Komunikatat për shtyp nuk kanë qenë gjithmonë digjitale. E para u shkrua në vitin 1906 nga një pionier i PR-it, Ivy Lee. Pas një aksidenti të madh hekurudhor në SHBA, ai hartoi një deklaratë me shkrim dhe e dorëzoi personalisht tek gazetarët që ata të raportonin saktë ngjarjen. Me kalimin e kohës, komunikatat kaluan nga letra, në faks, më pas në email.
Tashmë, mbi njëqind vjet më vonë, ato janë plotësisht digjitale. Optimizohen për motorët e kërkimit, publikohen online dhe shpërndahen në të gjithë rrjetin. Por, me mbi dhjetë mijë komunikata që dalin çdo ditë, shumica thjesht shpërfillen. Pse? Sepse janë shumë të gjata, të mbushura me fraza boshe dhe të ftohta. E vërteta është se një komunikatë e mirë për shtyp ka ende fuqi. Mund të rrisë dukshmërinë e markës suaj, të sigurojë mbulim mediatik, të sjellë lidhje të vlefshme (backlinks), madje edhe klientë të rinj — nëse dini si ta shkruani saktë.
Ja si të shkruani një që jep rezultate në vitin 2025.
1. Filloni me një titull që tërheq vëmendjen
Titulli është shansi juaj i vetëm për ta bërë dikë të ndalet dhe ta lexojë. Keni vetëm disa sekonda që të bëni përshtypje. Prandaj shmangni fjalët bombastike dhe bëhuni konkret. Mbajeni të shkurtër, të qartë dhe të orientuar drejt rezultatit.
Shembull:
Në vend që të shkruani: “Kompania XYZ njofton zgjerim produktesh në Europë”, shkruani:
“XYZ zgjerohet në 5 qytete të reja pas rritjes së madhe në fillim të 2025.”
Në vend të: “Startup-i lançoi një platformë të fuqizuar nga AI për bizneset”, provoni:
“Mjeti i ri me AI ndihmon bizneset të ulin kostot e suportit me 40%.”
E kuptoni ndryshimin? E para është e paqartë dhe e mërzitshme. E dyta është konkrete dhe nxit kuriozitetin.
2. Shkruani si njeri, optimizoni si profesionist
Një titull i mirë nuk mjafton , pjesa tjetër e tekstit duhet të mbajë interesin gjallë. Shkruani me gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme. Pa zhargon. Pa zbukurime. Jepni informacionin që ka rëndësi, siç do ta tregonit në një bisedë normale. Në të njëjtën kohë, mendoni për motorët e kërkimit. Përdorni fjalë kyçe që lidhen me industrinë apo njoftimin tuaj, por pa i tepruar. Shkruani natyrshëm. Përdorni nëntituj, paragrafë të shkurtër dhe citime për ta ndarë tekstin. Dhe mbajeni të shkurtër. Deri në 800 fjalë është ideal. Mjafton për të treguar historinë, pa lodhur lexuesin.
3. Mos e shpërndani në shumë vende — shpërndajeni në formë të zgjuar
Gabimi më i madh që bëjnë njerëzit me komunikatat? I dërgojnë gjithkujt. Kjo është rruga e sigurt drejt dosjes Spam. Në vend të kësaj, krijoni një listë të shkurtër dhe të saktë gazetarësh që mbulojnë industrinë tuaj. Lexoni artikujt e tyre të fundit. Përmendini në emailin tuaj. Tregoni pse kjo histori i intereson pikërisht atyre. Dhe nëse doni të shkoni një hap më tej, ofrojuni akses të parakohshëm — para se të publikohet komunikata. Bëjini të ndihen si partnerë, jo si emra në një listë Excel. Nëse nuk keni kohë apo kontakte, bashkëpunoni me një agjenci PR që i ka këto lidhje. Ata e dinë kë të kontaktojnë, kur dhe si.
4. Shpërndajeni me qëllim
Publikimi është vetëm fillimi. Pasi ta keni publikuar, shpërndajeni në blogun e kompanisë. Postojeni në rrjetet sociale — LinkedIn, X , Reddit, madje edhe në komunitete si Discord apo Slack nëse janë të përshtatshme. Tag-oni njerëz, përmendni partnerët, dhe përdorni një version më të shkurtër dhe më të lehtë për t’u lexuar për të tërhequr vëmendjen. Dërgojeni edhe me email tek ndjekësit tuaj, me një shënim të shkurtër pse është e rëndësishme. Dhe po, merrni në konsideratë dhe shpërndarjen e paguar, sidomos në portale të specializuara të industrisë suaj.
A ka ende vend për komunikatat për shtyp në kohën kur gazetat po zhduken?
Po, por vetëm nëse e bëni ndryshe.
Komunikatat për shtyp nuk kanë vdekur. Por ato të mërzitshmet, po. Nëse doni të bëni diferencën në vitin 2025, duhet të mendoni ndryshe. Filloni me një titull goditës. Shkruani thjesht e qartë. Dërgojeni tek njerëzit e duhur. Dhe mos e lini me kaq — përhapeni sa më shumë.Një komunikatë e mirë nuk është thjesht një njoftim. Është një mjet për të hapur dyer, për të zgjuar interes dhe për të ndërtuar vrullin e rritjes.
Bëjeni tuajën të vlejë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto