Hëna më e madhe e Saturnit, Titani, mund të mos ketë një oqean të madh të lëngshëm nën sipërfaqe, siç mendohej prej më shumë se një dekade, por shtresa të thella akulli dhe “llumi” me xhepa uji të lëngshëm, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore Nature.
Sipas studiuesve të NASA-s dhe Universitetit të Uashingtonit, këto xhepa uji mund të krijojnë mjedise potencialisht të banueshme, duke rritur shpresat për ekzistencën e jetës jashtëtokësore, edhe pse, nëse ekziston, ajo do të ishte mikroskopike.
“Ka arsye të forta për optimizëm të vazhdueshëm për potencialin e jetës jashtë Tokës,” thanë autorët e studimit.
Duke rianalizuar të dhënat e mbledhura vite më parë nga sonda Cassini, shkencëtarët arritën në përfundimin se brendësia e Titanit i ngjan më shumë akullit detar të Arktikut ose akuifereve sesa një oqeani të hapur si ai i Tokës. Kjo do të thotë se uji i lëngshëm mund të jetë i shpërndarë në xhepa të vegjël, por potencialisht më të pasur me lëndë ushqyese.
Sipas studimit, disa nga këto xhepa uji të freskët mund të arrijnë temperatura deri në 21 gradë Celsius, duke krijuar kushte më të favorshme për jetën sesa një oqean i madh dhe i ftohtë.
Lexo edhe: 15-vjeçari përfundon doktoraturën në fizikë kuantike
Titani është i vetmi trup qiellor, përveç Tokës, që dihet se ka lëngje në sipërfaqe, por në këtë rast bëhet fjalë për metan, jo për ujë, me liqene dhe reshje shiu në temperatura ekstreme rreth –180 gradë Celsius.
Një nga zbulimet kyçe lidhet me mënyrën se si graviteti i Saturnit deformon Titanin. Ndryshe nga sa pritej për një oqean të lëngshëm, studiuesit vunë re një vonesë prej rreth 15 orësh midis tërheqjes maksimale gravitacionale dhe deformimit të sipërfaqes, çka sugjeron një brendësi më viskoze, të përbërë nga akull dhe llum.
“Nëse do të kishte një oqean të lëngshëm, reagimi do të ishte i menjëhershëm,” shpjegoi autori kryesor Flavio Petricca nga Laboratori i Shtytjes Reaktive i NASA-s. “Kjo vonesë ishte prova vendimtare që brendësia e Titanit është ndryshe nga sa mendohej.”
Megjithatë, jo të gjithë shkencëtarët janë të bindur. Luciano Iess nga Universiteti Sapienza në Romë, i cili më herët kishte mbështetur teorinë e oqeanit të fshehur, tha se provat aktuale nuk mjaftojnë për ta përjashtuar Titanin nga “familja e botëve me oqean”.
Më shumë përgjigje priten nga misioni i ardhshëm i NASA-s, Dragonfly, një mjet fluturues i ngjashëm me helikopterin, që pritet të mbërrijë në Titan në vitin 2034. Ai do të studiojë drejtpërdrejt sipërfaqen dhe përbërjen e hënës, duke kërkuar shenja të mundshme jete.
Titani i bashkohet kështu listës së hënave që dyshohet se fshehin ujë nën sipërfaqe, përfshirë Europa dhe Enceladus, ndër objektivat më premtuese në kërkimin për jetë jashtëtokësore.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.