Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) ka dalë kundër propozimit të qeverisë për të vendosur një limit prej 500 mijë lekësh për pagesat cash të individëve, duke argumentuar se masa nuk i shërben luftës kundër informalitetit dhe ekonomisë së parasë fizike.
Gjatë dëgjesës në Komisionin Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, sekretari i përgjithshëm i AAB-së, Spiro Brumbulli, vlerësoi se vendosja e kufijve për pagesat cash është një hap i rëndësishëm drejt formalizimit, por theksoi se tavani i propozuar për individët është shumë i lartë dhe jashtë praktikave rajonale.
Sipas tij, ndërsa kufiri për bizneset që ulet nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë është pozitiv, vendosja e një limiti pesëfish më të lartë për individët nuk është logjike dhe nuk mbështetet në analiza ekonomike.
“Në rajon, si në Greqi ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut, kufiri është 500 euro, njësoj për bizneset dhe individët. Si ka kuptim që në Shqipëri, me pagë mesatare 90 mijë lekë, të vendoset një limit kaq i lartë?”, deklaroi Brumbulli, duke propozuar një kufi 50–60 mijë lekë për veprimet me cash.
Ai shtoi se Shqipëria nuk mund të krahasohet me vende si Gjermania apo Holanda, ku nivelet e informalitetit janë shumë më të ulëta.
Sipas tij, masa e re “nuk përputhet me përpjekjet për të reduktuar paranë cash në ekonomi”.
Kujtojmë se në paketën fiskale, qeveria ka propozuar edhe një detyrim të ri: pajisjen e një pjese të madhe të bizneseve me terminale POS/POI për të mundësuar pagesat elektronike.
Afatet e propozuara janë:
- për hotelet, strukturat akomoduese, transportin dhe institucionet publike: deri më 30 maj 2026
- për tatimpaguesit e tjerë: deri më 31 dhjetor 2026
Megjithatë, shumica e bizneseve të vogla do të jenë të përjashtuara, si p.sh ato në zona pa internet, subjektet që nuk lëshojnë fatura, si dhe të vetëpunësuarit pa TVSH dhe me vetëm një vendndodhje biznesi.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto