Një startup me qendër në Berlin, Tomorrow Bio, po sfidon kufijtë e jetës dhe vdekjes duke ofruar një shërbim unik, ruajtjen kriogjenike të trupit të njeriut pas vdekjes me synimin për t’i dhënë individit një mundësi të dytë për jetë, në të ardhmen.
Për një tarifë prej 200 mijë dollarësh, kompania garanton ruajtjen e të gjithë trupit në temperatura jashtëzakonisht të ulëta, menjëherë pas deklarimit ligjor të vdekjes. Procesi, i njohur si krioprezervim, ndalon dekompozimin dhe dëmtimin e indeve me shpresën se zhvillimet e ardhshme mjekësore do të jenë në gjendje të “rikthejnë në jetë” personin e ngrirë.
Sipas burimeve ndërkombëtare, rreth 650 persona kanë nënshkruar tashmë për këtë procedurë, duke besuar se shkenca dhe teknologjia mund ta bëjnë vdekjen të kthyeshme në një të nesërme të mundshme.Tomorrow Bio është konsideruar si laboratori i parë në Evropë i specializuar në krionikë, ndërkohë që tashmë ka ngrirë disa individë dhe pesë kafshë shtëpiake. Kompania synon të zgjasë aktivitetin edhe në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera gjatë vitit 2025.
Lexo edhe: A është ky startup suedez përgjigjja për krizën evropiane të municioneve?
Procesi kërkon saktësi ekstreme kohore, momenti i fillimit të ngrirjes është thelbësor. Për këtë arsye, ekipi i Tomorrow Bio është i disponueshëm 24 orë në ditë, për të ndërhyrë menjëherë pas deklarimit të vdekjes.
Emil Kendziorra, bashkëthemelues i kompanisë dhe ish-hulumtues i kancerit, shpjegon se:
“Kur kalon nën zero gradë, qëllimi nuk është të ngrish trupin siç ndodh zakonisht, por ta ruash në mënyrë kriogjenike, sepse ndryshe krijohen kristale akulli që dëmtojnë indet.”
Megjithëse askush nuk është zgjuar ende nga ngrirja, Tomorrow Bio beson se është vetëm çështje kohe derisa teknologjia mjekësore të arrijë këtë pikë. Për disa, kjo është një marrëzi fantastiko-shkencore; për të tjerë, një shans për jetë të dytë, që s’duhet lënë pas dore.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.