Shkëputja mes prindërve dhe fëmijëve është një fenomen më i përhapur se sa mund të mendohet. Në një epokë ku mirëqenia mendore dhe vetëkujdesi janë kthyer në përparësi, gjithnjë e më shumë të rinj, por edhe të rritur po vendosin të largohen nga marrëdhëniet që i dëmtojnë emocionalisht, edhe kur këto lidhen përmes gjakut. Por a është kjo zgjidhja e duhur? Dhe më e rëndësishmja: a i bën kjo njerëzit më të lumtur?
Sipas një artikulli të BBC-së, një studim në SHBA me mbi 8,500 persona zbuloi se 26% kishin pasur periudha shkëputjeje nga babai dhe 6% nga nëna, në një hark kohor 24-vjeçar. Një tjetër studim në Gjermani gjeti se 20% e pjesëmarrësve kishin shkëputur kontaktet me të atin për një periudhë kohe.
Sociologu Karl Pillemer dhe psikologu Joshua Coleman, që e kanë ndjekur këtë fenomen nga afër, janë të një mendimi: rritja e individualizmit, ndikimi i rrjeteve sociale dhe popullariteti i terapisë personale po e normalizojnë largimin nga marrëdhëniet toksike – përfshirë edhe ato familjare.
“Shumë njerëz më thonë se ndihen më të lehtësuar dhe më pak të stresuar pas shkëputjes nga prindërit; për ta, kjo është mënyra për të ruajtur ekuilibrin mendor,” thotë Coleman.
Arsyet për këto shkëputje janë të ndryshme: nga abuzimi fizik apo emocional, kontrolli i tepruar, konfliktet pas ndarjeve familjare, deri tek tensionet me partnerët e rinj të prindërve. Shpesh nuk është një ngjarje e vetme, por një grumbull i vogël ndjesish, fyerjesh e zhgënjimesh që rriten me kohën, derisa të sjellin një vendim të prerë.
Lexo edhe: Shkenctarët japonezë: Gjumi ndihmon trurin të përgatitet për të ardhmen
Psikologia Lucy Blake thekson se dhuna nuk është gjithmonë fizike: “Nuk mjafton të thuash ‘nuk pati rrahje’. Abuzimi emocional lë plagë po aq reale. Askush nuk është i detyruar të qëndrojë në një marrëdhënie ku ndjehet i pasigurt.”
Çfarë i detyrohemi prindërve?
Filozofi Christopher Cowley, nga Universiteti i Dublinit, ngren një pyetje delikate:“Në njëfarë mënyre, prindërve u detyrohemi gjithçka – jetën, kujdesin, sakrificat. Por nëse ka pasur abuzim serioz, a kemi ende një detyrim moral për të qëndruar pranë tyre?”
Cowley beson se marrëdhëniet me prindërit duhet të evoluojnë në një miqësi të ndërsjellë, të bazuar në respekt dhe mirëkuptim – jo në detyrim të heshtur.
Psikologët theksojnë se kujtesa njerëzore nuk është gjithmonë e saktë dhe shpesh ndikohet nga emocionet. Ne mund të kujtojmë fëmijërinë ndryshe nga sa e kanë përjetuar prindërit tanë. E për këtë arsye, para se të pritet çdo urë, ekspertët këshillojnë reflektim të thellë: A do të ndiheshim mirë me këtë vendim nëse një ditë ata nuk do të ishin më? A kemi kërkuar me të vërtetë të kuptojmë këndvështrimin e tyre?
Në një studim 10-vjeçar, rezultoi se 62% e atyre që ishin shkëputur nga nënat dhe 44% nga baballarët rikthyen kontaktet – qoftë edhe përkohësisht.
Sepse në fund, asnjë prind nuk i detyrohet fëmijës një fëmijëri të përsosur, ashtu si asnjë fëmijë nuk i detyrohet prindit një jetë pa kufij. Ndoshta ajo që i detyrohemi njëri-tjetrit është empatia, sinqeriteti dhe gatishmëria për të dëgjuar.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.