Vaksinat kundër COVID-19 kanë qenë thelbësore në reduktimin e ndikimit të pandemisë, duke parandaluar sëmundjet e rënda dhe vdekjet, si dhe duket se ofrojnë mbrojtje edhe kundër simptomave të gjata të COVID-it (long COVID). Megjithatë, disa individë kanë raportuar simptoma kronike që janë shfaqur menjëherë pas marrjes së vaksinës. Kjo gjendje e pakkuptuar mirë, e vazhdueshme dhe e njohur si sindroma post-vaksinale (PVS), ende nuk është e pranuar nga autoritetet shëndetësore dhe dimë shumë pak për mekanizmat e saj biologjikë.
Në një studim të ri, studiues nga Universiteti Yale kanë ndërmarrë hapat e parë për të karakterizuar këtë sindromë, duke zbuluar modele të mundshme imunitare që e dallojnë PVS nga gjendje të tjera. Gjetjet janë ende në fazë të hershme dhe kërkojnë konfirmim të mëtejshëm, por mund të çojnë drejt strategjive për diagnostikim dhe trajtim në të ardhmen. “Ky kërkim është ende në fazat e para dhe kemi nevojë ta verifikojmë më tej,” tha Akiko Iwasaki, profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë në Yale dhe bashkëautore e studimit të publikuar më 19 shkurt si preprint në platformën medRxiv. “Por po na jep shpresë që mund të kemi diçka për të ndihmuar në diagnostikimin dhe trajtimin e PVS.”
Simptomat më të zakonshme të PVS përfshijnë:
-
mungesë tolerance ndaj aktivitetit fizik,
-
lodhje ekstreme,
-
brain fog,
-
pagjumësi dhe
-
marramendje.
Këto simptoma shfaqen brenda një ose dy ditësh pas vaksinimit, përkeqësohen me kalimin e ditëve dhe vazhdojnë për periudha të gjata. Studime të mëtejshme janë të nevojshme për të kuptuar sa i përhapur është ky fenomen. “Është e qartë që disa persona po përjetojnë vështirësi serioze pas vaksinimit. Detyra jonë si shkencëtarë dhe mjekë është t’i dëgjojmë, të kërkojmë shkaqet dhe të gjejmë mënyra për t’i ndihmuar,” tha Harlan Krumholz, profesor i Mjekësisë në Yale dhe bashkëautor i studimit. Të dhënat për këtë studim vijnë nga studimi LISTEN (Listen to Immune, Symptom, and Treatment Experiences Now) i Universitetit Yale, i cili synon të kuptojë më mirë si COVID-in e gjatë, ashtu edhe PVS. Në këtë fazë, u përfshinë 42 pjesëmarrës me simptoma të PVS dhe 22 të tjerë pa simptoma post-vaksinale.
Lexo edhe:Pse BIC.al? Sepse koha kur mjaftonte të ishe “diku online” ka përfunduar.
Çfarë zbuluan studiuesit në analizat e gjakut të pjesëmarrësve?
-
Pjesëmarrësit me PVS kishin nivele më të ulëta të qelizave T efektore CD4+
-
dhe nivele më të larta të qelizave CD8+ që prodhojnë TNF-alfa — të dyja lloje qelizash të bardha të gjakut.
-
Gjithashtu, ata kishin më pak antitrupa ndaj proteinës spike të SARS-CoV-2, sidomos në rastet kur nuk kishin kaluar ndonjë infeksion me virusin. Kjo ndodh për shkak të dozave më të pakta të vaksinës që kishin marrë.
Zbulimi më befasues?
Disa individë me PVS, edhe pa pasur ndonjë infeksion të dokumentuar me COVID-19, kishin ende nivele të detektueshme të proteinës spike në gjak, më shumë se 700 ditë pas dozës së fundit të vaksinës. Zakonisht, kjo proteinë zhduket pas disa ditësh nga vaksinimi. “Ishte befasuese të zbulonim praninë e proteinës spike pas kaq shumë kohe,” tha Iwasaki. “Nuk mund të themi me siguri nëse kjo është shkaku i simptomave, por mund të jetë një ndër mekanizmat e sindromës.” Krumholz shtoi se PVS mund të jetë një pasojë e rrugëve të ndryshme biologjike, te një person për shkak të çrregullimeve imunitare, te një tjetër për shkak të riaktivizimit viral. Në vijim, ekipi i Yale synon të zgjerojë studimin me një grup më të madh pjesëmarrësish për të vërtetuar gjetjet.
Po ashtu, po heton shkaqe të tjera të mundshme si:
-
autoimuniteti,
-
dëmtimet e indeve dhe
-
riaktivizimi i virusit Epstein-Barr (EBV), i njohur për shkaktimin e mononukleozës.
Pjesëmarrësit me PVS kishin më shumë gjasa të tregonin shenja të riaktivizimit të EBV-së krahasuar me ata pa simptoma.
Një kuptim më i thellë i PVS mund të çojë në:
-
përmirësim të vaksinave me më pak efekte anësore,
-
metoda diagnostikuese më të sakta dhe
-
terapi të synuara, si për shembull përdorimi i antitrupave monoklonalë për të eliminuar proteinën spike nga trupi.
“Vetëm tani kemi filluar të kuptojmë PVS-in,” përfundoi Krumholz. “Çdo ndërhyrje mjekësore mbart rrezik, dhe është e rëndësishme ta pranojmë se mund të ndodhin efekte anësore. Qasja jonë duhet të mbetet e bazuar në shkencë rigoroze dhe me ndjeshmëri ndaj atyre që janë prekur.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.