Tesla, nga makina revolucionare te shoferët më të paragjykuar? - Business Magazine Albania

Tesla, nga makina revolucionare te shoferët më të paragjykuar?

Pasioni për makinat është një nga më të përhapurit dhe si i tillë dhe shpenzimet e mundimet për të pasur të fundit janë të shumta. Me gjithë bujën e Tesla, të gjithë donin të kishin një të tillë, por me gjithë ndryshimet dhe atë që po shfaq Elon Musk kudo, duket se ana e medaljes tashmë është kthyer.

Një studim i ri ka nxjerrë në pah një fakt që i habiti të gjithë shoferët e Teslave, pasi këta të fundit janë shpallur më të papëlqyerit në rrugët e Mbretërisë së Bashkuar. Sipas sondazhit të zhvilluar nga kompania “Big Motoring World”, tre nga pesë të anketuar i renditën drejtuesit e makinave elektrike të Elon Musk në vendin e dytë ose të fundit për sa i përket simpatisë në trafik.

Lexo gjithashtu: Ditë e keqe për X dhe Tesla/ A po ju kushton Elon Musk mjaftueshëm vëmendje bizneseve të tij?

Tesla, simbol i inovacionit, por edhe i pakënaqësisë?

Tesla, e njohur si lider në tregun e makinave elektrike, ka shënuar rritje të jashtëzakonshme në vitet e fundit. Megjithatë, ky sukses nuk e ka shpëtuar markën nga një imazh jo fort pozitiv mes shoferëve të tjerë. Vetëm 3% e të anketuarve e renditën një shofer të Teslës si më të pëlqyerin në rrugë.

Por çfarë i bën shoferët e Teslës kaq të pakëndshëm për të tjerët? Një pjesë e përgjigjes lidhet me vetë themeluesin e kompanisë, Elon Musk. Studime të tjera tregojnë se qasjet e tij politike dhe personaliteti i tij polarizues kanë ndikuar ndjeshëm në perceptimin publik për markën Tesla. Sipas një sondazhi të kryer nga “Carmoola”, 70% e britanikëve deklarojnë se nuk do të blinin një Tesla për shkak të imazhit të Musk.

Stereotipet për shoferët e Teslës, ekstravagantë apo thjesht të keqkuptuar?

Pjesëmarrësit e anketës i përshkruan shoferët e Teslës kryesisht si “ekstravagantë”, por nuk munguan edhe përshkrime më pak miqësore. Në të njëjtin sondazh, Volksëagen u rendit si marka e dytë më e pakëndshme për shoferët e tjerë, ndjekur nga Mini, Land Rover dhe Mercedes-Benz.

Stereotipet për shoferët nuk janë diçka e re, por ky studim sugjeron se perceptimi ndaj Teslës ka kaluar nga admirimi për inovacionin në skepticizëm. Për më tepër, hulumtimi përdori mjete të inteligjencës artificiale për të krijuar imazhe të “shoferëve tipikë” të çdo marke bazuar në opinionet e të anketuarve. Për Teslën, profili i imagjinuar ishte një burrë i bardhë, i veshur mirë dhe me flokë të rralluara, një portretizim që ngjalli diskutime mbi stereotipet e markave të luksit.

Lexo gjithashtu: Misioni i parë në Mars nis vitin e ardhshëm!

Rënia e interesit për Teslën dhe konkurenca në rritje

Edhe pse makinat Tesla vazhdojnë të kenë shitje të larta në Mbretërinë e Bashkuar, me modele si Model 3 dhe Model Y që kryesojnë listat e regjistrimeve të reja, ka shenja të qarta se interesi për markën po bie. Të dhënat nga “Leasing Options” tregojnë se kërkesat për qira për makinat elektrike janë rritur me 509% në një vit, por ato për Tesla kanë rënë me 11%. Ndërkohë, konkurrenca nga markat si BYD, Polestar, VolksWagen dhe Kia po rritet me shpejtësi, duke marrë një pjesë gjithnjë e më të madhe të tregut.

Sipas Mike Thompson, drejtor ekzekutiv i “Leasing Options”, Tesla nuk është më lideri i padiskutueshëm i makinave elektrike: “Tesla ka qenë gjithmonë një markë që mbështetej në imazh, por tani, polemikat rreth Elon Musk po i largojnë klientët, ndërsa konkurentët po ofrojnë çmime, autonomi dhe veçori më konkurruese.”

Lexo gjithashtu: Elon Musk në rolin e “Superman” — edhe pse kritikët përpiqen ta rrëzojnë atë dhe DOGE-n

A është ende Tesla një zgjedhje e mirë?

Ndërsa perceptimi publik mund të mos jetë më aq pozitiv, teknologjia dhe infrastruktura e Teslës mbeten ndër më të avancuarat në botë. Për ata që kërkojnë një makinë elektrike me performancë të lartë, Tesla ende ka avantazhe të pamohueshme. Megjithatë, me rritjen e alternativave të reja, konsumatorët po bëhen më të kujdesshëm në zgjedhjet e tyre.

Nëse Tesla dëshiron të ruajë dominimin e saj, ndoshta ka ardhur koha për një rishikim të imazhit dhe një qasje më të kujdesshme ndaj konsumatorëve dhe opinionit publik. Deri atëherë, shoferët e saj do të vazhdojnë të ndajnë rrugët me skeptikë të shumtë… dhe ndoshta edhe me pak më shumë paragjykime.

GBN

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0