Tranzicioni i gjelbër, ja cili vend i BE-së po blen më shumë makina elektrike - Business Magazine Albania

Tranzicioni i gjelbër, ja cili vend i BE-së po blen më shumë makina elektrike

Shitjet e automjeteve elektrike në Bashkimin Europian po rriten më shpejt se kurrë, duke sinjalizuar një tranzicion të pandalshëm të industrisë së automobilëve drejt energjisë së pastër. Të dhënat më të fundit të Shoqatës së Prodhuesve të Automobilëve në Europë (ACEA) tregojnë se regjistrimet e reja të makinave krejtësisht elektrike u rritën me 25.7% në tetor, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Gjatë dhjetë muajve të parë të 2025-s, 16.4% e të gjitha makinave të reja në BE ishin elektrike, nga 13.2% në 2024, një rritje që po ndryshon fytyrën e tregut europian të automjeteve.

Gjermania udhëheq, Spanja surprizon, Polonia befason

BE-ja regjistroi 1.47 milionë makina të reja elektrike nga janari në tetor. Si zakonisht, Gjermania mbetet lokomotiva e kontinentit, me mbi 434,600 regjistrime dhe një rritje të fortë prej 39.4%.

Mes ekonomive më të mëdha europiane:

Spanja shënoi rritjen më të madhe, +89.7%, duke reflektuar politika më agresive subvencionesh.

Italia rritje 26.5%.

Franca mbeti pas me rritje të moderuar prej 5.3%.

Por rekordin e vendit me rritjen më të madhe e mban Polonia, ku kërkesa për EV u rrit me një ritëm mbresëlënës, +124.6%. Megjithatë, automjetet elektrike zënë vetëm 6.4% të tregut total polak.

Rritje të forta shënuan edhe vende me treg të vogël, si:

Sllovenia (+99.3%), Sllovakia (+77.5%), Lituania (+62.7%) dhe Bullgaria (+58.1%).

Ndërkohë që disa vende panë rënie, përfshirë Kroacinë, Luksemburgun, Maltën, Rumaninë dhe Estoninë.

Në total, tregu i makinave në BE shënoi rritje 1.4% në dhjetë muajt e parë të vitit; muaji i katërt radhazi me rritje. Makina hibride vazhdojnë të jenë zgjedhja më e popullarizuar, duke përbërë 34.6% të tregut, ndërsa benzina dhe dizeli kanë rënë në 36.6%, nga 46.3% një vit më parë.

Panorama e prodhuesve tregon zhvillime interesante:

Volkswagen Group +5.1%, BMW +6.3%, Mercedes +2% dhe Renault +7%.

Në anën tjetër: Stellantis -6%, Toyota -5.7% dhe Hyundai -4%.

Ndryshimi më dramatik? Tesla ra gati 40%, ndërkohë që gjiganti kinez BYD u rrit me 240%, duke treguar se konkurrenca aziatike po fiton terren në tregun europian.

Çfarë do të thotë kjo për Europën… dhe për Shqipërinë?

Ndërsa BE përshpejton tranzicionin e saj të gjelbër, presioni për të investuar në infrastrukturë, në bateri dhe në politika subvencionesh do të rritet. Për vende si Shqipëria, ku tregu i EV është ende në fazat e para këto zhvillime tregojnë drejtimin e qartë të lëvizjes globale dhe të kërkesës së konsumatorëve në vitet që vijnë.

Adoptimi i teknologjive të gjelbra, hapja e tregut për prodhues të rinj dhe politika fiskale më moderne mund të bëhen faktorë vendimtarë për të mos mbetur pas tranzicionit që tashmë po ndodh me ritme rekord në BE.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0