Silicon Valley dhe fundi i punës njerëzore: A po përpiqen të na zëvendësojnë të gjithëve? - Business Magazine Albania

Silicon Valley dhe fundi i punës njerëzore: A po përpiqen të na zëvendësojnë të gjithëve?

Në zemër të Silicon Valley-t po konsolidohet një ide që deri dje tingëllonte si fantashkencë: automatizimi i plotë i ekonomisë, ku asnjë lloj pune njerëzore nuk do të jetë më e nevojshme. Kjo nuk është thjesht një frikë e largët, por një qëllim konkret i një grupi në rritje të elitës teknologjike , njerëz me fuqi, para dhe vendosmëri të madhe, që nuk i mungojnë as resurset dhe as ambicia.

Gazetari dhe studiuesi *Ed Newton-Rex tregon për një darkë në San Francisko ku një sipërmarrës, që ka shitur një kompani të inteligjencës artificiale për qindra miliona dollarë, u tha të pranishmëve se potenciali i AI nuk është të ndryshojë tregun e punës, por ta zhdukë atë krejtësisht. Sipas tij, duke zëvendësuar punonjësit e botës me makina dhe algoritme, fitimet që më parë shkonin për pagat, do të përqendrohen në duart e atyre që kontrollojnë teknologjinë.

Një nga shembujt më të hapur është kompania Mechanize, e cila nuk e fsheh misionin e saj për “automatizimin e plotë të ekonomisë” dhe ka tërhequr financime nga emra të njohur si Jeff Dean (shefi shkencor i Google) dhe podkasteri Dwarkesh Patel.

Po a është kjo ide vërtet e realizueshme? Figura të njohura si Elon Musk dhe Bill Gates besojnë se po. Musk parashikoi që “askush prej nesh nuk do të ketë një punë në të ardhmen”, ndërsa Gates mendon se njerëzit së shpejti nuk do të jenë të nevojshëm për “shumicën e gjërave”. Gjithashtu, Geoffrey Hinton – “babai i inteligjencës artificiale” – dhe miliarderi Vinod Khosla ndajnë të njëjtin qëndrim. Nuk janë zëra margjinalë – janë arkitektët e të ardhmes teknologjike.

Lexo edhe: Nga Piramida e Tiranës drejt së ardhmes: DREAMin’ & LEAPin’ 2025, ngjarja që bashkoi teknologjinë dhe lidershipin rinor

Edhe pse disa profesione ikonike si artistët, sportistët, politikanët apo figurat fetare mbeten për momentin jashtë rrezikut, pjesa dërrmuese e vendeve të punës, nga shkrimi e programimi, te logjistika dhe shitjet po zëvendësohen me ritme të shpejta. Teknologjitë si GPT-4 kanë kaluar me nota të larta provime juridike, ndërsa gjeneruesit e imazheve kanë reduktuar ndjeshëm kërkesën për dizajnerë. Në të njëjtën kohë, robotët humanoidë po testohen në fabrika si ato të BMW-së, dhe shumë kompani po planifikojnë të sjellin robotë edhe në shtëpitë tona.

Ajo që dikur quhej “inteligjencë artificiale e përgjithshme” (AGI) – pra një AI që kryen të gjitha detyrat mendore si një njeri – tashmë shihet si një realitet i afërt. Shefi i Google DeepMind, Demis Hassabis, thotë se mund të vijë brenda 5 deri në 10 vite.

Kjo panoramë ngre një pyetje thelbësore: pse po ndodh kjo dhe kush përfiton? Përgjigjja optimiste është se një ekonomi pa punëtorë mund të çojë në rritje të jashtëzakonshme ekonomike dhe përmirësim të jetës për të gjithë. Por historia ka treguar se përfitimet e përparimeve teknologjike nuk shpërndahen kurrë në mënyrë të barabartë. Më shpesh, ato përqendrohen në duart e pakicës që zotëron mjetet e reja të prodhimit.

Përgjigjja më cinike është ajo më e besueshme: bëhet fjalë për pushtet dhe fitim. Deri më sot, pavarësisht sa i fuqishëm ishte softueri, gjithmonë duheshin njerëz për të bërë pjesën më të madhe të punës. Por tani Silicon Valley sheh një mundësi për të kontrolluar jo vetëm teknologjinë, por të gjithë ekonominë – çdo proces, çdo industri, çdo punë.

Në një botë ku AI mendon dhe robotët veprojnë, ku mbetemi ne? Dhe më e rëndësishmja: a do të kemi ende rol, apo do të na lënë të papunë dhe pa ndikim?

 

*Ed Newton-Rex është themelues i organizatës jofitimprurëse Fairly Trained

The Guardian

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0