Takimet janë një nga “vrasësit” më të mëdhenj të kohës në botën e biznesit. Vetëm në SHBA, kompanitë humbasin mbi 37 miliardë dollarë në vit nga takime të panevojshme. Por për CEO-n e Snowflake, Sridhar Ramaswamy, takimet nuk janë ritual, janë mjet pune. Dhe nëse nuk funksionojnë, nuk zhvillohen.
Snowflake, platforma cloud e të dhënave me vlerë tregu 76 miliardë dollarë, nisi më herët këtë vit të monitorojë në nivel kompanie numrin e telefonatave dhe takimeve fizike, me synimin për të rritur efikasitetin. Tani, Ramaswamy ka zbuluar publikisht filozofinë e tij për takime që respektojnë kohën dhe prodhojnë vendime.
“Takimet janë si burokracitë,” thotë ai. “Të gjithë i urrejmë burokracitë, përveç tonave.”
Rregulli nr. 1: Pa axhendë, s’ka takim
Ky është kushti i panegociueshëm për Ramaswamy-n. Çdo takim duhet të ketë axhendë dhe materiale të shpërndara paraprakisht. Në të kundërt, ai thjesht nuk merr pjesë.
“Unë nuk shkoj në takime pa axhendë dhe dokumente të publikuara më parë,” shprehet ai.
Si njeri që zgjohet herët, CEO i Snowflake përdor orarin 05:00–07:00 të mëngjesit për të lexuar materialet dhe për t’u përgatitur për diskutimet e ditës. Pas çdo takimi, kërkon shënime me shkrim, duke e kthyer çdo mbledhje në një proces të dokumentuar dhe të gjurmueshëm.
Rregulli nr. 2: Çdo takim duhet të ketë një qëllim të qartë
Për Ramaswamy-n, takimet nuk bëhen “për të shënuar prezencën” apo për të informuar në mënyrë pasive. Çdo mbledhje duhet të ketë një qëllim konkret dhe një këndvështrim të qartë mbi temën që diskutohet.
Ai këmbëngul gjithashtu që në sallë të jenë njerëzit e duhur, jo sa më shumë njerëz të jetë e mundur.
“Takimet nuk duhet të shërbejnë për prestigj apo për të qenë ‘në dijeni’,” thekson ai.
Rregulli nr. 3: Diskutim, jo lexim faktesh
Takimet, sipas tij, nuk janë vend për të lexuar informacione që mund të dërgohen me email. Faktet mund të lexohen individualisht; takimet janë për interpretim, debat dhe vendimmarrje.
Ai i kushton vëmendje të veçantë shmangies së dominimit të bisedës nga një apo dy persona, duke inkurajuar diskutime të hapura dhe perspektiva të ndryshme.
Rregulli nr. 4: Mbaro sa më shpejt
Ramaswamy e pranon se ndihet “i paduruar” në takime. Prandaj, sapo objektivi arrihet, takimi përfundon menjëherë.
Nëse arrihet ajo që ai e quan “sukses i lavdishëm”, pra një vendim i qartë dhe i përbashkët, ai u kërkon pjesëmarrësve të largohen pa humbur asnjë minutë më shumë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.