Si teknologjia e ndryshon mjetin e këmbimit dhe transferimin e vlerës? Një udhëtim nga monedhat metalike e deri në kripto-valutat - Business Magazine Albania

Si teknologjia e ndryshon mjetin e këmbimit dhe transferimin e vlerës? Një udhëtim nga monedhat metalike e deri në kripto-valutat

Si teknologjia e ndryshon mjetin e këmbimit dhe transferimin e vlerës? Një udhëtim nga monedhat metalike e deri në kripto-valutat.

Nga Elvis Shera

Ky artikull është pjesë e rubrikës javore “Edukimi Financiar”, ku eksplorojmë aspekte të ndryshme të ekonomisë dhe financave personale. Në këtë pjesë, kemi shqyrtuar si teknologjia e ndryshon mjetin e këmbimit dhe transferimin e vlerës. Në artikullin e ardhshëm, do të kalojmë nga paraja te valuta që përdorim çdo ditë dhe ku do të flasim për problemin më të madh të lidhur me valutën, që është inflacioni.. Nëse keni tema të tjera që dëshironi të trajtohen, mos hezitoni të na shkruani.

Të dashur lexues,

Në artikullin “Cilat janë karakteristikat e parasë”, folëm për karakteristikat që një objekt ose mall duhet të ketë që të përdoret si para. Pamë se në mijëvjeçarët e shkuar, ari dhe argjendi kanë mbajtur një rol dominant. Me argjendin si monedhë e përditshme për mallrat me vlerë të vogël dhe arin për mallrat me vlerë më të madhe. Sigurisht, në momentin që përfaqësimi i vlerës është përcaktuar, tregu kërkon mënyra efikase për ta transferuar vlerën. Ajo mënyrë që është më fleksibile dhe me më pak kosto adoptohet nga tregu. Për artikuj dhe postime më te detajuara, regjistrohuni në kanalin: Financiarisht i Pavarur

Monedhat metalike

Monedhat metalike janë fleksibile në ekonomi të përmbajtura dhe me volume tregtare relativisht të vogla. Për volume dhe në distanca të mëdha duhet një sasi e konsiderueshme ari. Transporti i të cilit përbën një problem në vetvete. Duhen mjete të transportit të sigurt dhe roje për ta mbrojtur atë. Pra, është i rrezikshëm. Do të ishte më mirë sikur ari të mos lëvizte nga vendi dhe njerëzit të transferonin titullin e pronësisë mbi arin nga njëra palë tek tjetra. Kjo do të ishte një hap përpara që do të ndihmonte në përshkallëzimin e tregtisë dhe zgjerimin e rezultatit ekonomik. Natyrisht, diçka e tillë mund të ndodhë nëse ekziston një mjet transporti i titullit që nuk mund të falsifikohet me lehtësi dhe që në të njëjtën kohë është i besueshëm. Pra, pala që do të lëshojë këto letra duhet të jetë e njohur dhe e besueshme.

Certifikatat si tituj pronësie

Këta tituj dolën në treg në momentin që ishte e mundur të printoheshin letra të cilësisë së lartë që mundësonin të mbanin brenda elementë sigurie, me vula të gdhendura në metale speciale dhe me motive të vështira për tu kopjuar.

Përveç motiveve të komplikuara, këto letra me vlerë kishin edhe numër serie dhe disa firma për tia rritur sigurinë. Është e qartë se komoditeti i qarkullimit të këtyre letrave me vlerë ishte shumë më i madh se të mbaje pasha të mëdha metalike.

Gjithashtu mund të udhëtoje tani pa pasur nevojë për transport special dhe në distanca të mëdha duke mbajtur një profil të ulët. Këmbimi i këtyre certifikatave i jepte pronësinë e arit që ato përfaqësonin palës që e merrte në këmbim. Problemi i vetëm i këtyre certifikatave ishte se pranoheshin vetëm nga bankat e të njëjtit grup.

Lexo edhe:Cilat janë karakteristikat e parasë?!

Valutat si certifikata universale

Për ta zgjidhur këtë problem, do të shkojmë te letra të tjera me vlerë, ato që njohim si kartëmonedha të printuara nga një qeveri dhe që kanë vlerë në të gjithë territorin e shtetit, siç e tregon figura e mëposhtme, ku kartëmonedha jepte të drejtën e 1 monedhe ari me peshë 1 once (gati 31 gram ar).

Kartëmonedhë – Certifikatë ari. 20 dollarë

Është e qartë se adoptimi i një letre me vlerë të tillë, që është e vështirë për t’u falsifikuar dhe që përfaqëson një titull pronësie mbi një sasi ari, është shumë i shpejtë. Ajo i jep tregut fleksibilitetin dhe shpejtësinë e këmbimit duke ulur në të njëjtën kohë kostot e transportit dhe rrezikshmërinë e transportit me vlerë të lartë.

