Sora e OpenAI arrin 1 milion shkarkime më shpejt se ChatGPT - Business Magazine Albania

Sora e OpenAI arrin 1 milion shkarkime më shpejt se ChatGPT

OpenAI ka njoftuar se versioni më i fundit i aplikacionit të tij të inteligjencës artificiale për gjenerimin e videove nga teksti, Sora, është shkarkuar mbi një milion herë brenda më pak se pesë ditësh, duke arritur këtë shifër më shpejt se vetë ChatGPT në momentin e lançimit të tij.

Aplikacioni, i cili ka arritur majat e renditjeve në Apple App Store në SHBA, krijon video 10-sekondëshe me pamje realiste duke përdorur vetëm një përshkrim të shkurtër me tekst. Sipas drejtuesit të Sora, Bill Peebles, rritja e përdorimit është “shpërthyese”, megjithëse aplikacioni është ende në fazë testimi dhe i aksesueshëm vetëm për përdoruesit e ftuar në Amerikën e Veriut.

Rritja e popullaritetit të Sora-s është shoqëruar me debate. Aplikacioni lejon përdoruesit të shpërndajnë me lehtësi videot e krijuara në rrjete sociale, gjë që ka sjellë një valë përmbajtjesh virale, përfshirë video me personazhe të ndjerë publikë si Michael Jackson dhe Tupac Shakur. Tre ditë më parë, Zelda Williams, vajza e aktorit të ndjerë Robin Williams, i kërkoi ndjekësve të mos i dërgojnë më video të krijuara nga AI me figurën e babait të saj – një apel që mediat e kanë lidhur drejtpërdrejt me popullaritetin në rritje të Sora-s. Një zëdhënës i OpenAI tha për median amerikane Axios se ekzistojnë “interesa të forta të fjalës së lirë” në lejimin e përdorimit të figurave historike, por shtoi se për personazhet publikë të ndjerë kohët e fundit, përfaqësuesit e tyre ligjorë mund të kërkojnë që pamjet e tyre të mos përdoren – pa sqaruar se çfarë kuptohet me “kohët e fundit”.

Lexo edhe: Irgen Kini, një CEO ndryshe: Teknologji me ndikim në jetën e njerëzve!

Përveç figurave publike, shumë video të krijuara nga përdoruesit e Sora përfshijnë personazhe nga filma, seriale dhe videolojëra, duke ngritur shqetësime të reja për shkelje të të drejtave të autorit. Në një video satirike të publikuar nga CNBC, vetë CEO i OpenAI, Sam Altman, shfaqet në formë “deepfake” bashkë me personazhe nga Pokémon, duke thënë me shaka: “Shpresoj që Nintendo të mos na padisë.” Në një tjetër video virale, Altman shihet duke “gatuar dhe ngrënë Pikachu-n” – një skenë që ka ndezur debatet rreth kufijve të etikës në gjenerimin e përmbajtjes. Deri më tani, Nintendo nuk ka njoftuar veprime ligjore, por shumë kompani të AI-së, përfshirë OpenAI, ndodhen tashmë në procese gjyqësore me autorë dhe krijues që pretendojnë se veprat e tyre janë përdorur për trajnimin e modeleve pa leje. Kostoja e këtyre përplasjeve është e madhe: kompania rivale Anthropic ra dakord të paguante 1.5 miliardë dollarë për të zgjidhur një padi kolektive të ngritur nga autorë amerikanë.

Në një postim të publikuar më 4 tetor, Sam Altman tha se kompania “po mëson me shpejtësi nga mënyra si përdoret Sora dhe po merr reagime nga përdorues, mbajtës të të drejtave dhe grupe të tjera të interesuara.” Ai shtoi se OpenAI do t’u japë mbajtësve të të drejtave të autorit më shumë kontroll mbi mënyrën se si përdoren personazhet e tyre dhe se kompania planifikon një model ndarjeje të të ardhurave në të ardhmen. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse mbajtësit e të drejtave do ta shohin përmbajtjen e krijuar me Sora si një formë të re të “fan fiction” interaktive, siç e përshkroi Altman, apo nëse kjo do ta çojë kompaninë në një përballje të gjatë ligjore.

bbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0