TikTok rrëzon YouTube dhe Instagram, burimi kryesor i lajmeve... - Business Magazine Albania

TikTok rrëzon YouTube dhe Instagram, burimi kryesor i lajmeve për të rinjtë

TikTok nuk është më vetëm një aplikacion videosh argëtuese. Sipas të dhënave më të fundit nga Pew Research Center, platforma ka marrë vendin e parë si burimi kryesor i lajmeve për të rinjtë amerikanë, duke lënë pas gjigantë si YouTube dhe Instagram.

Në vitin 2025, 43% e të rinjve të moshës 18–29 vjeç deklarojnë se informohen rregullisht përmes TikTok-ut. Për krahasim, YouTube dhe Facebook ndajnë vendin e dytë me nga 41%, ndërsa Instagram mbetet pak më pas me 40%. Platforma X (ish-Twitter) dhe Reddit shënojnë rënie, me përkatësisht 21% dhe 18%.

Rritja e TikTok-ut ka qenë e qëndrueshme dhe e shpejtë. Në vitin 2023, vetëm 32% e të rinjve e shihnin aplikacionin si burim lajmesh; dy vite më vonë, kjo shifër është rritur ndjeshëm, duke e kthyer atë në pikën kryesore të informimit për brezin e ri.

Sipas studimit, rrjetet sociale në përgjithësi kanë tejkaluar çdo format tjetër informimi për këtë grupmoshë. 76% e të rinjve thonë se i marrin lajmet shpesh ose herë pas here nga rrjetet sociale, krahasuar me 60% që përdorin faqet tradicionale të lajmeve dhe vetëm 28% që informohen përmes newsletter-ëve me email.

Interesant është edhe niveli i besimit. Rreth gjysma e të rinjve shprehen se kanë “pak ose shumë besim” te lajmet që vijnë nga rrjetet sociale, një nivel i ngjashëm me besimin që kanë ndaj mediave kombëtare tradicionale.

Por çfarë quhet “lajm” në TikTok? Jo domosdoshmërisht përmbajtje nga media klasike si televizione apo gazeta të mëdha. Të rinjtë e konsiderojnë informacion edhe komentet e influencerëve të lajmeve, videot nga terreni, qoftë nga një zonë lufte apo një protestë, si dhe përmbajtjen e krijuar drejtpërdrejt nga përdoruesit.

Kjo ka sjellë në skenë një brez të ri gazetarësh të pavarur dhe krijuesish përmbajtjeje, si Philip DeFranco apo Vitus “V” Spehar, të cilët kanë ndërtuar audienca të mëdha duke raportuar në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe autentike. Edhe media tradicionale, si NPR me “Planet Money”, kanë përshtatur strategjinë duke vendosur individë në qendër të tregimit të lajmit, për të krijuar më shumë besim me publikun e ri.

Ndërkohë, edhe politika po ndjek të njëjtën rrugë. Podcast-et dhe platformat sociale janë kthyer në kanale kyçe komunikimi për institucionet dhe politikanët, ndërsa në vitin 2025 shumë krijues të pavarur kërkuan akses zyrtar në konferencat për shtyp të Shtëpisë së Bardhë.

TikTok ka reaguar ndaj këtij roli në rritje duke prezantuar disa funksione të reja për lajmet, përfshirë mundësinë që botuesit të vendosin linke artikujsh brenda videove, si dhe një sistem verifikimi komunitar të ngjashëm me “Community Notes”, të quajtur Footnotes. Platforma bashkëpunon gjithashtu me verifikues faktesh në mbi 130 tregje, për të luftuar dezinformimin.

Një gjë është e qartë, për brezin e ri, lajmi nuk vjen më nga ekrani i televizorit apo faqja e gazetës, por nga videoja që shfaqet në feed.

BI

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0