Si do të jetojmë ne bashkë? - Business Magazine Albania

Si do të jetojmë ne bashkë?

jetojmë

Shqipëria në Biennale 2021*. Një analizë nga Lindita Komani

Paraqitja e Shqipërisë në Biennale 2021 të Arkitekturës në Venecia u prit me kritika të forta në rrethet e profesionistëve, intelektualëve dhe artistëve shqiptarë. Mes të tjerash u hartua dhe u dërgua edhe një letër në adresë të drejtuesve të Biennale-s, për të cilën pati reagim të menjëhershëm. Letra do të bëhet publike dhe nuk bëhet temë në këtë shkrim, i cili synon të japë një analizë kritike më të gjerë mbi këtë paraqitje shqiptare.

Si drejtuese e një qendre coworking për disa vjet dhe studiuese mes të tjerash e trendeve të coliving për nevoja të kompanisë ku kam punuar më herët dhe jo vetëm, fokusi në këtë shikim nuk është i lidhur me aspektin arkitektonik që mbulohet në këtë projekt, por me problematikat që janë të lidhura me mangësitë në përqasje dhe hulumtim për të vërtetën e sotme shoqërore dhe trashëgiminë e hidhur të diktatit komunist-socialist mbi shoqërinë.

Cilat janë temat e shtruara në Biennale?

Në broshurën orientuese të Biennale-s, që në hyrje të saj, kuratori Hashim Sarkis parashtron temat e Biennale-s përmbledhur shumë qartë që në pyetjen që qëndron në bazë të saj:

Si do të jetojmë ne bashkë?

Sarkis shprehet se:

Si – qëndron për: “përqasje praktike dhe zgjidhje konkrete, që nxjerrin në pah primatin e zgjidhjes së problemeve në të menduarin arkitektonik”.

Do të – qëndron për: “të shikosh drejt së ardhmes, por gjithashtu të kërkosh vizion dhe vendosmëri, duke shfrytëzuar fuqinë e imagjinatës së arkitekturës”.

Jetojmë – qëndron për: “jo vetëm të ekzistosh por të rritesh, të lulëzosh, të banosh dhe të shprehësh jetën duke prekur optimizmin që arkitektura bart në vetvete”.

Ne – qëndron për: “veta e parë shumës dhe për këtë arsye gjithëpërfshirëse për njerëz të tjerë, specie të tjera, duke apeluar për një kuptim më empatik të arkitekturës.

Bashkë – qëndron për: “kolektivat, commons, vlerat universale, duke nxjerrë në pah arkitekturën si një formë kolektive dhe një formë shprehjeje kolektive.

? – qëndron për: “një pyetje e hapur, jo retorike, që kërkon (shumë) përgjigje, për të ngritur lart pluralitetin e vlerave në dhe përmes arkitekturës”.

Si u është përqasur këtyre temave Shqipëria në Biennale?

Shqipëria ka zgjedhur të paraqitet me një projekt i cili përmban në vetvete një miks përqasjesh:

  • Shoqërore:duke u ndalur në vlerën që kishte socializimi mes fqinjëve në kohën e diktaturës komuniste.
  • Artistike:në funksion të ilustrimit të së parës, merren si bazë filma të Kinostudios “Shqipëria Sot”, trashëgimi artistike nga koha e diktaturës.
  • Arkitektonike: si pasojë e bazës së krijuar jepen zgjidhjet arkitektonike për problemin e konstatuar në nivel global duke iu referuar modelit të banesave në shtëpitë në kohën e diktaturës.
  • Konceptuale-artistike:një pavijon minimalist i cili përmban: paraqitje 2D të ambienteve të banesave dhe pallateve të kohës së diktaturës, fragmente të përzgjedhur nga tre filma “Në shtëpinë tonë”, “Edhe kështu, edhe ashtu”, “Taulanti kërkon një motër” si dhe një libër shoqërues. Filmi i parë është edhe më i rëndësishmi në kontekstin e Biennale-s, sepse i jep edhe titullin paraqitjes sonë aty.

Në këtë shkrim do të merremi veçanërisht me dy përqasjet e para, por shënimet tona do të përmbajnë edhe vlerësime për dy pikat e tjera.

