Sokol Cahani, aktori hasjan që po ndriçon skenat botërore! - Business Magazine Albania

Sokol Cahani, aktori hasjan që po ndriçon skenat botërore!

Sokol Cahani nuk është thjesht një aktor, ai është një pionier dhe një ambasador i kulturës shqiptare në skenën ndërkombëtare. Me një karrierë të pasur që përfshin projekte prestigjioze si “House of the Dragon” dhe “Gangs of London”, Cahani përfaqëson me dinjitet dhe profesionizëm të papërshkueshëm jo vetëm talentin e tij individual, por edhe pasurinë kulturore të një kombi të tërë.

Rrugëtimi i Sokol Cahanit filloi në Krumë të Hasit, një vend që ai e përshkruan si një burim të pashtershëm frymëzimi. “Të rritesh në një krahinë me tradita të tilla është e pamundur të mos ndikohesh dhe pasurohesh si individ dhe si artist,” thotë aktori. Ëndrra për aktorin e magjepsur që në fëmijëri, u materializua falë një takimi të rastësishëm. “Një ditë rashë në kontakt me një regjisor që kishte ardhur nga qyteti i Kukësit për të parë se si po shkonin provat e një drame që ne si gjimnazistë merrnim pjesë. Ishte insistimi i tij që unë duhej të shkoja të konkuroja për në Shkollën e Aktrimit,” kujton Cahani. Ky insistim e çoi në sukses: “Fati e deshti dhe u pranova për të studiuar në Akademinë e Arteve, degë aktrim.”

Pas diplomimit në 1994, në një kohë turbulente për Shqipërinë, Cahani mori vendimin e vështirë për të emigruar. “Fillimisht shkova në Francë, ku nga andej doja të shkoja për në Kanada, por për disa arsye vendosa të udhëtoja për në Londër,” tregon ai me humor. “Tani, kur mendoj, do të ishte më mirë të qëndroja në vendin tim.” Sfidat e integrimit në një vend të ri ishin të mëdha. “Si çdo emigrant, edhe unë u përballa me sfida dhe vështirësi të mëdha: mësimi i gjuhës, punësimi, integrimi, etj… Gjeja e parë që të ndodh është që të rrëmben konfidencën, dhe kjo për një aktor është akoma më e rëndësishme,” shpjegon ai. Pika e kthesës erdhi nga bashkëshortja e tij e ardhshme. “Ajo më tha: ‘Pse nuk provon të kërkosh pune si aktor? Në fund të fundit, ti ke mbaruar për aktrim në Shqiperi’. Nga ai çast, fillova të ndërmarr hapat e parë konkrete,” shpjegon Cahani.

Lexo edhe: Daniel Blloshmi, mbështetës i DSA: Dhuro aq sa ke mundësi, për kauzën që ke më afër zemrës!

Rruga për të gjetur punë në këtë industri nuk ishte e lehtë. Cahani e përshkruan procesin si një mekanizëm shumë të rregullt dhe kompetitiv. “Që të punosh në aktrim, duhet të kesh një agent, të jesh anëtar i sindikatës së artistave (Equity), dhe të kalosh numër të panumërt audicionesh,” shpjegon ai. Përvoja e punës në produksione të mëdha i ka lënë një përshtypje të veçantë. “Gjeja që më bën më shumë përshtypje është disiplina dhe rregulli, që unë do ta krahasoja me rregullin dhe disiplinën në ushtri,” vlerëson aktori.

Karriera e Cahani në Britani të Madhe e ka çuar atë në disa nga produksionet më të njohura të kohës sonë.

• “House of the Dragon” (HBO): “Këtë vit, unë pata fatin të marr pjesë në ‘House of the Dragon’, një serial i HBO-s si pararojë i ‘Game of Thrones’. Një serial i njohur me karakter historik dhe i shikuar nga miliona persona,” shprehet me krenari aktori.

• “Gangs of London”: “Vitin që shkoi isha pjesë e ‘Gangs of London’. Unë luaja rolin e një prifti. Kjo ishte një surprizë e këndshme dhe e veçantë, sepse në shumicën e rasteve, aktorët e huaj me aksent u jepen role gangsterësh,” vlerëson ai.

• “Spider-Man: Far From Home”: Sipas bazës së të dhënave të Marvel Cinematic Universe, Cahani luajti rolin e një “Mob Boss” në këtë film të madh superherojsh.

• Roli Me Ngarkesë Emocionale: “Kam pasur fatin të punoj me regjisorin e ri Ben Perry, i cili më besoi rolin kryesor të një babai të detyruar të kryejë një vrasje për hakmarrje në Shqipëri, i cili pastaj largohet drejt Britanisë së Madhe bashkë me vajzën e tij të vogël. Si pasojë, zbulohet vendi ku jeton në MB, ku ai rrëmbehet nga një bandë në prani të vajzës së tij për ta eliminuar, duke e lënë vajzën të vetmuar në mes të katër rrugëve – siç themi ne në shqip – në një vend të huaj. Ky rol për mua pati një ngarkesë shumë të madhe emocionale.”- shprehet aktori.

Pavarësisht suksesit ndërkombëtar, Cahani nuk e ka humbur kurrë lidhjen me rrënjët e tij. Ai përshkruan Hasin si një burim të pashtershëm frymëzimi. “Që nga pamja mahnitëse e natyrës, e bjeshkëve madhështore dhe të egra, veshjeve tradicionale, këngëve epike e lirike, epove të kreshnikëve e deri te figurat e ndritura si Pjetër Bogdani, Pjetër Mazreku, etj., të gjitha më kanë dhënë një pasuri kulturore dhe thellësi shpirtërore të veçantë,” thekson aktori. Kjo lidhje e ngushtë me kulturën shqiptare shfaqet në angazhimin e tij aktiv në komunitetin shqiptar në Britani të Madhe, ku ai me pasion interpreton poezi të autorëve të mëdhenj. Cahani e sheh veten si një lidhje midis dy kulturave. “Si qytetar dhe si artist, mundohem të jap kontribut dhe shembullin tim pozitiv, si në angazhimin që kam me komunitetin shqiptar në Britani të Madhe, po ashtu edhe me kontaktet dhe marrëdhëniet me të huajt,” shprehet ai.

Për të rinjtë, sidomos ata nga Hasi, Cahani përdor fjalë frymëzuese. Këshilla ime do të ishte: “Nëse unë kam arritur, sado pak, dhe kam ardhur në një moshë madhore këtu, ata që kanë ardhur si të mitur dhe shumica kanë lindur këtu? Ata pra, i kanë të gjitha mundësitë për të arritur çdo gjë. Shembujt më klasik janë Rita Ora dhe Dua Lipa,” thotë ai me plotë besim.

Sokol Cahani është një figurë frymëzuese, një artist i cili, përmes qëndrueshmërisë, talentit dhe besimit të patundur në identitetin e tij, ka bërë udhëtimin simbolik nga malet e Hasit në produksionet më prestigjioze të botës. Ai është prova e gjallë se me pasion dhe këmbëngulje, ëndrrat më të mëdha bëhen realitet, duke kaluar edhe kufijtë më të largët.

PB

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Vazhdo të ecësh. Mund të pengohesh, por mos qëndro ulur.”
— Charles Kettering
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0