Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka përfunduar për të gjashtin vit radhazi monitorimin e transparencës proaktive të autoriteteve publike në Shqipëri. Monitorimi i vitit 2025 përfshiu 367 autoritete, përfshirë institucionet qendrore, njësi të vetëqeverisjes vendore, institucione të sistemit të drejtësisë, arsimin e lartë, urdhra profesionalë dhe shoqëri ku shteti zotëron shumicën e aksioneve.
Transparenca proaktive nënkupton publikimin e rregullt dhe të përditësuar të informacionit nga institucionet, duke mundësuar qytetarët të ndjekin aktivitetin institucional. Ky proces forcon përgjegjshmërinë, besueshmërinë dhe llogaridhënien e institucioneve ndaj publikut.
Procesi i monitorimit është mbështetur në kërkesat e kuadrit rregullator në fuqi, me qëllim garantimin e aksesit sa më të gjerë dhe gjithëpërfshirës në informacionin dhe dokumentacionin me karakter publik. Për realizimin e këtij vlerësimi janë përdorur 16 tregues monitorimi (nga 12 tregues të përdorur për vitin 2024), të detajuar në seksionin “Metodologjia” të raporteve. Këta tregues analizojnë në mënyrë të hollësishme përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga neni 7 i ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar.
Ky ushtrim i përvitshëm synon jo vetëm evidentimin e problematikave dhe sfidave, por edhe identifikimin dhe promovimin e praktikave të konsoliduara pozitive, ku transparenca proaktive trajtohet si një standard i përditshëm i funksionimit institucional.
Nga analiza krahasimore rezulton një përmirësim i vazhdueshëm i nivelit të transparencës proaktive nga viti në vit, duke marrë në konsideratë si rritjen e numrit të treguesve të vlerësimit, ashtu edhe zgjerimin e numrit të autoriteteve të monitoruara. Megjithatë, mbetet e domosdoshme ruajtja e nivelit të lartë të angazhimit institucional dhe forcimi i përgjegjshmërisë profesionale për adresimin e sfidave të evidentuara gjatë procesit të monitorimit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto