Spotify po i kushton më shumë vëmendje audiencës së podcasteve, duke sjellë një sërë funksionesh të reja që synojnë ta bëjnë më të lehtë ndjekjen e emisioneve të preferuara dhe zbulimin e përmbajtjes së re – të gjitha brenda aplikacionit.
Për përdoruesit që e kanë Spotify si platformën kryesore për podcast-e, veçoria e re “Following feed” vjen si një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj një problemi të njohur: vështirësisë për të gjetur episodet më të fundit. Sipas një njoftimi zyrtar në blogun e kompanisë, kjo risi do të krijojë një seksion të dedikuar ku përditësimet më të fundit nga podcast-et e ndjekura do të jenë të grumbulluara në një vend të vetëm dhe lehtësisht të aksesueshëm – pikërisht në faqen kryesore të podcasteve.
Lexo edhe: Episodi i dytë i Think Big sjell në fokus Vitalux, kompaninë me pasionin për ndriçimin!
Ndërkohë, për të nxitur zbulimin e përmbajtjes së re, Spotify do të shfaqë rekomandime të personalizuara për podcast-e dhe video podcast-e nën shkurtoret e përdoruesit në faqen Home. Kompania synon të shtojë edhe “shënime të shkurtra” që shpjegojnë arsyen pas çdo rekomandimi, duke e bërë procesin e përzgjedhjes më të qartë dhe më intuitiv.
Kjo nuk është e gjitha. Në javët në vijim, përdoruesit do të kenë mundësinë të ndërveprojnë më shumë me përmbajtjen përmes komenteve dhe reagimeve me emoji – funksione që pritet të forcojnë lidhjen mes krijuesve dhe audiencës.
Spotify po e pozicionon veten gjithnjë e më fort në tregun e podcast-eve, duke investuar jo vetëm në përmbajtje, por edhe në përvojën e përdoruesit – një lëvizje që pritet të sjellë përfitime si për dëgjuesit, ashtu edhe për krijuesit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto