Shqipe Neziri Vela, shqiptarja në mesin e 10 grave më të spikatura botërore në sektorin e energjisë! - Business Magazine Albania

Shqipe Neziri Vela, shqiptarja në mesin e 10 grave më të spikatura botërore në sektorin e energjisë!

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Nga Eni Muça- Agjencia prestigjioze ndërkombëtare Reuters ka publikuar listën vjetore “Trailblazing Women 2025”, e cila përfshin gratë që po udhëheqin ndryshime të rëndësishme në sektorët strategjikë përmes ndikimit, inovacionit dhe lidershipit. Në këtë listë elitare është përfshirë edhe shqiptarja Shqipe Neziri Vela, e renditur ndër 10 gratë më të spikatura në nivel global në sektorin e energjisë, një arritje e rëndësishme që përfaqëson suksesin profesional dhe ndikimin ndërkombëtar të grave shqiptare.

Sipas Reuters, përzgjedhja është bërë mbi bazën e arritjeve profesionalendikimit publikkontributit social dhe aftësive udhëheqëse, duke vlerësuar gratë që kanë luajtur rol kyç në hartimin e politikave dhe zbatimin e praktikave të qëndrueshme në industri të rëndësishme globale.

Shqipe Neziri Vela është vlerësuar veçanërisht për udhëheqjen e saj në qeverisjen e burimeve natyrore, promovimin e transparencës dhe avancimin e standardeve të qëndrueshme në industrinë e energjisë dhe minierave.

Aktualisht, ajo është e angazhuar në Sekretariatin Ndërkombëtar të Iniciativës për Transparencë në Industritë Nxjerrëse (EITI) në Norvegji, ndërsa njëkohësisht mban edhe postin e kryesueses së rrjetit profesional “Gratë në Energji dhe Miniera”, një platformë që synon fuqizimin, rrjetëzimin dhe rritjen e përfaqësimit të grave në sektorët energjetikë dhe nxjerrës.

Përfshirja e Shqipes në listën “Trailblazing Women 2025” të Reuters përbën një njohje të rëndësishme ndërkombëtare, jo vetëm për karrierën e saj profesionale, por edhe për kontributin e grave shqiptare në zhvillimin dhe transformimin e industrive globale.

Lexo edhe: DiGiGjakova kurorëzon ekipet fituese


Ne kemi zhvilluar një intervistë me Shqipen për të mësuar më shumë rreth rrugëtimit të saj, sfidat dhe këshilla për brezin e ardhshëm:

Si u ndërtua rrugëtimi juaj profesional drejt këtij roli ndërkombëtar dhe cilat momente kanë qenë më vendimtare në formimin tuaj si lidere në sektorin e energjisë dhe minierave?

Rrugëtimi im profesional ka nisur shumë herët, por jo në energji. Në shkollë të mesme punoja si gazetare në RTK, ku trajtoja tema të rinisë dhe sfidat e Kosovës pas luftës. Aty e kuptova për herë të parë fuqinë e zërit publik dhe ndikimin konkret që politikat publike kanë në jetën e përditshme. Kjo përvojë më shtyu të studioj politika publike dhe të përfshihem në ndërtimin e institucioneve në një shtet të ri.

Pika e kthesës erdhi gjatë studimeve në Universitetin Amerikan në Kosovë (RIT Kosovë), kur mora një lëndë mbi politikat publike të sektorit të energjisë. Energjia për mua u shndërrua nga një temë teknike në një nyje ku takohen zhvillimi ekonomik, siguria, mjedisi dhe drejtësia sociale. Në vitin 2008 u përfshiva në hartimin e planit strategjik për KOSTT, dhe ajo përvojë më hapi sytë ndaj kompleksitetit të sektorit. Që nga ajo kohë, rrugëtimi im ka kaluar nga hartimi i ligjeve dhe strategjive, te puna kundër korrupsionit në sektor, ngritja e vetëdijës rreth rëndësisë së sektorit në zhvillimin ekonomik të vendit, e deri te nevoja për të fuqizuar gratë dhe gjeneratat e reja në pjesëmarrje në sektor. Kam punuar për Bankën Botërore, UNDP-në, Departmentin e Shtetit të SHBA-ve, e deri te menaxhimi i programeve globale për shoqatën e shteteve Extractive Industries Transparency Initiative në Norvegji. Ndërkohë, në kapacitet vullnetar kam shërbyer në Bordin Këshillues të International Women in Mining (rrjetit ndërkombëtar të grave në miniera), bëj mentorimin e vajzave dhe grave nga vende të ndryshme të botës (Afrika e Jugut, Sudani, Kenia) dhe jam anëtare në rrjetin e ekspertëve të organizatës Transparency International.  

