Suksesi i 'Plug and Play Tirana Expo 2025'/ 10 startup-e shqiptare drejt Silicon Valley - Business Magazine Albania

Suksesi i ‘Plug and Play Tirana Expo 2025’/ 10 startup-e shqiptare drejt Silicon Valley

Edicioni i parë i Plug and Play Tirana Expo mbylli ditën e djeshme në ambientet e Piramidës maratonën e një eventi  2 ditor, i cili mblodhi përfaqësues të lartë institucionesh, investitorë, startup-e dhe ekspertë ndërkombëtarë të teknologjisë dhe inovacionit. Në fjalën e hapjes, Mitchell Granoff, kreu i AADF, theksoi rëndësinë e këtij momenti për ekosistemin shqiptar të inovacionit: “Plug and Play Tirana është një hap konkret drejt integrimit të Shqipërisë në rrjetin global të sipërmarrjes dhe teknologjisë,” – u shpreh ai. Granoff kujtoi se dikur Shqipëria ishte ndër vendet më të varfëra të rajonit, ndërsa sot po investon në të ardhmen e saj përmes inovacionit. Ai përmendi kontributet e AADF-së si një partner që ka mbështetur vendin që nga projektet bazike të infrastrukturës e arsimit, e deri te Piramida, tashmë një qendër inovacioni përtej kufijve shqiptarë.

Nga ana e tij, Seema Amidi, menaxher i Plug and Play për rajonin EMEA, nënvizoi se Tirana po shndërrohet në një qendër të re të zhvillimit teknologjik në Ballkan.
“Ne besojmë se talenti shqiptar dhe energjia e këtij tregu do të sjellin histori suksesi me ndikim ndërkombëtar,” – theksoi ai.

Fjala e hapjes u përshëndet edhe nga kryetarja në detyrë e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, e cila bëri një analogji mes së shkuarës dhe së tashmes: “Në të kaluarën, 16 tetori festohej si ditëlindja e një lideri komunist, ndërsa sot, nga zyrat e Plug and Play, ndjehet energjia e një Shqipërie që po formëson rrugën e saj drejt zhvillimit.”

Ceremonia u pasua nga Uranik Begu, i cili falënderoi të pranishmit dhe ftoi në skenë 22 startup-et fituese të kohortës së parë që morën pjesë në programin 8-mujor të akselerimit.

Pas fjalimeve, programi vijoi me panele mbi transformimin industrial dhe inovacionin rajonal, me pjesëmarrjen e ekspertëve nga ExxonMobil, BNP Paribas dhe startup-e të Ballkanit. Paneli “How Albania Can Become a Regional Innovation Hub” solli ide konkrete për zhvillimin e Tiranës si një qendër rajonale teknologjie.

Në pjesën e dytë të ditës, Arvind Gupta, themelues i Digital India, mbajti një ligjëratë mbi ndikimin e teknologjisë në epokën e inteligjencës artificiale, ndërsa paneli “Breaking Barriers & Making Big Moves” u fokusua te sfidat e grave sipërmarrëse në sektorin e inovacionit.

Mbrëmja u mbyll me fjalimin e Ben Zevenbergen nga Google mbi etikën dhe vlerat njerëzore në zhvillimin e AI-së, e ndjekur nga një aktivitet kulturor shqiptar dhe sesione rrjetëzimi mes investitorëve dhe startup-eve.

Dita e dytë e Plug and Play Tirana Expo vijoi me diskutime mbi teknologjitë e gjelbra dhe inovacionin social. Ekspertët ndanë përvoja mbi ndërtimin e ekipeve, tërheqjen e investimeve dhe mënyrën se si Shqipëria mund të shndërrohet në një qendër rajonale të inovacionit. Programi përfundoi me një sesion interaktiv ku startup-et prezantuan idetë e tyre përpara investitorëve, duke dëshmuar potencialin global të tregut shqiptar.

Në po të njëjtën dite  u zhvillua edhe finalja e programit të akselerimit “Plug and Play Tirana Expo 2025”, një ngjarje që shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin e ekosistemit të startup-eve në vend. Dhjetë startup-e shqiptare do të udhëtojnë drejt Silicon Valley për të prezantuar idetë e tyre novatore dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi me partnerë ndërkombëtarë.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi rëndësinë e krijimit të një modeli të qëndrueshëm për mbështetjen e sipërmarrjeve të reja, duke vënë në dukje bashkëpunimin ndërkombëtar dhe besimin tek potenciali i të rinjve shqiptarë.
Shqipëria po ndërton një ekosistem inovacioni që mbështet idetë e reja dhe i lidh ato me tregjet globale,” – u shpreh ministrja.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0