Shqipëria humb garën e pagave: 770 € në 2024, rajoni mbi 1000 € - Business Magazine Albania

Shqipëria humb garën e pagave: 770 € në 2024, rajoni mbi 1000 €

Në Shqipëri, paga mesatare mujore bruto për vitin 2024, sipas INSTAT, arriti në 77.5 mijë lekë/ muaj, ose rreth 770 euro. Në krahasim me një vit më parë, paga u rrit me 9.8% në vlerë nominale, ndërsa rritja reale, e indeksuar me inflacionin ishte 7.6%. Në krahasim me vitin 2014 (viti më i hershëm që ka informacion INSTAT), kur ishte 40.5 mijë lekë, paga në vlerë nominale është rritur me 70%, ndërsa e indeksuar me inflacionin, rritja reduktohet në 42.4%.Ritmet e rritjes së pagave kanë qenë më të forta dy vitet e fundit, të ndikuara kryesisht nga pagat e administratës, pas politikës së qeverisë që përdori buxhetin për të ndryshuar strukturën e pagave në administratën publike, në një garë për të barazuar pagat me rajonit.

Pavarësisht kësaj lëvizjeje, rajoni ka ecur shumë më shpejt në rritjen e pagave, sipas të dhënave që Monitor përpunoi bazuar në instituteve statistikore përkatëse. Me përjashtim të Kosovës, pagat në Shqipëri mbeten rreth 30% më të ulëta se në vendet e tjera të rajonit.

Paga më e lartë mesatare mujore bruto është në Serbi, më 1150 euro në muaj (135,403 dinarë serbë). Në Bosnjë dhe Hercegovinë, paga është gati 1100 euro (2140 Bam). Në Mal të Zi paga është 1083 euro. Edhe Maqedonia e Veriut paguan mesatarisht punonjësit me më shumë se një mijë euro në muaj, konkretisht 62 mijë dinarë maqedonas, ose 1020 euro në muaj.

Paga në euro në Shqipëri rezulton e rritur artificialisht për shkak të zhvlerësimit të euros, teksa fuqia blerëse reale për të ardhurat në lekë ka rënë për shkak të shtrenjtimit të vazhdueshëm të çmimeve tre vitet e fundit (6.7% në 2022, 4.8% në 2023 dhe 2.2% në 2024-n). Nëse konvertohet me kursin e vitit 2022, për të shmangur fryrjen nga kursi, paga mesatare në ekonomi në 2024 ishte 650 euro, sërish 40% më e ulët se mesatarja e rajonit.

Lexo edhe: Alarm për bujqësinë, Shqipëria një nga importueset më të mëdha të ushqimeve në Europë

Të dhënat e ndara për sektorin privat dhe shtetëror janë të disponueshme vetëm për Shqipërinë dhe Serbinë. Ato tregojnë “shtrembërimin” e tregut në Shqipëri, me një diferencë prej 30%, ndërsa në Serbi, si shteti dhe privati, kanë “fuqi” të paguajnë njësoj.

Në Serbi, sektori privat paguan mesatarisht 1100 euro në muaj, ndërsa në Shqipëri 690 euro, për vitin 2024.

Në Shqipëri, në fillim të vitit 2022, administrata paguhej mesatarisht 20% më shumë se privati, ndërsa në tremujorin e fundit 2024, diferenca në paga arriti në 30%. Edhe një aksion i tatimeve në muajt e fundit 2024 për të luftuar informalitetin e pagave të privati nuk arriti që të nxiste sipërmarrjet që të paguanin më shumë punonjësit.

Tre vitet e fundit treguan që rritja e pagave me urdhër administrativ është e destinuar të jetë një praktikë e dështuar. Forma më e mirë për rritjen e pagave në ekonomi lidhet me rritjen e produktivitetit.

Kjo do të thotë se pagat rriten në përputhje me përmirësimin e aftësive dhe efikasitetit të punonjësve, duke sjellë përfitime reale në prodhim dhe fitime më të larta për kompani, në vend që të rriten administrativisht pa asnjë përmirësim në performancë.

Burimi: Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0