Shqipëria kryen transaksionin e parë SEPA, një hap më afër tregut europian - Business Magazine Albania

Shqipëria kryen transaksionin e parë SEPA, një hap më afër tregut europian

Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në një kapitull të ri të historisë së saj financiare. Sot u krye transaksioni i parë në euro përmes Zonës Unike të Pagesave në Euro (SEPA), duke shënuar një moment historik për tregun financiar vendas dhe një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit me infrastrukturën financiare të Bashkimit Evropian.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha në ceremoninë e kryerjes të transaksionit të parë SEPA, se ky zhvillim i kombinuar me zgjerimin e pagesave dixhitale, pritet të gjenerojë kursime prej rreth 20 milionë euro në vitin e parë, me rritje progresive në vijim.Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA, finalizuar në nëntor 2024, është rezultat i një pune shumëvjeçare dhe bashkëpunimi të ngushtë midis Bankës së Shqipërisë, bankave të nivelit të dytë dhe institucioneve financiare vendase. Sot, të gjitha 11 bankat që operojnë në vend janë të gatshme të ofrojnë shërbime SEPA për qytetarët dhe bizneset shqiptare.

Sipas Bankës së Shqipërisë, përfitimet për qytetarët dhe bizneset janë të menjëhershme dhe të prekshme:

  • Tarifa shumë më të ulëta – transferimet drejt vendeve të SEPA-s kushtojnë deri në pesë herë më pak se më parë;
  • Pagesa më të shpejta dhe më të sigurta, falë standardizimit të procedurave digjitale;
  • Transparencë dhe barazi në kosto, ku një transfertë nga Tirana në Romë do të ketë të njëjtin komision si një pagesë brenda vendit.

Ky standard evropian pritet të gjenerojë kursime prej rreth 20 milionë eurosh vetëm gjatë vitit të parë dhe të përshpejtojë digjitalizimin e pagesave në nivel kombëtar. Për analogji, sistemi AIPS Euro, që funksionon që nga viti 2022, i ka kursyer tregut shqiptar mbi 140 milionë euro – çka tregon potencialin e madh të përfitimeve që SEPA do të sjellë në ekonominë vendase.

Lexo edhe: Fund tarifave të larta, prej sot Shqipëria nis zyrtarisht transfertat në SEPA

” Ky është një standard evropian që sot bëhet realitet për Shqipërinë, duke e vendosur infrastrukturën tonë të pagesave në të njëjtin nivel me vendet e BE-së. Integrimi në SEPA, i kombinuar me zgjerimin e pagesave digjitale, pritet të gjenerojë kursime prej rreth 20 milionë euro në vitin e parë, me rritje progresive në vijim. Për analogji, sistemi AIPS Euro i Bankës së Shqipërisë, i cili operon që nga janari 2022, i ka kursyer tregut vendas rreth 140 milionë euro. Kjo tregon se ndikimi i SEPA-s do të jetë edhe më i gjerë, duke përfshirë uljen e kostove dhe rritjen e efikasitetit operativ për qytetarët dhe bizneset.” – u shpreh guvernatori Sejko

Në një plan më të gjerë, integrimi në SEPA përkthehet në përfitime shoqërore e rajonale: nga ulja e informalitetit dhe kostove të dërgesave, te rritja e përfshirjes financiare dhe konvergjenca me tregun evropian:

Banka e Shqipërisë falënderoi Komisionin Evropian, Këshillin Evropian të Pagesave, Bankën Botërore dhe partnerët vendas për mbështetjen në këtë proces, si dhe bankat tregtare që investuan në modernizimin e sistemeve dhe përgatitjen e tregut.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0