikuara nga faktorë si rivlerësimi i pronave, rritja e çmimeve të referencës dhe projektet madhore urbanistike. Në një intervistë ekskluzive me Alket Bogdanin, i shpallur si “Agjenti i Vitit” nga Future Home Real Estate, zbulojmë një qasje të detajuar mbi trendet kryesore që do të dominojnë tregun këtë vit. Bogdani ndan këshilla të vlefshme për ata që dëshirojnë të investojnë apo të shesin prona në një treg gjithnjë e më konkurrues, duke na udhëzuar se si mund të përshtatemi me këto ndryshime dhe cilat strategji janë më efektive për të maksimizuar përfitimet.
Cilat janë pritshmëritë kryesore për tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri për vitin 2025?
Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri për vitin 2025 pritet të ndikohet nga disa faktorë kyç, duke përfshirë rivlerësimin e pronave dhe rritjen e çmimeve të referencës, zhvillimin e projekteve të mëdha urbanistike, zgjerimin e zonave periferike dhe rritjen e interesit nga investitorët e huaj dhe diaspora shqiptare.
A pritet një rritje apo ulje e çmimeve të pronave këtë vit? Cilat janë faktorët kryesorë që ndikojnë në këtë trend?
Bazuar në raportin kërkesë-ofertë dhe ndikimin e inflacionit në rritje, si dhe afrimin e kompanive ndërkombëtare që po rrisin kërkesën për prona, pritet që viti 2025 të sjellë sërish një rritje të çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme.
Si parashikohet të zhvillohet kërkesa për prona e banimit krahasuar me pronat komerciale?
Me rritjen e popullsisë dhe lëvizjen e vazhdueshme nga rrethet drejt Tiranës, kërkesa për prona banimi është në rritje. Ndërkohë, tregu komercial po përfiton nga zgjerimi i vazhdueshëm i bizneseve, edhe pse Tirana duket e ngopur, dinamika e zhvillimit urban vazhdon të ofrojë mundësi të reja për bizneset.
Si ndikon situata ekonomike në Shqipëri dhe rajon në investimet në pasuri të paluajtshme?
Investimet në infrastrukturën rrugore dhe politikat lehtësuese kanë krijuar mundësi të reja për investime në pasuritë e paluajtshme. Vërehet një rritje e interesit veçanërisht në zonat bregdetare nga investitorët nga Kosova dhe Maqedonia, një trend që pritet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.
A ka ndonjë iniciativë apo politikë të re qeveritare që pritet të ndikojë në tregun e pasurive të paluajtshme këtë vit?
Në vitin 2025 pritet të hyjë në fuqi politika e rivlerësimit të pronave të paluajtshme dhe rishikimi i çmimeve të referencës. Këto masa do të ndikojnë drejtpërdrejt në treg, duke sjellë rritje të vlerës së pronave dhe përafrim më të saktë të çmimeve të tregut me ato të referencës.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.