Tarifat e Trump godasin tregjet evropiane, bien çmimet e naftës - Business Magazine Albania

Tarifat e Trump godasin tregjet evropiane, bien çmimet e naftës

Tregjet evropiane pësuan rënie të mërkurën në mëngjes, ndërsa tarifat e reja të presidentit amerikan Donald Trump, të vendosura specifikisht për secilin shtet, filluan të hyjnë në fuqi.

Një “det i kuq” dominoi indekset kryesore evropiane këtë mëngjes, pasi SHBA nisi zbatimin e tarifave të reja doganore, përfshirë një taksë totale prej 104% mbi mallrat kineze. Doganat dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së konfirmuan se po përgatiten të mbledhin tarifa specifike nga 86 vende të ndryshme. Edhe pse presidenti la të kuptohet se është ende i hapur për negociata, ai po ashtu konfirmoi se tarifat e planifikuara mbi importet kineze do të vijojnë. Me një urdhër ekzekutiv të nënshkruar së fundmi, Trump trefishoi tarifat për mallrat kineze me vlerë të ulët në 90%, në fuqi që nga 2 maji.

“Po bëjmë marrëveshje të personalizuara me disa vende,” deklaroi Trump, duke shtuar se disa vende aziatike dhe Bashkimi Evropian janë të hapur për diskutime. Por nga Kina nuk ka patur asnjë përgjigje të re që nga e marta, kur zyrtarisht deklaroi se “do të luftojë deri në fund”. “Edhe Kina dëshiron marrëveshje, dëshiron shumë, por nuk di si ta nisë. Ne po presim që të na telefonojnë. Do të ndodhë!”, tha Trump të martën nga Shtëpia e Bardhë.

Tregjet evropiane në rënie

Rreth orës 11:00 (CET), indeksi Euro STOXX 50 ra me 2.54%, STOXX 600 pësoi rënie me 2.96%, ndërsa CAC 40 i Francës humbi 2.53%.

DAX i Gjermanisë u ul me 2.99%, ndërsa FTSE 100 në Londër ra me 2.55%. Në Itali, FTSE MIB humbi 2.63% dhe IBEX 35 i Spanjës ra me 2.34%.

Edhe kompanitë evropiane të makinave u prekën nga rëniet, me aksionet e Volkswagen AG që ranë me 1.06%, Mercedes-Benz Group AG me 1.31% dhe Ferrari N.V. me 1.06%.

Lexo edhe: Ndërsa BE-ja goditet, Shqipëria pozicionohet si aleati i vogël i Amerikës së madhe

Tregjet aziatike thellojnë humbjet

Tregjet e kapitalit në Azi gjithashtu rifilluan rënien, me indeksin Hang Seng të Hong Kongut që ra me gati 2%, Nikkei 225 i Japonisë pësoi një rënie prej 4%, ASX 200 i Australisë humbi 1.8%, ndërsa Kospi i Koresë së Jugut ra me 1.7% që në orën 05:50 sipas kohës evropiane qendrore.

Edhe tregjet amerikane bien ndjeshëm, investitorët i drejtohen aktiveve të sigurta

Edhe aksionet  amerikane shënuan rënie të ndjeshme të mërkurën në mëngjes, me S&P 500 që ra me 2.56%, Nasdaq humbi 2.76%, dhe Dow Jones Industrial Average u ul me 2.18%, sipas orës 05:18 CET. Rritja e lehtë që u pa në Wall Street në fillim të javës rezultoi jetëshkurtër, pasi pasiguria u thellua pas konfirmimit të presidentit Trump se tarifat ndaj Kinës do të vazhdojnë.

“Bazuar në fundamentet, është e vështirë të bëhesh optimist për tregun, përveç nëse administrata Trump fillon të krijojë politika më koherente, ul tonin agresiv për tarifat, ose nis të tërhiqet nga tarifat ‘reciproke’ nëpërmjet marrëveshjeve të personalizuara me vende të veçanta,” shkroi Michael Brown, strateg kërkimi në Pepperstone London, në një analizë të dërguar klientëve.

Asetet e sigurta në rritje

Ndjenja e rrezikut të lartë në tregje nxiti kërkesën për asetet tradicionale të sigurta, si ari, jeni japonez, euroja dhe franga zvicerane. Ari fizik u rrit me më shumë se 1%, duke arritur një maksimum ditor prej 3,018 dollarë për ons. Euroja u forcua me 0.7% ndaj dollarit amerikan, duke arritur në 1.1037, niveli më i lartë në shtatë muaj. Ndërkohë, dollari amerikan humbi 0.65% si kundrejt jenit, ashtu edhe frangës zvicerane, duke rënë në nivele të papara që nga tetori i vitit 2024.

Nga ana tjetër, obligacionet amerikane, sidomos ato afatgjata, pësuan shitje të mëdha, çka tregon se investitorët po bëhen gjithnjë e më skeptikë për perspektivën ekonomike të SHBA-së. Rendimentet e obligacionit 30-vjeçar të Thesarit amerikan u rritën me 20 pikë bazë, duke arritur nivelin më të lartë në një vit.

Nafta vazhdon të zbresë

Çmimet e naftës vijuan rënien, me Brent që ra me 3.84%, në 60.41 dollarë për fuçi, dhe West Texas Intermediate (WTI) që humbi 4.23%, duke zbritur në 57.06 dollarë për fuçi, në orën 05:30 CET. Të dyja referencat janë tashmë në nivelet më të ulëta që nga mars 2021.

Burimi: Euronews.com/ Përshtati: Businessmag.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0