Vlen të theksohet se është pozitive që Ministria e Kulturës e ka kuptuar modelin e fqinjësisë së mirë dhe kujdesin për tjetrin si modele shqiptare që vlejnë të promovohen në nivel global në kontekstin e një teme kaq të rëndësishme si kjo që ka të bëjë me bashkëjetesën dhe rimendimin e saj sidomos në kushtet e pandemisë dhe pas-pandemisë.

Vlen të theksohet gjithashtu se kuptohet që është bërë një punë jo e vogël për të mbërritur në finalizimin e këtij projekti që ka përfshirë 12 autorë që në librin shoqërues të projektit vijnë me kërkimet dhe mendimet e tyre dhe një staf jo të vogël ndihmës. Por nga ana tjetër vihet re që aty mungon prania e arkitektëve në zë të Shqipërisë, të cilët përsiatjeve shoqërore dhe nga trashëgimia e së shkuarës shqiptare t’u jepnin vizionin për të ardhmen që adreson gjendjen aktuale të kërkimit në fushën e coliving, sidomos nga pikëpamja arkitektonike, por edhe nga ajo shoqërore-ekonomike.

Gjithashtu vlen të vlerësohet libri shoqërues, i cili ndihmon që pavijoni të kuptohet shumë më mirë sesa vetëm me pamjen e parë dhe e bën Shqipërinë interesante në aspektin e bashkëjetesës, ndonëse ajo bashkëjetesë që paraqitet aty është më shumë një idealizim dhe trajtim idilik i diktaturës më të egër komuniste-socialiste që ka parë Europa.

Një studim më i plotë mund të merrej në detaje dhe në mënyrë të gjithanshme me këtë paraqitje shqiptare në Biennale, sepse kjo është ndoshta paraqitja e parë ndërkombëtare në kohën e paskomunizmit, nëpërmjet së cilës qeveria e Shqipërisë promovon vlerat e shoqërisë komuniste-socialiste si për t’u marrë shembull në nivel ndërkombëtar, duke i filtruar ato në mënyrë të pjesshme, duke mos i kontekstualizuar si duhet, duke mos i lidhur me një vizion për të tashmen dhe ardhmen dhe duke i shpëlarë ato. Kjo paraqitje, e cila edhe në nivel të brendshëm asnjëherë nuk është trajtuar sa duhet, sepse tema ka sjellë vazhdimisht debat por asnjëherë qëndrim përfundimtar, është bërë pikërisht pa një debat të brendshëm, por thjesht me imponim me vullnetin e Ministrisë.

Disa nga aspektet më shqetësuese të paraqitjes së Shqipërisë në Biennale 2021

Disa nga aspektet që në këndvështrimin tonë janë më shqetësueset paraqiten në vijim. Në mbyllje shoqërohen me një shtojcë e cila është përgatitur me këtë rast dhe paraqet fragmente nga filmi “Në shtëpinë tonë”, transkriptuar dhe shoqëruar me shkrimin e gjestikës dhe mimikës së aktorëve:

1. Referenca dhe bazimi tek komunizmi-socializmi dhe filmat e pashënuar qartaz si bartës të ideologjisë shtetërore për të formësuar njeriun e ri dhe jo tek realiteti historik se ku bazohej fqinjësia e mirë dhe mirëkuptimi mes njerëzve, tek tradita më e vjetër shqiptare, e cila është e fiksuar në shprehjen emblematike: Shtëpia e Shqiptarit është e Zotit dhe e mikut.

Kjo traditë shprehet pikësëpari në idenë e dhomës së ndejtjes/pritjes që ishte e menduar pikërisht për të pritur miqtë, qofshin këta miq të familjes apo fqinjët.

Duhet thënë megjithatë që përpjekje për të adresuar këtë përqasje të gabuar dhe të mangët kanë bërë autorë të veçantë brenda këtij projekti, të cilët janë thelluar në shkrimet e tyre duke iu referuar traditave më të hershme se ato të komunizmit.

2. Cili është vizioni për të ardhmen që sugjeron pavijoni shqiptar në kuadrin e kësaj Biennale-je që fokusohet tek ideja e të bashkëjetuarit? Dhoma e pritjes si vend për takimin me fqinjët? Ambientet e përbashkëta të lojës për fëmijët? Dhe shkalla si vendi ku bëheshin bisedat mes fqinjëve?

Është e paqartë se cila është zgjidhja dhe cili është vizioni sepse prezantimi është referencial për të shkuarën, por nuk merret me të tashmen dhe me të ardhmen. Ai nuk jep propozime konkrete që shkrijnë modele pozitive të marra nga e shkuara për t’i integruar në një vizion për të ardhmen.

