Si do të njihen vitet e punës për pensionet para vitit 1994? - Business Magazine Albania

Si do të njihen vitet e punës për pensionet para vitit 1994?


Punonjësit e ish-ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtarët e kooperativave bujqësore nuk do t’i drejtohen më gjykatave për vitet e punës, për të cilat nuk kanë dokumente të rregullta e që nuk i njihen për efekt pensioni. Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin, i cili tashmë ia lë këtë kompetencë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, duke lehtësuar procedurën për vitet e dokumentuara me laps apo regjistra të dëmtuar.

Vendimi pritet të zgjidhë problemet për vitet e punës para datës 1 janar 1994. Sipas ligjit të Sigurimeve Shoqërore, të gjitha periudhat e punës së para 1 janarit 1994, njihen për efekt të llogaritjes së pensionit kundrejt dokumentacionit, libreza pune, regjistra, etj, kur këto dokumente janë të rregullta, të padëmtuara, të plotësuara sipas përcaktimeve të ligjeve të kohës. Por gjatë periudhës së tranzicionit, shumë prej këtyre dokumenteve janë dëmtuar, disa me qëllim, disa nga trajtimi në kushte jo të përshtatshme, janë djegur, janë bërë të palexueshme etj.

Në këto kushte sigurimet shoqërore nuk mund t’i njihnin këto periudha, duke i orientuar drejt gjykatës, e cila ishte e vetmja që mund të njihte periudhat e punës. Tashmë këto dokumente janë marrë në ruajtje nga ISSH dhe në arkivën e saj po punohet për dixhitalizimin e sistemit.

Gjatë këtij procesi janë evidentuar probleme të tilla si: Regjistra të shkruara me laps, gjeneralitete të deformuara, emra të shkurtuar, ndryshime të mbiemrave, fletë regjistri të dëmtuara, dokumentacion i djegur apo i zhdukur e për pasojë i padorëzuar në arkivat shtetërore që nga viti 1992-1993 etj.

Kjo ka sjellë rritje të numrit të proceseve gjyqësore, të cilat edhe pse fitohen në shkallë të parë, përsëri nga strukturat e sigurimeve shoqërore kalojnë në proces apelimi të detyruara nga ligji. Përmes këtij vendimi të ri krijohen strukturat përgjegjëse të verifikimit dhe vërtetimit të periudhave të sigurimit dhe masave të tjera ligjore, pa qenë e nevojshme t’i drejtohesh gjykatës. “Gazeta Shqiptare” riboton sot pas kërkesave të lexuesve pikat më të rëndësishme të vendimit të qeverisë, ku përcaktohen procedurat që do të ndiqen për njohjen e këtyre viteve për efekt pensioni.

Sipas tij, të interesuarit do t’i drejtohen gjykatës vetëm në rastet kur nga strukturat e sigurimeve shoqërore nuk gjendet mundësia për të provuar saktësinë e të dhënave në mënyrë indirekte me dokumente të tjera administrative. “Në rastet kur dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit, janë të djegura ose janë bërë të papërdorshme për shkak të kushteve të papërshtatshme të ruajtjes, vërtetimi i vjetërsisë në punë dhe periudhave të sigurimit bëhet vetëm në gjykatë. Për të gjitha rastet kur strukturat e sigurimeve shoqërore nuk kanë argumente apo prova dokumentare të veçanta që të vërtetojnë të kundërtën e përcaktimeve në vendimet e gjykatave të shkallës së parë, vendimet e tyre nuk apelohen dhe vjetërsia në punë, e dokumentuar në këto vendime, është e vlefshme për caktimin e pensioneve.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore merr të gjitha masat, që, brenda 6 muajve nga data e këtij vendimi, të skanojë dhe të evidentojë në një bazë të dhënash të veçantë të gjitha periudhat e sigurimit të evidentuara me laps, si dhe certifikimin me komision të përmbajtjes së tyre”, thuhet në vendimin e qeverisë.

PIKAT MË TË RËNDËSISHME TË VENDIMIT “PËR DISA ÇËSHTJE TË DOKUMENTIMIT TË PERIUDHAVE TË SIGURIMIT DHE VJETËRSISË NË PUNË, PËR EFEKT PENSIONI”

1. Të njihen vjetërsi pune për efekt pensioni periudhat e punës të kryera nga personat e punësuar në ish-ndërmarrjet shtetërore dhe vitet e punës të ish-anëtarëve të kooperativave bujqësore, sipas dokumentimit në regjistrat e vjetërsisë në punë, në rastet kur të gjitha fletët e regjistrit ose vite pune të veçanta në të gjitha fletët e regjistrit janë të dokumentuara me laps.

2. Në rastet kur vjetërsia e punës ose elemente të veçanta të fletës individuale të regjistrit janë të plotësuara me laps dhe nga strukturat e sigurimeve shoqërore nuk gjendet mundësia për të provuar saktësinë e tyre në mënyrë indirekte me dokumente të tjera administrative, saktësia e të dhënave të regjistrit ose vërtetimi i fakteve bëhet me vendim të gjykatës.

3. Në rastet kur rubrika të veçanta të fletëve individuale të regjistrave të vjetërsisë në punë janë të paplota, evidentojnë fillimin por jo mbarimin e periudhës së punës, nuk janë të shkruara dukshëm ose kanë gërma të rishkruara, janë të dëmtuara fizikisht ose të padallueshme për shkak të periudhës së gjatë nga data e krijimit të fondit arkivor, mungojnë elemente të veçanta të identifikimit të personit ose janë të shkruara me shkurtime dhe, për rrjedhojë, me të dhënat e fletës së regjistrit nuk mund të provohet e gjithë periudha e sigurimit ose pjesë të saj, të kërkuara dhe dokumentuar nga personi i interesuar, strukturat përgjegjëse të Institutit të Sigurimeve Shoqërore marrin në konsideratë të dhëna të tjera dokumentare, të prodhuara nga organe shtetërore, të cilat indirekt i shërbejnë vërtetimit dhe plotësimit të periudhave të sigurimit.

4. Në zbatim të pikës 3, të këtij vendimi, për dokumentimin e vjetërsisë në punë, për efekt pensioni, përveç të dhënave të dokumentuara në librezën e punës, në regjistrat e vjetërsisë në punë, në listëpagesat apo borderotë dhe vërtetimet e lëshuara nga ndërmarrjet dhe institucionet me objekt vërtetimin e vjetërsisë në punë, si dokumente alternative plotësuese do të shërbejnë edhe të dhënat e regjistrave themeltarë të punonjësve, indekset e regjistrave të vjetërsisë në punë, librat kontabël me të dhënat individuale të pagave mujore, vendime të organeve shtetërore qendrore, lokale dhe të ndëmarrjeve e institucioneve, për emërimet, transferimet, kualifikimet, ngritjen në pagë apo kalimin nga një detyrë në tjetrën, si dhe dokumente të tjera shtetërore, që mund të gjenden në dosjet personale të punonjësve dhe që i shërbejnë këtij qëllimi.
Saktësimi i periudhave të sigurimit nëpërmjet dokumenteve dhe të dhënave të tjera arkivore bëhet me vendime të komisioneve të posaçme.

Rregullat e funksionimit dhe procedurat administrative të punës së komisioneve përcaktohen me vendim të Këshillit Administrativ të ISSH-së, i ngritur në zbatim të neneve 72, 73, dhe 74, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

5. Në rastet kur dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit, të evidentuara në pikën 4, të këtij vendimi, janë të djegura ose janë bërë të papërdorshme për shkak të kushteve të papërshtatshme të ruajtjes, vërtetimi i vjetërsisë në punë dhe periudhave të sigurimit bëhet vetëm në gjykatë.

Për të gjitha rastet kur strukturat e sigurimeve shoqërore nuk kanë argumente apo prova dokumentare të veçanta që të vërtetojnë të kundërtën e përcaktimeve në vendimet e gjykatave të shkallës së parë, vendimet e tyre nuk apelohen dhe vjetërsia në punë, e dokumentuar në këto vendime, është e vlefshme për caktimin e pensioneve.

 

burimi: ekonomiaonline

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0