Nga Francesco Condoluci* –Le ta sqarojmë menjëherë: Shqipëria nuk ishte ideja ime. Ishte Inteligjenca Artificiale që ma sugjeroi si një destinacion në Mesdhe, perfekt sipas parametrave që i kisha kërkuar: det i kristaltë, shërbime për familjet, struktura të pajisura, transport i aksesueshëm, çmime konkurruese dhe site historiko-kulturore. Ideja dukej premtuese. Realiteti, megjithatë, është një histori tjetër.
Zbritja në Vlorë. Mirë se vini në një Europë tjetër
Sapo zbret nga trageti, e kupton menjëherë se ndodhesh në një tjetër Europë. Radhë të pafundme, kontrolle të rrepta, atmosferë që të kujton ish-Sigurimin. Dy hapa më tej dhe ja skena e parë ballkanike: një burrë pa uniformë, i paqartë se kush është, të ndal me dorë. Belbëzon në italisht: “siguracioni”. Zbulon se jo të gjitha policat e sigurimit vlejnë në këtë vend.
Asgjë e pazakontë deri më tani. Problemi është se si një kabinë e rrënuar, dy djem me sandale, një burrë që afrohet me një tufë kartëmonedhash në dorë. “Pesëdhjetë e pesë euro” për policën e sigurimit, pa shpjegim. Një lloj takse hyrjeje e pashkruar. Mirë se vini në Shqipëri.
Rrugët dhe vendi i papërfunduar
Jashtë portit të Vlorës, peizazhi është klasik i jugut të harruar të Italisë: trafik i çrregullt, motorra të prishur, Mercedes të vjetër (një në katër makina është gjermane, shpesh me 20 vite mbi supe), krah për krah me shtëpi të pambaruara. Kamionë të ngarkuar me shalqi ngjiten me vështirësi në kodra, lopë që shëtisin në asfalt sikur të ishin në pronën e tyre.
Pastaj SH8 (autostrada Vlorë-Fier) hapet si një frymëmarrje: kodra të gjelbra, gjiri i Vlorës nga lart, por edhe beton pa rregull, fabrika të braktisura, ferma të vogla. Në anë të rrugës, tabelat “misra” ku mund të blesh misra të sapopjekur në prush.
Në SH10 ritmi ndryshon: rruga ngjitet në male të zhveshura, pika shpimi nafte të vjetra të ndryshkura, gurore të lëna në harresë, mbetje të një socializmi që ka lënë vetëm skeletet.
Grumbuj mbeturinash, ura të pasigurta në Poçem, fshatra të harruar ku koha duket se ka ndaluar. Syri kap karburante të braktisura, bare të rrënuara, djem që zvarrisin shapkat mbi asfalt me sytë ngulur në celular. Një peizazh i ndotur dhe prekës njëkohësisht.
Saranda, qyteti me dy fytyra
Pas tre orësh në boshllëk, Saranda shfaqet si një periferi e rritur shumë shpejt: pallate pa rend, dyqane me drita neon, trafik i vrullshëm.
Shenjat flasin një gjuhë “italo-ballkanike” që duket si parodi e italishtes: “Mobileri”, “Gomisteri”, “Parukeri”, “Pasticeri”.
Shqiptarët ngasin makinën me stil kaotik; pa kaska, shpesh nga tre mbi motor. Trafiku të kujton Napolin në orën e pikut, por në rrugica të ngushta të një fshati peshkatarësh.
Dhe megjithatë, Saranda është e bukur. Ka gjallëri si një Ibiza e egër. Deti tirkiz, bare plot me turistë dhe të rinj vendas, anije me muzikë që dalin në det për festa deri në agim.
Një “must” janë:
- Limani Bar-Restaurant: një gadishull betoni mbi ujë, ku akullorja shijohet me detin që të lag këmbët;
- Taverna Labëria: e famshme për mishin në zgarë;
- Balcony Restaurant: për midhjet dhe pamjen spektakolare.