Ideja e Odës si e tillë, që është pararendëse e Dhomës së Pritjes së kohës të komunizmit-socializmit, mund të paraqitej në formë më të theksuar dhe të thelluar dhe të kishte një projeksion vizionar që i paraqitej publikut ndërkombëtar, në një mënyrë autentike. Oda nuk ishte imponim shtetëror, por një traditë shumëshekullore shqiptare, e lindur, e rritur, e ruajtur dhe e mbijetuar ndër shqiptarët. Rimëkëmbja e odave në shtëpitë tradicionale, për të tërhequr me sukses turistët, mund të ishte një shembull që të sillej nga ditët e sotme. Të huajt e shijojnë mikpritjen shqiptare sepse u mungon pikërisht ai lloj mjedisi dhe atmosfere që krijohet në odën tonë.

Ideja e fqinjësisë dhe bashkëveprimit me fqinjët nuk lindi me komunizmin/socializmin por me strukturat sociale më të hershme që janë të ngjashme në zonën e botës ku jetojmë – Mesdhe, ku kushtet klimaterike nxisin edhe të qëndruarin më shumë jashtë, të qenët bashkë, të pranuarin dhe kërkuarin e bashkëveprimit të mirë me fqinjin, dikur kryesisht në zonat e banimit.

Dhoma e pritjes e modelit komunist-socialist nuk është më aktuale. Ajo funksiononte brenda një konteksti ku takimet në lokale ishin të pamundura për arsye shtrëngese financiare, për arsye përgjimi, për arsye paragjykimi nga lagjja, kolektivi i punës, partia-shteti. Sot ajo është zhvendosur në lokal, ku bëhen madje edhe pritjet për ngushëllim, siç ka ndodhur sidomos në kohën e pandemisë, që është përdorur si metoda e vetme për familjet për t’u takuar me të afërmit e miqtë që donin të vinin për ngushëllim.

Bazuar në modelin e Odës shqiptare, pyetja që mund të shtronte paraqitja shqiptare, njëkohësisht ofertë për botën, do të ishte: si të aktualizohet dhe futurizohet Oda nga ana arkitektonike dhe përmbajtësore dhe të jetë një model bashkëveprimi dhe bashkëjetese jo vetëm për shqiptarët?

3. Në vetvete tema e COVID-19 është ajo që duket se ka frymëzuar Biennale-n, por sigurisht edhe trendet ndërkombëtare për coworkingdhe coliving, që duan të zgjidhin njëkohësisht edhe probleme të rëndësishme sociale si ato që kanë të bëjnë me braktisjen dhe vetminë e të moshuarve në jetë individuale si dhe me rrezikun e vdekjes pa pasur njeri pranë. Këto tema që kanë të bëjnë me të moshuarit, deri më sot, në dijeninë tonë janë adresuar vetëm nga Britania e Madhe që ka krijuar Ministrinë për Vetminë për të konceptuar dhe zbatuar zgjidhje për to.

Pavarësisht se modeli i vendosjes së të moshuarve në azil ka hyrë e po ndiqet edhe në Shqipëri, sidomos në rastet kur fëmijët janë emigrantë dhe prindërit janë vetëm në shtëpi, modeli i bashkëjetesës me të moshuarit në të njëjtën ndërtesë, në një ndërtesë pranë, ose qoftë edhe në të njëjtën shtëpi në mungesë të kushteve financiare për të pasur një shtëpi tjetër ku të sistemosh prindërit apo sistemohesh vetë, është ai që mbizotëron. Nëse në perëndim janë fëmijët që po kthehen tek prindërit që kanë shtëpi e pension për shkak të mosgjetjes/mospasjes së një vendi pune që t’i mundësojë të jetojnë më vete, modeli i pranimit të prindërve nga fëmijët e tyre përgjithësisht mungon dhe ky është ai që mund të jepet.

Gjithashtu kjo lloj përqasjeje për bashkëjetesë apo bashkëveprim me të moshuarit, mund të përcillej edhe në raport me të moshuarit që ndodhen në të njëjtën ndërtesë, pra fqinjët e moshuar të cilët mund të mos ketë fëmijë që t’u vijnë në ndihmë. Si u është ardhur atyre në ndihmë gjatë pandemisë? Raste ka pasur shumë dhe gjithsecili njeh të tillë. Intervista mund të ishin realizuar me njerëz që vullnetarisht kanë ndihmuar fqinjët në nevojë e në veçanti të moshuarit mes tyre.

