Tim Ademi, flet për suksesin dhe rrugën drejt të qenit laureat i biznesit! - Business Magazine Albania

Tim Ademi, flet për suksesin dhe rrugën drejt të qenit laureat i biznesit!


Tim Ademi, sipërmarrës i ri në moshë por mjaft i suksesshëm në sferën e biznesit që zhvillon dhe drejtues i një agjencie marketingu e para e llojit të saj në Tetovë dhe rajon, flet mbi sfidat e suksesit dhe arritjet e tij ndër vite. Cili është motivi që e mban gjallë dëshirën për punë permanente dhe mënyrat për të kaluar çdo lloj barriere që mund të paraqitet në rrugën e biznesit.

Për më shumë lexoni intervistën e dhënë nga vet ai, drejtori i MediaK2, Tim Ademi.

  1. Kush është Tim Ademi?

T: Bashkëshort, djalë, drejtues i një agjencie marketingu, mik i shumë miqve, i dedikuar deri në pafundësi për të patur sadopak ndikim në botë, për të ndihmuar sa herë që mundem ata që kanë nevojë dhe për të ndjekur rrugën drejt të qenit laureat i kohës time.

  1. Na flisni pak për jetën tuaj para kyçjes në biznes?

T: Është e vështirë të flas për jetën para biznesit duke u nisur nga fakti se aq sa unë kujtoj veten time, gjithmonë kam qenë i involvuar në ndonjë biznes, qoftë direkt apo indirekt. Është parë gjithmonë një dëshirë e imja për tu bërë ky që jam sot, duke e kthyer atë dëshirë në punë dhe angazhim maksimal. Gjërat që mund të kenë ndryshuar nga jeta para dhe pas kyçjes në biznes nuk janë madhore, por ama përgjegjësitë po.

  1. Si erdhët deri te ideja ose koncepti për një biznes marketingu?

T: Zakonisht gjërat e vogla sjellin ide të mëdha. Nisur nga bisedat e përditshme me miq dhe të afërm, me njerëz të biznesit dhe jetës publike, gjithashtu edhe duke hulumtuar tregun, erdha në përfundim se në rajonin ku unë dhe shumë të tjerë jetojmë ka mungesë të një agjencie marketingu. Fillimi i biznesit ishte i vështirë derisa njerëzit e kuptuan qëllimin tim. Me kalimin e viteve u hapën edhe agjenci tjera të të njëjtit subjekt, por në momentin që kuantiteti fillon të mposht kualitetin në skenë dalin vetëm ato që kanë cilësi adekuate për të vazhduar drejt suksesit, dhe mund të them se ne kemi arritur t’ju bëjmë ballë këtyre sfidave.

  1. Sa dhe si e ndihmon marketingu një biznes?

T: Përgjigjen e kësaj pyetje do e kisha përmbledhur me një thënie mjaft të njohur: “Një njeri që mundohet të ndalojë marketingun për të fituar para, është njëlloj si një njeri që mundohet të ndalojë orën për të fituar kohë”.   Vet sipërmarrësi më me zë i momentit, njëkohësisht edhe president i SHBA-ve, kur është pyetur se ç’do kishte bërë me 100 mijë dollar ai është shprehur: “30 % e shumës do e kisha përdorur për të hap një biznes, dhe përqindjen e mbetur do e kisha shpenzuar për marketing “. Kjo flet se marketingu është dhe do jetë jetik për zhvillimin e çfarëdolloj biznesi.

  1. Fakti që jeni një sipërmarrës i ri në moshë ju ka favorizuar apo disfavorizuar?

T: Duke u nisur nga fakti që unë kam bërë biznes dhe vazhdoj të bëj biznes në vende të ndryshme, do thoja që favori dhe disfavori janë kryekëput rezultat i kulturës. Pa dyshim që në Amerikë dhe vende të tjera të modernizuara ky fakt më ka favorizuar jashtë mase, por në shumë vende tjera bashkë edhe me vendin ku aktualisht po zhvilloj veprimtarinë time më ka disfavorizuar. Mentaliteti ballkanik ka qenë dhe vazhdon të jetë i prirur t’ju besoj thinjave dhe mjekrës, duke mbështetur idenë e njeriut me eksperiencë shumëvjeçare. Kohët kanë ndryshuar, gjeneratat e reja sot kanë njohuri të mjaftueshme për të patur edhe eksperiencë të tillë.

  1. Sa e vështirë është të bësh biznes në një vend si Maqedonia?

T: Si sipërmarrës në Maqedoni, do thoja që këtu ka potencial edhe pse njerëzit nuk arrijnë ta shohin. Pa dyshim që si çdo vend tjetër edhe Maqedonia ka problemet dhe pengesat e saj, por unë personalisht tentoj në maksimum të jem i drejtë dhe transparent ndaj ligjit dhe shtetit, prandaj deri sot nuk kam hasur në ndonjë pengesë serioze. E vetmja sfidë që hasim ne si sipërmarrës është industria jo e zhvilluar, e cila neve na kushton kohë. Maqedonia akoma nuk e ka humbur shijen e tranzicionit prandaj sfidat, pengesat dhe problemet në disa raste mund të konsiderohen normale.

  1. Si e përkufizoni fjalën “sukses” ?

T: Në momentin që e ndjej veten komod, të lumtur me njerëzit që më rrethojnë, gëzoj shëndet të plotë, posedoj të mirat bazike për një jetë normale, çdo gjë shtesë është sukses.

  1. Çfarë ju inspiron më shumë në jetë?

T: Në momentin kur hap sytë në mëngjes dhe kupton se Zoti të dha edhe një ditë jetë nuk ka se si të mos inspirohesh për tu zgjuar dhe jetuar. Gjatë rrugëtimit jetësor, përballesh me njerëz të cilët janë të sfiduar nga jeta dhe vazhdojnë të buzëqeshin, të qëndrojnë pozitiv dhe të mos dorëzohen në asnjë moment duke të dhuruar motiv për ta shtyrë jetën përpara.

  1. Si e shihni konkurrencën: motiv për të punuar më shumë apo pengesë në arritjen e suksesit?

T: Varet se për çfarë konkurence bëhet fjalë, nëse marrim shembullin e konkurencës jetike mes Coca-Cola dhe Pepsi, do thoja që ajo është motiv në vete që të shtyn të punosh fort për të qenë më i miri. Nga ana tjetër ka edhe konkurencë e cila të sjell probleme duke të krijuar barriera në rrugën drejt suksesit.

  1. Një këshillë për të rinjtë që duan të jenë sipërmarrës në të ardhmen!

T: Mos e prit të ardhmen, bëje sot!

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0