- Perëndimi i diellit shijohet në Kalaja e Lëkurësit: Saranda poshtë, Korfuzi përballë, një pamje pothuajse e pabesueshme.
Por kontradiktat nuk fshihen: hotele luksoze pranë ndërtesave të braktisura, plehra, makina të hedhura, mungesë totale rregullash. Shërbime të dyshimta, parkues të paligjshëm, mungesë POS-esh dhe faturash. Dhe në sfond, lidhje me Italinë e klaneve mafioze.
Lexo edhe: Fluturimi u anulua? Këto platforma rezervimi premtojnë rimbursim brenda 14 ditëve
Ksamili, perla e improvizuar
Ksamili të magjeps me ujëra që rivalizojnë Karaibet. Por shërbimet mbeten të jugut ekstrem: rërë e hedhur mbi dhe, “beach-e” të improvizuara, zero organizim.
Çmimet? Jo aq të lira sa klishetë e “Albania low cost”: më shumë si Italia para krizës së 2022-it.
Midis detit dhe kufirit
Nga Saranda në veri, me varkë përgjatë bregdetit, zbuloni plazhe të vogla e të izoluara si Krorezi, me taverna dhe çadra që të mahnisin me muzikë dhe alkool, ose Gremina, një mur i bardhë guri që zhytet në një det të pastër si qelqi. Në jug, nëse vazhdoni drejt Greqisë, rruga bëhet një sqep asfalti, duke vizatuar male, që papritmas zbresin dhe ngrihen.
Pas një kthese, pamja humbet: male të shkreta, liqene, shkurre mesdhetare. Gjithmonë aty, Korfuzi shfaqet si sfond, dinak dhe i palëvizshëm. Herë pas here, shfaqen periferi të vogla rurale, shtëpi të shpërndara, të pabanuara kurrë vërtet.
Përgjatë rrugës, burra, gra, mushka dhe fermerë; furgonë Mercedesme të mbushur me njerëz si sardele ecin me vështirësi në kodër. Toka flet për bujqësi qartazi mbijetese, fusha të pjekura nga dielli dhe një ekonomi që nuk ka asgjë për të treguar, por thjesht mbijeton.
Në kufirin me Greqinë, udhëtimi ndalet përsëri. Kontrolle të dyfishta, radhë të pafundme makinash me motorët ndezur, kontrolle të rastësishme në bagazh. Orë pritjeje që na kujtojnë ne “gjeneratën Shengen” se sa përpjekje duhet për të hequr dorë nga liria jonë e lëvizjes. Dhe sa e rëndësishme është ta mbrojmë atë, gjithmonë, pa e marrë kurrë si të mirëqenë.
Një mit që duhet shpërbërë
Shkurt, Shqipëria është, në fund të fundit, një mit që duhet shpërbërë. E bukur, po, por jo absolutisht mahnitëse. Nuk ka asgjë vërtet unike që justifikon një udhëtim këtu.
Deti, plazhet dhe peizazhet janë të veçanta , por jo më shumë se bregdeti i Kalabrisë – me më pak shërbime dhe sigurisht më pak cilësi. Gjithçka duket e mbërthyer në Italinë e viteve 1990: zhvillim i improvizuar dhe i paarsyeshëm, një industri turizmi që lulëzon nga entuziazmi dhe ndërtimet e paligjshme, një bukuri e papërpunuar që nuk është e mjaftueshme për të bërë kërcimin.
Kjo tokë është e gjitha këtu: dete të përsosura dhe përbindësha ekologjikë betoni të papërfunduar vetëm pak hapa larg plazhit, një vend i pezulluar midis së vjetrës dhe së resë, improvizimit dhe modernitetit, nostalgjisë dhe një garë për të ardhmen.
Një Jug (ka parasysh jugun e Italisë) që dëshiron të bëhet Veri me çdo kusht. Por, edhe nëse ka mendjen te Europa, këmbët i mbeten ende në Tunizi.
* Francesco Condoluci është gazetar dhe këshilltar komunikimi në ministrinë italiane për Reformat,
Notizie.it / Përshtati: Businessmag
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.