Nga Eni Muça – Shqipëria është vendi ku thuhet shpesh se marrëveshjet më të rëndësishme, miqësitë më të gjata dhe ditët më të zakonshme nisin me një “kafe të shpejtë”, dhe mbetet një nga shtetet me konsumin më të lartë të kafes në Europë. Kjo nuk është thjesht statistikë, por një pasqyrim i një kulture të rrënjosur thellë, e cila ndër vite ka marrë forma të reja, por asnjëherë nuk ka humbur rëndësinë e saj në përditshmërinë shqiptare.
Industria e kafesë në vend ka pësuar ndryshime të mëdha në dekadën e fundit. Në vitin 2023, Shqipëria importoi mbi 8,000 tonë kafe, një treg që parashikohet të rritet në 8,500 tonë deri në vitin 2028. Rritja është e qëndrueshme, edhe pse e ngadaltë dhe lidhet ngushtë me stabilitetin e konsumit të brendshëm dhe rolin shoqëror që zë kafja në shoqërinë shqiptare. Mbi 15,000 bar-kafe janë të shpërndara në çdo cep të qyteteve dhe fshatrave shqiptare, duke krijuar një panoramë unike që ka bërë Shqipërinë të renditet mes vendeve me më shumë kafene për frymë në botë.
Kur një filxhan fillon të ndjehet si luks
Megjithatë, ndërsa numri i filxhanëve të konsumuar mbetet i lartë, dinamika e tregut po ndryshon ndjeshëm. Çmimi i kafesë është rritur me ritme të shpejta, jo vetëm për konsumatorin final, por edhe për bizneset që përballen me kosto të importit gjithnjë e më të larta. Në krahasim me vitin e kaluar, çmimi mesatar i kafesë së importuar është rritur me mbi 60%, duke kaluar nga 2.59 dollarë për kilogram në 4.15 deri në 4.69 dollarë. Ky ndryshim ka filluar të reflektohet edhe në çmimin e një filxhani kafeje, i cili në Tiranë varion sot nga 90 në 150 lekë dhe në disa zona elitare ka kaluar edhe këtë prag. Ndërsa për disa ky mbetet një shpenzim i vogël e i përballueshëm, për shumë të tjerë, veçanërisht në qytetet e vogla apo në shtresat më të prekura ekonomikisht, pyetja është: a po shndërrohet kafja në një luks të përditshëm?
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto