Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, kryesoi mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar të Punës për vitin 2026. Gjatë fjalës së saj, ministrja u ndal te një sërë çështjesh prioritare që pritet të adresohen gjatë këtij viti në fushën e punësimit, përfshirë mungesën e fuqisë punëtore, rritjen graduale të pagës minimale, si dhe ndryshimet e planifikuara në Kodin e Punës.
Ministrja nënvizoi se viti 2026 pritet të jetë i ngarkuar me ndryshime ligjore të rëndësishme në fushën e punës, në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Këto ndryshime do të përfshijnë rishikimin e Kodit të Punës, si dhe të gjithë legjislacionit nënligjor, me fokus përafrimin me direktivat europiane dhe përcaktimin e periudhave tranzitore për zbatimin efektiv të tyre.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe mungesës së fuqisë punëtore dhe ndikimit të migracionit. Ibrahimaj theksoi se qeveria shqiptare ka miratuar një strategji kombëtare për migracionin, e cila parashikon masa konkrete për adresimin e kësaj problematike. Ajo shtoi se përveç përpjekjeve për kualifikimin e fuqisë punëtore vendase, po ndërmerren hapa edhe për plotësimin e nevojave të tregut përmes marrëveshjeve me vende të treta.
Lexo edhe: Rritje rekord e bizneseve të reja në Shqipëri në 2025-ën, QKB publikon të dhënat
Ministrja theksoi se politika e rritjes së pagës minimale do të vijojë edhe në vitet në vijim, me synimin që ajo të arrijë në nivelin 60% të pagës mesatare. Kujtojmë se nga 1 janari 2026 ka hyrë në fuqi paga e re minimale, e cila është rritur nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë.
Në këtë kuadër, në rendin e ditës do të përfshihen edhe diskutimet për reformën e pensioneve, si edhe çështjet që lidhen me statusin e minatorëve.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto