Ajo që na befason në secilën nga vilat e ndërtuara me shije është arkitektura, shartesë e traditës shqiptare dhe qyteteve Alpine të Evropës ku ka udhëtuar protagonisti i këtij destinacioni turistik.
Bashkimi i energjive dhe dijeve me babain e bashkëudhëtares së tij Manjolës, Kostandin Tavanxhiun bëri sintezën e Beratit dhe Burrelit. Tradita e dy familjeve shprehet në kulturën e shërbimit, kuzhinën shqiptare ashtu edhe mobilimin ose veshjen e brëndshme të mjediseve pritëse. Tryeza nis me byrekun me arra, një inovacion i gatimit i shpikur nga familja , vijon me pjatat me mish keci, zogj fshati dhe përsheshi me gjelin e detit, bugaçet dhe tavën e kosit firmato elbasanase.
Rrethuar me objektet e dekorit Kuq e Zi të Flamurit shqiptar , Kastrioti na tregon stendën e produkteve natyrale ku dallohen reçelërat e kajsisë, luleshtrydheve e ftoit, kompostot e frutave të pyllit, trahanatë e “Tre Bujtinave” e dy lloje likernash me thana e arra. Modestisht pranon se janë afro 200 familje në 1000 metra lartësi në Gjinar , të cilat punësohen në këtë resort me kohë të pjesshme përgjatë vitit.
Sipërmarrja e parë e tij është një fabrikë mobiljesh, të cilën e drejton prej vitesh në Elbasan.
Kastrioti thotë se “Tre Bujtinat” nisën për të argëtuar fillimisht në fundjavë vetë familjen. Vijues i rrugës së lartësive arbërore në Gjinar, prej nga është prejardhja e Gjergj Aranitit, (Princi që ndihmoi kryeheroin), megjithëse pengesat, si rrugë të pamirëmbajtura, apo mungesa herpas-here e energjisë elektrike tregohet i vendosur për të ecur përpara.
Trokitja “kuq e zi” e gotave me shurupin aperitiv të thanës, vjen si ftesë për Festat e Pavarësisë Kombtare e si thirrje drejtuar bashkombasit për të mbështetur njëri-tjetrin.
Shkrim nga Andi Bica, Beti Kumi
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto

