OpenAI ka njoftuar se versioni më i fundit i aplikacionit të tij të inteligjencës artificiale për gjenerimin e videove nga teksti, Sora, është shkarkuar mbi një milion herë brenda më pak se pesë ditësh, duke arritur këtë shifër më shpejt se vetë ChatGPT në momentin e lançimit të tij.
Aplikacioni, i cili ka arritur majat e renditjeve në Apple App Store në SHBA, krijon video 10-sekondëshe me pamje realiste duke përdorur vetëm një përshkrim të shkurtër me tekst. Sipas drejtuesit të Sora, Bill Peebles, rritja e përdorimit është “shpërthyese”, megjithëse aplikacioni është ende në fazë testimi dhe i aksesueshëm vetëm për përdoruesit e ftuar në Amerikën e Veriut.
Rritja e popullaritetit të Sora-s është shoqëruar me debate. Aplikacioni lejon përdoruesit të shpërndajnë me lehtësi videot e krijuara në rrjete sociale, gjë që ka sjellë një valë përmbajtjesh virale, përfshirë video me personazhe të ndjerë publikë si Michael Jackson dhe Tupac Shakur. Tre ditë më parë, Zelda Williams, vajza e aktorit të ndjerë Robin Williams, i kërkoi ndjekësve të mos i dërgojnë më video të krijuara nga AI me figurën e babait të saj – një apel që mediat e kanë lidhur drejtpërdrejt me popullaritetin në rritje të Sora-s. Një zëdhënës i OpenAI tha për median amerikane Axios se ekzistojnë “interesa të forta të fjalës së lirë” në lejimin e përdorimit të figurave historike, por shtoi se për personazhet publikë të ndjerë kohët e fundit, përfaqësuesit e tyre ligjorë mund të kërkojnë që pamjet e tyre të mos përdoren – pa sqaruar se çfarë kuptohet me “kohët e fundit”.
Lexo edhe: Irgen Kini, një CEO ndryshe: Teknologji me ndikim në jetën e njerëzve!
Përveç figurave publike, shumë video të krijuara nga përdoruesit e Sora përfshijnë personazhe nga filma, seriale dhe videolojëra, duke ngritur shqetësime të reja për shkelje të të drejtave të autorit. Në një video satirike të publikuar nga CNBC, vetë CEO i OpenAI, Sam Altman, shfaqet në formë “deepfake” bashkë me personazhe nga Pokémon, duke thënë me shaka: “Shpresoj që Nintendo të mos na padisë.” Në një tjetër video virale, Altman shihet duke “gatuar dhe ngrënë Pikachu-n” – një skenë që ka ndezur debatet rreth kufijve të etikës në gjenerimin e përmbajtjes. Deri më tani, Nintendo nuk ka njoftuar veprime ligjore, por shumë kompani të AI-së, përfshirë OpenAI, ndodhen tashmë në procese gjyqësore me autorë dhe krijues që pretendojnë se veprat e tyre janë përdorur për trajnimin e modeleve pa leje. Kostoja e këtyre përplasjeve është e madhe: kompania rivale Anthropic ra dakord të paguante 1.5 miliardë dollarë për të zgjidhur një padi kolektive të ngritur nga autorë amerikanë.
Në një postim të publikuar më 4 tetor, Sam Altman tha se kompania “po mëson me shpejtësi nga mënyra si përdoret Sora dhe po merr reagime nga përdorues, mbajtës të të drejtave dhe grupe të tjera të interesuara.” Ai shtoi se OpenAI do t’u japë mbajtësve të të drejtave të autorit më shumë kontroll mbi mënyrën se si përdoren personazhet e tyre dhe se kompania planifikon një model ndarjeje të të ardhurave në të ardhmen. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse mbajtësit e të drejtave do ta shohin përmbajtjen e krijuar me Sora si një formë të re të “fan fiction” interaktive, siç e përshkroi Altman, apo nëse kjo do ta çojë kompaninë në një përballje të gjatë ligjore.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.