Shumë njerëz që më njohin e dinë që unë pothuajse kurrë nuk lë takim në një qendër tregtare. Një zgjedhje pak e pazakontë për një vajzë ( pa dashur të hyj në retorika gjinore), por për mua qendrat tregtare janë një terren i pastër konfuzioni; ku dritat, vendosja e objekteve, aromat dhe zhurmat e ambientit nuk janë të rastësishme, por kanë një qëllim të qartë: të të hutojnë dhe të të bëjnë të marrësh vendimin për blerje pa e kuptuar. Nuk është çudi aspak dhe është krejtësisht legjitime brenda logjikës ekonomike.
E solla këtë përvojë të shkurtër personale, sepse shpesh më bën të reflektoj për gjendjen tonë mendore dhe emocionale në këtë kohë të ashtuquajtuar moderne që po jetojmë. Jemi pjesë të një epoke ku shpërqendrimi është bërë një problem i madh dhe ku mund të thuhet pa frikë se po kthehet në një ”sëmundje” të shekullit tonë. Bombardimi i vazhdueshëm me informacione, lajme dramatike, njoftime të pandërprera nga telefoni, orë të tëra të kaluara para ekranit të kompjuterit apo celularit, konsumi i pakufizuar i përmbajtjes në mediat sociale; të gjitha këto faktorë e bëjnë të vështirë të mbash një mendje të kthjellet.
Shpërqendrimi i ditëve të sotme nuk është më vetëm një fenomen individual; ai është një produkt i qasjes sonë ndaj stilit modern të jetës dhe sigurisht teknologjisë. Çdo mesazh që na arrin, çdo lajm që na nxit emocionet (qoft ai negativ apo pozitiv), çdo ekran që kërkon vëmendjen tonë, na shtyn drejt konsumit, reagimit të menjëhershëm dhe lëvizjes pa menduar gjatë. Edhe pse nuk po flas vetëm për marketingun apo qendrat tregtare, por edhe për teknologjinë, telefonin, mediat sociale etj që duket sikur e vënë trurin tonë nën presion të përhershëm nga zgjedhjet e pandërprera dhe nga kërkesa për vëmendje të vazhdueshme.
Jo më kot, studimet dhe profesionistët e psikologjisë paralajmërojnë në ditët e sotme për rritjen e ankthit, stresit, lodhjes mendore dhe uljes së kapacitetit për tu përqendruar. Më shumë sesa një shqetësim individual, kjo duket se është një sfidë sociale dhe kolektive përtej kufijëve, etnive, shteteve…
Teknologjia, ekranet dhe lajmet ”e forta” janë vetëm simbole të një strukture më të gjerë: një botë që nuk ndalon, që kërkon të të mbajë gjithmonë “online”, të shpërqendruar, peng të risive, modës së fundit, suksesit, arrijeve, pasurisë…
Rrugëdalja? Vetëdija është hapi i parë. Të vendosësh kufij, të ndalosh për një çast, të menaxhosh kohën, dëshirat e vërteta dhe prioritetet e tua. Shpërqendrimi është një sfidë e vërtetë e epokës sonë dhe të ruash kthjelltësinë në gjithë këtët rrëmujë, është më shumë se një mekanizëm mbrojtës ndaj vetes…është një akt lirie, një akt vërtetësie.
Opinion
Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull i përkasin autorit/es dhe nuk pasqyrojnë në asnjë mënyrë qëndrimin editorial të Business Magazine.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto