Shpallet fituesi i koncesionarit për ndërtimin e terminalit të pasagjerëve në Tiranë - Business Magazine Albania

Shpallet fituesi i koncesionarit për ndërtimin e terminalit të pasagjerëve në Tiranë


Agjencia e Prokurimit Publik shpalli fitues bashkimin e kompanive “Salillari” sh.p.k. & “Hellas Servis” sh.p.k. & “Analysis Computer” & “Servis Sa” & “Klodioda” për ndërtimin me koncesion të Terminalit të Transportit Publik në Tiranë.

Periudha e koncesionit do të jetë prej 33 vjet dhe kompania Salillari ka paraqitur një tarifë koncesioni prej 2% dhe një zbritje në tarifat e terminalit, prej 50%. Ajo ka paraqitur në ofertën e saj një ndarje fitimi 5% dhe një periudhë ndërtimi të terminalit, prej 510 ditësh.

Terminali do të jetë i vendosur në një sipërfaqe 85,000 metra katrorë përgjatë Autostradës Tiranë-Durrës dhe vlera e investimit parashikohet 15,5 milionë euro. Bashkia e Tiranës ka ftuar Operatorët Ekonomikë në një procedurë ndërkombëtare tenderimi për Partneritetin Publik Privat, për hartimin e detajuar dhe zbatimin e ndërtimit të Terminalit të Ri dhe mirëmbajtjen, si dhe menaxhimin e mëvonshëm. Bashkia e Tiranës sqaron se autoriteti kontraktor do të marrë parasysh vetëm ofertat e atyre tenderuesve apo konsorciumet e tenderuesve, të cilët kanë kaluar kufijtë minimalë, të përcaktuara në kriteret e kualifikimit.

Gjatë ndërtimit të terminalit, Bashkia e Tiranës bën me dije se ka si objektiv përmirësimin e lëvizshmërisë së përgjithshme, duke siguruar një terminal me kapacitet të plotë transporti, ku autobusët ndërqytetës do të shkarkojnë pasagjerë për në autobusë urbanë dhe taksi përgjatë korridorit kryesor të qytetit në pjesën veriore, perëndimore dhe jugore të vendit, duke zvogëluar kështu bllokimet e trafikut në qendër të qytetit, përmirësimin e ndotjes së ajrit dhe reduktimin e konsumit të karburantit për transport publik.

Autoriteti Kontraktor do të ofrojë një truall prej 85,000 metra katrorë, vendosur përgjatë korridorit kryesor që çon në veriperëndim, nga qyteti në drejtim të Durrësit, truall i cili do t’i kontraktohet në baza afatgjatë ofertuesit fitues për të ndërtuar, për të operuar dhe për të ruajtur terminalin për të mirën e operatorëve dhe udhëtarëve. Në shkëmbim, të gjitha tarifat e vendqëndrimit të autobusëve, të ardhurat e qiradhënies me pakicë dhe tarifat e parkimit, do të arkëtohen nga kompania që do të fitojë garën për ndërtimin e terminalit.

Burimi: acp.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0