Një nga karakteristikat e tregut është se ai nuk do të limitohet në kohë dhe në hapësirë. Kjo do të thotë se nëse ekzistojnë metoda për ta bërë tregtinë dhe pagesat në distancë, me telefon ose nëpërmjet një kompjuteri siç është rasti i blerjeve online, atëherë këto mundësi tregu do t’i adoptojë.

Kartat e Kreditit/Debitit

Dalim pra te një metodë tjetër e pagesave, ajo me kartat e kreditit dhe debitit. Nëpërmjet këtyre kartave është e mundur blerja në distancë, me telefon, në internet ose tërheqja e cash-it në vende larg rezidencës. Sigurisht, fakti që nuk është më e nevojshme të marrësh shumë cash me vete në portofol, dhe me elemente sigurie të shtuara, është një komoditet për çdo individ.

Një avantazh tjetër që kartat e kreditit japin është mundësia e pagesave të vonuara në kohë (në fund të muajit), duke incentivuar kështu rritjen e konsumit. Nga ana tjetër, hyrja e pagesave elektronike sjell një problem tjetër të ri: problemin e privatësisë.

Online dhe Mobile Banking

Ndonëse kartat e kreditit apo debitit përbëjnë një hap shumë të rëndësishëm në pagesat elektronike, akoma më i rëndësishëm është Online banking ose Mobile banking. Tashmë nëpër telefona është e mundur të aksesohet direkt llogaria bankare dhe të bëhen pagesa direkte dhe pa kaluar nga kartat. Aplikacionet e reja si Mobile Wallets mbajnë të dhënat e kartave dhe antenat NFC tashmë janë të pranishme në smartphone dhe telefoni juaj bën dhe punën e një dispositivi POS. Pra mund të përdoret për pagesa. Në shumë shtete tashmë pagesat me telefon janë të rendit të ditës dhe gjithmonë e më shumë shohim start-ups të impenjuara në krijimin e teknologjive të pagesave gjithmonë e më shumë të sofistikuara. Shembuj janë PayPal, CashApp, Stripe, etj.

Online dhe mobile banking dhe të gjitha format e tjera pagesash, të mundësuara nga shoqëritë që punojnë në këtë drejtim (fintech), kanë bërë të mundur shtrirjen e pagesave edhe në vende ku prezenca e bankave si institucione nuk është aq e shtrirë.

Privatësia e pagesave dhe kontrolli i centralizuar

Pagesat elektronike janë të shpejta, efikase dhe me kosto të ulëta, por çdo transferte është e regjistruar. Pra, jo vetëm palët e këmbimit janë të identifikuara, por edhe malli apo shërbimi dhe arsya e transferimit. Kjo mundëson institute financiare të analizojnë zakonet periodike të individëve dhe ti përdorin ato për marketing. Ndoshta dhe për arsye të tjera.Gjithashtu, të dhënat janë private sipas ligjit por mund të ndodhë që regjistrat mund të hakohen dhe këto informacione të dalin në publik. Nje arsye tjeter shqetesimi është se të gjitha këto pagesa elektronike, duke qenë të centralizuara, mund të bllokohen për arsye të ndryshme. Për shembull, kontrollet për pastrimin e parave ose qasje totalitare të shteteve ose qeverive të ndryshme.

Pavarësisht shqetësimeve të ndryshme, tregu e ka barazpeshuar komoditetin e pagesave elektronike me arsyet për shqetësim por tregu nuk flen dhe është gjithmonë në kërkim të zgjidhjes ideale dhe nëse do të kishim një mënyrë tjetër elektronike ku nuk do të kishim problemin e privatësisë dhe sistemi do të ishte i decentralizuar, pra pagesat nuk do të mund të bllokoheshin, atëherë ky sistem do të bëhej sistemi dominant duke mos pasur pika të dobëta.

Kriptovalutat. E ardhmja e pagesave dhe e transferimit të vlerës

Vitet e fundit, kemi qenë dëshmitarë të një teknologjie të re të bazuar mbi blockchain dhe kriptografinë. Këto janë kriptovalutat, ose një sistem direkt pagesash nga një palë te një palë tjetër, pa pasur nevojë për një institucion ndërmjetës si bankat. Ajo që i bën atraktive kriptovalutat është se ato kanë të gjitha avantazhet e pagesave elektronike si shpejtësia dhe kostot e ulëta, dhe ofrojnë privatësi dhe decentralizim. Pra, rikthejnë disa nga karakteristikat e dëshiruara të përdorimit të cash-it. 

Sektori i kriptovalutave është akoma në konsolidim dhe çdo ditë krijohen shumë prej tyre. Tregu do të vendosë se cili prej tyre i plotëson më së miri kushtet. Ndoshta e ardhmja do të jetë jo vetëm me një kriptovalutë, por me disa prej tyre të përdorura për arsye të ndryshme. Meriton të përmendim këtu që Bitcoin është një nga monedhat me probabilitet më të madh për t’u adoptuar nga tregu.

Mos harroni të na ndiqni në artikujt e ardhshëm, ku do të kalojmë nga paraja te valuta që përdorim çdo ditë dhe ku do të flasim për problemin më të madh të lidhur me valutën, që është inflacioni.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0