4. Referenca nga filmat nuk është e shoqëruar me cilësimin që filmat indoktrinonin që nga fëmijët e deri tek të moshuarit me konceptin e njeriut të ri, të përsosur me metodën socialiste-komuniste. Sidomos referenca për filmin “Në shtëpinë tonë” është më e rënda. Argumentet do t’i shtjellojmë në vijim.

Skenari i filmit “Në shtëpinë tonë” është në vetvete një kritikë për:

  • edukatën që jepej në shkollë me modelin e mësueses së re që kupton pasojat e sjelljes së saj ndaj një femije të cilin e gjykon menjëherë, pa u përpjekur fare ta kuptojë;
  • edukatën që jepej shtëpi dhe pasojën direkte mbi psikologjinë e fëmijës dhe të njeriut të ri në moshë, duke filluar me frikën, ankthin që çonte te gënjeshtra dhe veprimet e fshehta, tjetërsimin e karakterit që para se ai të formohej mirë;
  • fqinjësinë si e tillë, ku fqinjët nga njëra anë vërtet të ndihmonin për të ndarë e qarë hallin, por nga ana tjetër të kishin në vëzhgim të vazhdueshëm, për të ndërhyrë në punët e brendshme të shtëpisë dhe si dhënës të një etaloni të rremë morali dhe të modeleve të tmerrshme të abuzimit dhe rrahjes së fëmijëve, duke pasur madje edhe ndërhyrje direkte: një fqinj ngren për veshi në shkallë personazhin kryesor fëmijë të filmit dhe i jep edhe një shpullë (qoftë edhe vetëm për shaka) në të pasme.

Kush nuk kupton kritikën ndaj shoqërisë në këtë film, mbetet që do të bëjë referencë tek ai vetëm në mënyrë të gabuar.

Të mos neglizhojmë që në film nuk mungon edhe një referencë për Italinë si vend ku rrëmbehen fëmijët, krahasuar me Shqipërinë komuniste-socialiste ku një e tillë nuk vinte në fjalë. Të mos harrojmë me këtë rast që Biennale zhvillohet pikërisht në Itali.

Në vijim të këtij shkrimi do të sillen fragmente të shumta nga filmi që shprehin qartë problematikën e tij. Nëse këto fragmente do të përktheheshin në italisht dhe anglisht, atëherë besoj se vizitorët e pavijonit që nuk janë shqiptarë nuk është çudi që do të llahtariseshin për modelin e fqinjësisë që promovon kulturën e abuzimit me fëmijët dhe ndërhyrjes në jetët e njëri-tjetrit.

Një aspekt tjetër që filmi sigurisht nuk e shihte dot në mënyrë kritike, sepse ishte modeli real i shoqërisë diktatoriale shqiptare, ishte ai i përgjimit të fqinjit. Personazhi fëmijë – Miri – e kupton që përgjimi i prindërve në dhomën e tyre të gjumit është një sjellje e gabuar, por ndërkohë përgjimi në shoqëri ishte fenomeni më i përhapur dhe në një shoqëri demokratike plotësisht i dënueshëm. Gjithashtu, duhet të kemi parasysh që qeveria sot promovon modelin e patronazhistëve për mbajtjen e shoqërisë nën kontroll, ndaj referimi me të shkuarën e përgjimit në fqinjësi, në shoqëri është akoma edhe më i rëndë.

5. Pavijoni vërtet merret me aspektet e fqinjësisë në Shqipërinë komuniste-socialiste, ndoshta duke kapur trendin ndërkombëtar që po shkon gjithmonë e më shumë për nga socialja, e përbashkëta, si kundërpeshë për individualizmin, por ekipi shqiptar nuk bën një studim të pasojave të imponimit të socializimit të detyrueshëm, në fqinjësi, në shkolla, qendra pune, ushtri, punë fizike, vullnetare, etj.