Çdo fazë dhe përvojë më ka mësuar e formuar si lidere. Po ashtu, mentorët dhe personat që më kanë mbështetur dhe besuar në mua kanë luajtur një rol vendimtar në këtë udhëtim. Në veçanti, prindërit e mi kanë qenë dhe mbeten mbështetësit e mi kryesorë dhe shembujt më të mirë se si me punë, përkushtim dhe integritet mund të arrihet sukses.

 Në një industri të dominuar tradicionalisht nga burrat, cilat kanë qenë barrierat më reale që keni hasur si grua dhe si shqiptare, dhe si i keni kthyer këto sfida në avantazh profesional?

 Sektori i energjisë ka qenë historikisht i dominuar nga burrat dhe kjo shpesh sjell paragjykime, të hapura apo të fshehta. Kam ndjerë shumë herë nevojën të provoj veten më shumë, të përgatitem më mirë dhe të argumentoj më fort për të mos u perceptuar si “pjesëmarrëse simbolike”. Si shqiptare nga një vend i vogël, shpeshherë përballesha edhe me skepticizëm për përvojën apo kapacitetet profesionale.

Por këto barriera i kam kthyer në motivim. Më shtynë të jem më e disiplinuar, më e këmbëngulëse dhe më e fokusuar te rezultatet. Me kalimin e kohës, sfidat u shndërruan në kapital profesional. Sot nuk e shoh më veten si “grua në një sektor burrash”, por si një profesioniste që sjell perspektivë të domosdoshme dhe vlera unike. Jam krenare që shoh gjithnjë e më shumë vajza gra në pozita kyçe dhe vajza që zgjedhin energjinë si profesion, një ndryshim që nuk erdhi vetë, por nga shumë gra që nuk u dorëzuan dhe e trasuan rrugën për shumë prej nesh. 

Çfarë do të thotë për ju personalisht përfshirja në listën “Trailblazing Women 2025” të Reuters dhe si e shihni këtë vlerësim në raport me përgjegjësinë që keni sot për të ndikuar politika dhe standarde globale?

Vlerësimi nga Reuters, por edhe nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, Universiteti i York-ut, ndër të tjerë, është nder i madh dhe një moment reflektimi për gjithë rrugëtimin tim. E shoh si një vlerësim që shkon përtej arritjeve personale; është një platformë që forcon ndërgjegjësimin për rëndësinë e ndërlidhjes midis transparencës, tranzicionit energjetik dhe qeverisjes së burimeve natyrore.

Në rolin tim në Sekretariatin Ndërkombëtar të EITI në Oslo, ku menaxhoj programe në mbi 55 vende, e ndiej fort përgjegjësinë për të ndikuar politika globale dhe standarde që promovojnë llogaridhënie dhe zhvillim të qëndrueshëm. Ky vlerësim më kujton se lidershipi nuk është vetëm sukses personal, por një detyrim për të hapur rrugë për të tjerët, veçanërisht për gratë dhe profesionistët nga vendet në zhvillim.

Si shqiptare e diasporës, çfarë lidhjeje mbani sot me Shqipërinë dhe rajonin, dhe çfarë mesazhi do t’u jepnit vajzave të reja që duan të ndërtojnë karrierë në fusha të vështira si energjia, teknologjia apo politikat publike?

Lidhja ime me Kosovën, Shqipërinë dhe rajonin mbetet shumë e fortë. Përmes punës sime kam kontribuar në analiza, këshillim institucional dhe avokim për transparencë, dhe vazhdoj ta shoh rajonin si një hapësirë me potencial të madh për tranzicion energjetik dhe reforma strukturore. Përvoja ime globale më jep mundësinë të sjell perspektiva dhe praktika të mira në diskutimet rajonale. Vazhdoj të jem kryesuese e rrjetit Gratë në Energji dhe Miniera, rrjet profesionist me rreth 100 anëtare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe nga diaspora ku jetojnë dhe veprojnë (Belgjikë, SHBA, Kanadë, Zvicër, Irlandë).  

Vajzave të reja do t’u thosha: mos e kufizoni veten nga stereotipet. Energjia, minierat dhe politikat publike nuk janë vetëm për një profil të caktuar. Këto fusha kanë nevojë për mendje kritike, perspektiva të ndryshme dhe lidership femëror. Investoni në arsim, kërkoni mentorë, ndërtoni rrjete profesionale dhe mos kini frikë të dilni nga zona e rehatisë. Shpesh mundësitë më të mëdha fshihen pas sfidave më të mëdha. Çdo hap që bëni sot kontribuon në një ndryshim më të gjerë që do ta ndiejnë gjeneratat e ardhshme.

 

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
✨ Thënia e ditës
“Mos bëj kompromis me veten, sepse je çdo gjë që ke.”
— Janis Joplin
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0