“Isha 33 vjeç, me eksperiencë trevjeçare dhe nuk kisha punuar kurrë në industrinë e teknologjisë”, thotë Bock. “Kishte shumë shenja që sugjeronin që Google nuk duhet të më kishte punësuar mua”.
Në dekadën që pasoi, Bock do të bënte emër si njeriu që qëndronte prapa avancimeve inovative të burimeve njerëzore në Google, të cilat janë përsëritur në të gjithë industrinë e teknologjisë dhe më gjerë. Gjatë kohës që ai punoi në Google, kompania mori mbi 100 çmime individuale për “punëdhënësin më të mirë” dhe në vitin 2010, Bock u emërua “Ekzekutivi i Vitit i Burimeve Njerëzore ” nga HR Resources Magazine.
“Kriteret për pranimin e kandidatëve sot janë shumë më pak të rëndësishme sesa kanë qenë më herët dhe kompanitë po bëjnë gjithnjë e më tepër përjashtime nga kriteret”, shton Bock. Ai ka shkruar libra bestseller rreth qasjes së tij ndaj burimeve njerëzore. Që prej largimit nga Google në vitin 2016, themeloi Humun Inc-një biznes që synon të përmirësojë përvojën e punonjësve.
Punëdhënësit kohë më parë mund t’i kenë marrë seriozisht kriteret minimale, por tani 84% e kompanive janë të gatshme të punësojnë dhe trajnojnë një kandidat që nuk i posedon aftësitë e kërkuara, sipas një studimi të kohëve të fundit nga Robert Half. Studimi gjithashtu konstatoi se 42% e aplikantëve në një listë pune të caktuar nuk i plotësojnë kriteret, por 62% e të punësuarve u është ofruar një pozicion për të cilin ata realisht nuk janë të kualifikuar.
“Duke u bazuar në studime të shumta, ju duhet të aplikoni për një vend pune edhe në qoftë se ndiheni të pakualifikuar”, thotë Paul McDonald, një bashkëpunëtor me Robert Halfin.
Ka disa mënyra sesi ata që nuk i përmbushin plotësisht kriteret mund t’i rrisin shanset e tyre për punësim.
Aplikoni, aplikoni, aplikoni përsëri
Të dy, Bock dhe McDonald besojnë se me lehtësimin e paraqitjes së një aplikimi online, nuk ka asnjë arsye për kandidatët që nuk ndihen të kualifikuar të mos dërgojnë një aplikim.
“Bazuar në një anketë dhe në atë që po shohim nga Robert Half në treg, nëse i plotësoni një pjesë të kualifikimeve, mos ngurroni të aplikoni”, thotë McDonald. “Si një aplikant, absolutisht ia vlen që të provoni fatin tuaj, sepse nuk ju kushton asgjë”, shton Bock.
Ata që dërgojnë aplikacione pa marrë përgjigje mund të dekurajohen me kalimin e kohës, por Bock beson se nuk ka arsye për të ndaluar aplikimin, edhe nëse nuk merrni ndonjë reagim. “Aplikoni dhe riaplikoni në mënyrë periodike”, thotë ai.
Përdorni lidhjet që keni
Një nga mënyrat më të mira për t’u marrë parasysh kur nuk kualifikoheni për një vend pune është nëpërmjet një rekomandimi personal. Bok beson se aplikantët duhet gjithmonë të kërkojnë lidhje brenda rrjetit të tyre sa herë që aplikojnë për një punë. “Duhet të përpiqeni të gjeni dikë që mund të thotë një fjalë të mirë për ju”, thotë ai. “Në fund të ditës, të kesh dikë në të cilin mund të mbështetesh, është esenciale”.
Mbështetuni në aftësitë tuaja
Kandidatët që nuk i plotësojnë të gjitha kërkesat teknike mund të fitojnë vendin e punës duke demonstruar disa nga aftësitë e tyre “speciale”.
“Aplikantët duhet të lënë një përshtypje të fortë duke i vënë në pah rezultatet e tyre të kaluara dhe gatishmërinë për të mësuar”, shpjegon McDonald. “Kjo është kritike.”
Mos gënjeni
Kur vjen puna për të aplikuar për një punë përtej nivelit tuaj të kualifikimit, është më e rëndësishme të jesh i sinqertë në lidhje me aftësitë që ke dhe ato që nuk i ke. Për shembull, nëse një punëdhënës po kërkon dikë me pesë vjet përvojë pune, mos thuaj se i ke 5 vjet përvojë. Por nëse kërkohet dikush me 5 tipare kryesore, në rend të parë mund t’i përmendni tre aftësitë që posedoni, pa vënë në dukje se nuk i keni dy të tjerat.
Besojini vetes
Nëse kandidatët asnjëherë nuk aplikojnë për vendet e punës për të cilat nuk janë plotësisht të kualifikuar, askush nuk do të ishte në gjendje të avanconte karrierën pa një promovim të drejtpërdrejtë nga punëdhënësi i tyre ekzistues, thotë Vicki Salemi, eksperte e karrierës.
Ajo shpjegon se sot shumica e avancimeve të karrierës ndodhin kur një kandidat është i punësuar për një rol të avancuar që kurrë nuk e ka mbajtur më parë. Prandaj, aplikuesit kurrë nuk duhet ta konsiderojnë këtë si të pamundur.
“E gjithë çështja e kërkimit të një pune është që të dilni jashtë zonës suaj të rehatisë. Të përparoni në karrierën tuaj dhe të merreni me diçka që ju sfidon”- thotë ajo. Bok shton se shumë kandidatë nuk aplikojnë për vendet e punës për të cilët ata mendojnë se janë të pakualifikuar, kur në të vërtetë ata mund të jenë kandidat të fortë.
“Vetëm besoni te vetja, sepse shumica e njerëzve që përfundojnë duke u punësuar nuk janë plotësisht të kualifikuar”, thotë ai. “Duhet të vazhdoni përpara dhe të luftoni. Mos hiqni dorë dhe mos u dekurajoni; është vetëm një lojë numrash”.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.