Ndërkohë, 30 vjet tranzicion, në një masë shumë të rëndësishme janë përcaktuar nga ajo që do ta quanim Arratisja e Shqiptarëve nga Socializimi i Detyrueshëm. Në këta 30 vjet ne kemi punuar në mënyrë sistematike për të prishur gjithçka të përbashkët dhe po shkojmë aq thellë në këtë shkatërrim sa të shkatërrojmë edhe njësinë bazë të shoqërisë, familjen. Të vetmet raste kur bashkëveprimi shoqëror ka qenë i fortë ka qenë për kauza të viteve të fundit, si: ndalimi i ardhjes së armëve dhe mbetjeve kimike, ndalimi i prishjes së Parkut të Liqenit, ndalimi i ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë dhe Vjosë, ndalimi i shembjes së Teatrit Kombëtar, ndalimi i prishjes së shtëpive në Unazën e Re dhe ndonjë tjetër me përmasa më të vogla.

Ndërkohë në nivelin e fqinjësisë në pallate apo lagje, bashkëveprimi është ende shumë i dëmtuar dhe do shumë vullnet individual, frymëzim e incentiva private e shtetërore që të ndodhë, por të cilat ende mungojnë. Një shenjë e qartë për këtë është kaosi dhe papastërtia e ambienteve të përbashkëta kudo krahasuar me ambientet e shtëpive të gjithsecilit. Diferenca mes të brendshmes-personale dhe të jashtmes-së përbashkët është e paneglizhueshme.

Nëse në kohët e hershme për shkak të traditës dhe në kohë të komunizmit-socializmit për shkak të pamundësisë financiare dhe asaj të sigurimit të një leje banimi në apartament më vete, familjet qëndronin bashkë – prindër, fëmijë, nipër e deri stërnipër (me raste ekstreme deri 4-5 kurora me pasardhës në një apartament 60-70 m2), shqiptarët sot synojnë për të qëndruar më vete dhe kjo prirje ka krijuar edhe tregun e mirëzhvilluar të shitjes dhe qiradhënies së banesave/shtëpive. Mbarëvajtja e tij është shprehje e qartë e një nevoje dhe kërkese ende të papërmbushur të qytetarëve. Dhe ndërsa kjo nevojë po adresohet, ndërtuesit dhe ofruesit e këtyre zgjidhjeve nuk po punojnë për të ofruar zgjidhje të mira bashkëkohore edhe për ambiente të përbashkëta në pallatet e reja apo për të ofruar forma alternative për banesat.

Për shembull mungojnë banesat që mundësojnë ambiente të përbashkëta për dy ose më shumë familje, të cilat mund ta bënin edhe më të përballueshme nga ana financiare blerjen e shtëpive për të rinjtë beqarë apo çiftet e reja, por njëkohësisht edhe më të këndshme nga ana sociale. Gjithashtu mungojnë zgjidhje për banesa të përshtatshme për të moshuarit, që ata të vendosen për shembull në blloqe me ndërtesa ku janë pranë njëri-tjetrit e të cilat nuk janë azile, pra ua japin plotësisht idenë e pavarësisë, por u ofrojnë edhe mundësinë të socializohen më shumë me njëri-tjetrin, duke pasur pranë edhe shërbime si kinema të vogël, shërbim infermiere. Në këtë këndvështrim tregu shqiptar qëndron mbrapa trendeve ndërkombëtare që po shkojnë drejt socializimit në mënyrë bottom-up – e vetëzgjedhur nga vetë individët dhe jo top-down – për shkak të detyrimit nga shteti si në diktaturën komuniste-socialiste.

Ne sot preferojmë të udhëtojmë me makina, fillimisht sepse deshëm të tregojmë që u pasuruam aq shumë sa të kishim makinë që tregon status shoqëror por njëkohësisht mundëson edhe liri të madhe në lëvizje dhe në vijim sepse mungojnë zgjidhjet për transport publik – trena, tramvaje, ndërkohë që linjat e autobusëve nuk e mbulojnë dot kapacitetin e tejshtuar në zona urbane, sidomos në kryeqytetin tonë. Në kushtet e një pandemie si COVID-19 që bllokoi jetën e gjithsecilit dhe imponoi masa të rrepta për ruajtjen e distancës, zgjidhjet e transportit urban ishin shumë larg atyre që duhet të ishin dhe që në fakt janë pikërisht në vendet me të cilat po krahasohemi në Biennale.

Këto janë disa të vërteta të munguara të prezantimit tonë në Biennale, të cilat mendojmë që e vënë atë në pikëpyetje. 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0