Si mbërriti uji "Lajthiza" në tregun e Emirateve të Bashkuara Arabe

Si mbërriti uji “Lajthiza” në tregun e Emirateve të Bashkuara Arabe


Uji “Lajthiza” tashmë eksportohet nga Shqipëria në Emiratet e Bashkuara Arabe. Eksportimi bëhet nga kompania “Pixel Trading”, bashkë-themelues i së cilës është i riu shqiptar, Flamur Pervana.  Në një intervistë për BusinessMag, Flamuri na tregon se si lindi ideja e këtij biznesi, si e kanë pritur klientët në Emirate ujin “Lajthiza” dhe cilat janë planet e ardhshme të tij.

Flamur, ju jetoni dhe punoni në Dubai. Si ka nisur rrugëtimi juaj aty?

Pas studimeve në degën e Administrim Biznesit, kam aplikuar për punë në Emiratet e Bashkuara Arabe në vitin 2017. Viti i parë në Dubai nuk ishte siç e prisja, pasi kultura dhe njerezit janë të ndryshëm nga çfarë isha mësuar deri në atë moment, pa përmendur këtu kushtet e punës, që ishin të vështira. Puna e parë, që kam bërë nuk ishte ajo çka doja të bëja, por qëllimi ishte të shfrytëzoja çdo mundësi, që më jepej që të arrija aty ku doja.

Ju jeni bashkë-themelues i kompanisë Pixel Trading, e cila importon ujin “Lajthiza” në Dubai. Si lindi ideja e këtij biznesi?

Idenë e importit të produkteve shqiptare në Emirate e kam patur që para se të vija në Dubai dhe produkti i parë, që më erdhi në mendje kur mendova për produkte cilësore shqiptare, ishte uji “Lajthiza”. Kështu, pasi krijova kontaktet e nevojshme e prezantova si ide biznesi. Pasi vendosëm të vizitojmë fabrikën dhe vendin ku buron uji “Lajthiza” me partnerin tim Humaid ai u mahnit. Pas atij udhëtimi u kthyem në Dubai dhe themeluam kompaninë “Pixel Trading”, pikërisht për importin e këtij produkti.

Tani jemi në gjendje të shohim dhe produkte të tjera, që kanë potencial për t’u importuar në Emirate dhe jo vetëm.

uji "Lajthiza"

Prej sa kohësh uji “Lajthiza” është pjesë e tregut në Emiratet e Bashkuara?

Uji “Lajthiza” ka filluar të importohet në Emirate që në prill të vitit 2019. Por përgatitjet e nevojshme për importin e tij kanë filluar shumë më herët, pasi është produkt i konsumit të përditshëm dhe ka procedurë certifikimi më komplekse se produktet e tjera. Megjithatë, falë cilësisë së ujit ”Lajthiza” i kemi kaluar me sukses të gjitha testet e nevojshme për importin e tij, përfshirë këtu certifikimin e institutit të mirënjohur gjerman “Fresenius”.

Si arritët të depërtonit në tregun e Dubait?

Një treg internacional me 200 nacionalitete të ndryshme si ai i Dubait, është gjithmonë i uritur dhe mikpritës për produkte të reja dhe cilësore. Konkurrenca nga kompanitë e mirënjohura botërore, për ne është një nder sepse e konsiderojmë veten të denjë përballë tyre. Cilësia e ujit “Lajthiza” është e padiskutueshme dhe e pamohueshme. Kjo bën që çdo konsumator, që e provon si produkt për herë të parë ta kërkojë përsëri. Bashkëpunimi ynë me partnerë strategjikë në fushën e distribucionit na ka dhënë avantazhin që të jemi prezentë në disa nga ambientet më të dëshiruara, nga bizneset e së njëjtës fushë.

Cilat janë disa nga bizneset / veprimtaritë ekonomike që furnizoni?

Disa nga klientët tanë, për të cilët jemi më krenarë që bashkëpunojmë  janë: “YAMANOTE ATELIER” me mbi 20 pika të ndryshme jo vetëm në Dubai, por në të gjithë Emiratet e Bashkuara.

“ROTANA HOTELS & RESORTS”, të cilët kanë një portofol me mbi 100 prona në 26 qytete të ndryshme, por ne bashkëpunojmë momentalisht vetëm me pronat që ndodhen ne Emirate.

“DUBAI WORLD TRADE CENTRE” është një nga klientët tanë më të rëndësishëm.

Dhe pika të ndryshme supermarketesh.

Jemi gjithashtu në bisedime e sipër për t’u bërë pjesë e produkteve, që shiten në rrjetin e mirënjohur ndërkombetar “CARREFOUR”.

uji "Lajthiza"

Si e kanë pritur klientët “Lajthizën”?

Feedback-u ka qenë shumë pozitiv që nga fillimi. Duke qenë se vendet arabe për shkak të pozitës së tyre gjeografike nuk kanë burime natyrore uji të pijshëm, një ujë natural mineral siç është “Lajthiza” ka qenë i mirëpritur dhe shumë i pëlqyer.

A keni pasur bashkëpunime me komunitetin shqiptar në Dubai?

Komuniteti shqiptar ne Dubai nuk është shumë i madh, jo më shumë se 2000 persona. Megjithatë, sigurisht që çdo shqiptar, që ndodhet në Emirate ndihet krenar që një produkt i yni përfaqëson Shqipërinë aq denjësisht me cilësinë e tij.

Ambasadori i Shqipërisë në Emirate, z. Ermal Dredha, veçanërisht ka qenë një nga personat, që na ka ndihmuar me të gjitha mundësite e tij dhe për këtë jemi shumë mirënjohës si kompani, por edhe unë si Flamur Pervana personalisht.

Cilat janë synimet tuaja për të ardhmen e biznesit tuaj?

Tregu i ujit të ambalazhuar në vendet arabe është gjithmonë e më shumë në rritje. Vizioni ynë si kompani është që ta bëjmë ujin “Lajthiza”, një nga markat e ujërave mineralë më të njohur në të gjithë Lindjen e Mesme dhe jo vetëm.

“Pixel Trading” është gjithashtu në kërkim të produkteve dinjitoze, që mund të tregtohen në këto vende. Qëllimi ynë është të diversifikojmë portofolin tonë me sa më shumë produkte të ndryshme jo vetëm nga Shqipëria, por edhe jashtë saj.

“Illyria Motors” është një nga projektet tona të rradhës, që ka të bëjë me eksportin e mjeteve të ndryshme motorrike (makina,motorra,skafe) nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Shqipërisë dhe jashtë saj.

Së fundi, a mund të ndani me ne një këshillë për të arritur sukses?

Suksesi është subjektiv. Njerëz të ndryshëm kanë qëllime të ndryshme në jetë dhe mendime të ndryshme se çfarë është suksesi në jetë.

Për mendimin tim sekreti i suksesit në biznes është: Këmbëngulja dhe durimi.

Asgjë në botë nuk mund ta zëvendësojë këmbënguljen dhe durimin. As talenti, as shkollimi nuk janë përcaktues të suksesit. Bota është plot me njerëz të shkolluar dhe të talentuar, por që janë të pa-suksesshëm në biznes.

Nuk po them që leximi është i panevojshëm. Përkundrazi mendoj që leximi dhe edukimi personal është ë domosdoshëm për çdo njeri, që kërkon suksesin.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0