Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanović, mori pjesë në takimin ministror për Kërkimin dhe Inovacionin, ku prezantoi studimin e përbashkët “Ekosistemi i Startupe-ve në Ballkanin Perëndimor në një udhëkryq”.
Studimi, i përgatitur nga RCC në bashkëpunim me Institutin Evropian të Inovacionit dhe Teknologjisë (EIT) dhe Rrjetin Evropian të Ndërmarrjeve (EEN), ofron analizën e parë rajonale të peizazhit të startupe-ve në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke evidentuar si përparimet e dukshme ashtu edhe pengesat kryesore për rritjen e tyre.
Sipas raportit, sektori i TIK-ut në rajon punëson rreth 150 mijë persona dhe kontribuon me 2% në Prodhimin e Brendshëm Bruto, por startup-et kanë siguruar vetëm 29.5 milionë euro financime në vitin 2024, shumë më pak se shtetet fqinje të BE-së. Investimet private të kufizuara, rregulloret e fragmentuara dhe emigrimi i vazhdueshëm i profesionistëve mbeten pengesat kryesore.
Amer Kapetanović theksoi: “Ekosistemi ynë i startupe-ve është plot energji sipërmarrëse, por ende mungon mbështetja e strukturuar për rritje të qëndrueshme. Prandaj kemi zhvilluar konceptin ‘RISE – Regional Innovation for Start-ups Excellence’, një program që synon të lidhë sipërmarrësit inovativë me mentorë me përvojë, të ofrojë trajnime të synuara për përmirësimin e aftësive dhe fonde të vogla për të ndihmuar ekipet në fazat e hershme të zhvillimit. RISE do t’i ndihmojë startupet premtuese të kalojnë nga ideja në produktin gati për treg.”
Sa i takon vendit tonë, Shqipëria renditet e 84-ta ndër 133 ekonomi në Indeksin Global të Inovacionit 2024. Pikat më të forta përfshijnë përdorimin e energjisë me karbon të ulët (vendi i 5-të), raportin e lartë të PBB-së për njësi energjie (vendi i 12-të) dhe hyrjet neto të investimeve të huaja direkte (vendi i 14-të), duke reflektuar profilin e saj si një ekonomi me energji të gjelbër dhe atraktive për investitorët e huaj.
Sipas OECD Competitiveness Outlook 2024, Shqipëria ka shënuar përmirësimin më të madh në 14 nga 15 dimensionet e politikave, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, bujqësi dhe punësim, duke u renditur mbi mesataren e rajonit të Ballkanit Perëndimor në 13 fusha.
Megjithatë, sipas StartupBlink Index 2025, Shqipëria ka rënë me 11 pozicione në rangun global, duke zënë vendin e 83-të dhe duke shënuar një nga normat më të larta negative të rritjes (–19,1%) në ekosistemin global të startupe-ve. Pavarësisht kësaj, mbështetja publike dhe private po rritet, përfshirë edhe nisma të ministrisë përgjegjëse që ofrojnë lehtësime tatimore për zhvillimin e softuerëve.
Korniza ligjore dhe institucionale është krijuar për të mbështetur startupet, përmes Ligjit për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startupe-ve (nr. 25/2022) dhe themelimit të Agjencisë Start-up Albania. Megjithatë, mbështetja është e përqendruar kryesisht në fazat e hershme (para-ideimit) dhe mungojnë strukturat e qëndrueshme të inkubimit.
Reformat miqësore ndaj biznesit përfshijnë regjistrimin online të kompanive, lehtësitë fiskale për ndërmarrjet inovative dhe përmirësimin e kuadrit të mbrojtjes së investitorëve. Por, zbatimi i kontratave dhe procedurat e falimentimit mbeten pengesa të rëndësishme për startupet.
Pavarësisht progresit, Shqipëria ende nuk ka një strategji të koordinuar për inovacionin, ndërsa përgjegjësitë e fragmentuara mes tre ministrive e bëjnë mbështetjen ndaj startupe-ve të paefikase dhe kufizojnë përdorimin e fondeve publike për kërkim-shkencor.
Lexo edhe: Transformimi i ndërtesave në ekosisteme inteligjente dhe të pavarura energjikisht
Qasja në financim mbetet një sfidë strukturore: tregu i kapitalit sipërmarrës (VC) është i cekët, rrjetet e investitorëve “angel” janë ende në zhvillim dhe mungojnë instrumentet alternative si “crowdfunding” apo “convertible notes”. Fondet ndërkombëtare (BE, Swiss EP, GIZ), si dhe rrjete vendase si ABAN, Angels Albania dhe Crimson Finance Fund, të mbështetura nga Albanian-American Development Foundation, po ndihmojnë në mbulimin e boshllëqeve të financimit në fazat e hershme.
Pengesat kryesore për ndërkombëtarizim lidhen me mungesën e financimit, të rrjeteve dhe të mbështetjes së strukturuar qeveritare, pavarësisht marrëdhënieve premtuese me Gjermaninë, Austrinë dhe Italinë.
Dendësia e startupe-ve mbetet e ulët, rreth 88 startupe për çdo milion banorë, krahasuar me 500 në Lituani dhe 1,100 në Estoni, duke nënvizuar boshllëkun e madh që rajoni duhet të adresojë.
Sektorët më aktivë janë TIK-u, turizmi, agroteknologjia dhe shëndetësia/edukimi digjital, me TIK-un që kryeson falë nivelit të lartë të aftësive digjitale dhe potencialit të eksportit. Megjithatë, Shqipëria përfaqëson vetëm 0.1% të startupe-ve të inteligjencës artificiale në Europën Qendrore dhe Lindore, çka tregon se kjo fushë është ende në fazat fillestare dhe kërkon mbështetje më të fortë.
Edhe pse FinTech dhe RegTech po zhvillohen, ato mbeten nënshfrytëzuara për shkak të ndërgjegjësimit të ulët të konsumatorëve dhe mungesës së udhëzimeve të qarta rregullatore. Kërkohet një qasje e qëndrueshme, e bazuar në veprimtari.
Bashkëpunimi ndërmjet universiteteve dhe industrisë është ende i dobët, me vetëm 0.1% të PBB-së të dedikuar për kërkim dhe zhvillim, ndërkohë që komercializimi i kërkimeve akademike mbetet minimal. Kjo tregon potencial të madh për të forcuar lidhjen midis biznesit, kërkimit dhe arsimit.
Sipërmarrja është përqendruar kryesisht në Tiranë, që strehon gati 30% të ndërmarrjeve aktive. Zonat rurale përballen ende me emigrim dhe “rrjedhje truri”, megjithëse projekte si Tech-Hub Korça dhe qendrat rinore në Shkodër e Gjirokastër, të mbështetura nga donatorët, po japin efektet e para.
Një shembull konkret i qasjes rajonale është Qendra Rajonale e Inovacionit në Shqipëri, themeluar nga EIT RawMaterials dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Qendra do të mbështesë universitetet, inovatorët dhe investitorët vendas, duke nxitur zhvillimin e aftësive, veçanërisht tek gratë dhe studentët në fushat STEM. Kjo nismë mbështet Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor të Komisionit Evropian dhe synon të forcojë integrimin rajonal përmes inovacionit të qëndrueshëm dhe sipërmarrjes.
Burimi: RCC
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.