Si ka ndikuar pandemia këto dy vite tek rinia? - Business Magazine Albania

Si ka ndikuar pandemia këto dy vite tek rinia?

rinia

Në të gjithë botën janë dyfishuar sëmundjet psikike në këto dy vite pandemie. Edhe vetëvrasjet janë shtuar, sidomos mes të rinjve. Henning Rösner veproi menjëherë pas përkeqësimit të gjendjes.

Nga pandemia kanë vuajtur këto dy vite shumë njerëz, një pjesë ishte e rrezikuar seriozisht nga virusi, të tjerë për shkak të problemeve financiare. Por, sidomos për të rinjtë që nuk mund të takonin miqtë, u desh të përballen me mbylljet e njëpasnjëshme dhe mbylljen e aktiviteteve të kohës së lirë, këto kanë qenë kohë të vështira. Henning Rösner është një student që vuan nga atakë paniku që nga koha e pandemisë.

Historia e studentit 21 vjeçar

Ai e ndjen frikën sidomos, kur ndodhet mes njerëzve. Aty e ndjek një presion i brendshëm, ta ketë mirë me të gjithë, të pëlqehet nga të gjithë, të jetë i pranuar nga të gjithë! Që në moshën 15 vjeç, Henning filloi të kishte probleme kur gjendej me të tjerët në grup, por këtë verë për herë të parë pati goditje të fortë paniku. “Zakonisht ke ndjesinë, se do të duhet të vjellësh menjëherë. Të përzihet, dridhesh, të kapin drithma. Je si…po në rastin tim, unë isha shtrirë në shtrat, as nuk mund të lëvizja dhe as nuk qetësohesha dot. Vërtet që të duket se humb lidhjen me veten, thjesht për shkak se ndjehesh i strapacuar”, rrëfen ai.

Po si ndodhi shpërthimi i panikut? Në muajt para atakut të panikut, 21-vjeçari kishte kaluar shumë kohë në shtëpi. Ardhja e pandemisë në fillim nuk iu duk ndonjë problem i madh Henningut. Ai mendoi, se ishte mirë, që nuk takohej me njeri, nuk duhej të shkonte në universitet, presioni social ra. Por papritur filloi të ndihet shumë herë më keq se më parë. “Besoj vërtet, se fakti që u zbeh jeta sociale e bëri edhe më të vështirë që të përshtatesha verën e kaluar, kur u liruan kufizimet. Ndoshta prej kësaj, u shtuan gjendjet e nervozizmit shumë më keq se më parë”, thotë Henning.

Lexoni: Keqinformimi, shëndeti mendor dhe metaverse: një vit “i trazuar” për mediat sociale

Shtimi në nivel botëror i sëmundjeve psikike

Studenti 21 vjeçar ka një të përbashkët me shumë të rinj të tjerë gjatë pandemisë. Ata kaluan shumë kohë në shtëpi duke “lundruar” gjithë ditën nëpër një botë perfekte mediash sociale. Ndërkohë, tani po dalin në dritë pasojat e izolimit: Numri i të rinjve me simptoma depresive është rritur ndjeshëm në Gjermani në vitet e pandemisë. Sipas “Der Spiegel”, sëmundjet psikologjike në të gjithë botën janë shtuar. Revista e njohur i referohet profesores, Meryam Schouler-Ocak, kryemjeke e Klinikës Psikiatrike të Spitalit Charite St. Hedvig.

“Metaanalizat të thonë, se në të gjithë botën mesatarisht janë më shumë se dyfishuar simptomat depresive, problemet me frikën dhe pagjumësinë si edhe probleme post-traumatike në pandemi”, thotë Schouler-Ocak. Edhe sjellja vetëvrasëse është rritur ndjeshëm gjatë pandemisë, sidomos mes studentëve. Schuler-Ocak e lidh këtë me izolimin e vetminë, sidomos tek ata të rinj që kanë shkuar në një vend tjetër për studime. “Njerëzit kanë nevojë për lidhje, kontakte, prekje. Kur kjo nuk është e mundur ata vuajnë”, thotë ekspertja. Edhe frika nga e ardhmja shton dëshpërimin; kështu vetëvrasja është arsyeja kryesore e vdekjes tek djemtë e rinj në Spanjë.

Henning vendosi të kërkojë ndihmë. “Këtë gjendjen e pambrojtur, pafuqisë nuk e doja më. Nuk doja të bija sërish në pagjumësi, e dija, se nuk isha mirë. Prandaj shkova tek mjeku familjar”, thotë ai. Ndërkohë studenti ka filluar me terapinë, dhe flet hapur për problemet e tij. “Është vërtet e çuditshme, që pjesërisht kur flet për këtë me të tjerët, dëgjon pak a shumë të njëjtat probleme. Edhe ata fillojnë të tregojnë, e vërtet ndjehesh pak më mirë, kur kupton, se nuk je vetëm. Nuk do të thotë se ke vdekur shpirtërisht, kur ke një depresion. Kjo mund të prekë edhe njeriun më gazmor.”

Një gjë e ka mësuar Henning nga pandemia. Kur ajo të marrë fund, ai dëshiron ta shijojë jetën me sa më shumë miq. Përgatitjen për këtë po e bën që tani: çdo javë një seancë terapie!

/dw

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0