Shkencëtarët kanë krijuar modele embrionale për t’i ndihmuar të studiojnë misteret e zhvillimit të hershëm njerëzor, problemet mjekësore që ndodhin përpara lindjes dhe arsyet përse shumë shtatëzani dështojnë. Janë publikuar tashmë konkluzionet e një studimi të ri të prodhimit të modeleve embrionale nga qelizat staminale, dhe jo nga vezorja dhe sperma.
Në pamjet e formës më të hershme të jetës duken embrionët deri në 14 ditë pas fertilizimit, të krijuar nga qeliza staminale në laboratorin e Profesor Jacob Hannas, në Rehovot të Izraelit.
Megjithëse nuk janë identikë me embrionët njerëzorë që krijohen në mitër, ato janë modele të plota, thuhet në studimin e publikuar në revistën shkencore “Nature”.
Këta embrionë nuk mund të përdoren për të krijuar bebe, por u mundësojnë shkencëtarëve që t’i hedhin një vështrim fazave fillestare të zhvillimit. Kjo nuk është e mundur të bëhet në mitër, pasi embrionët janë shumë të vështirë për t’u dalluar në brendësitë e uterusit.
Profesor Hanna thotë se të gjitha modelet përmbajnë membranat embrionale dhe ato të jashtme. Ai thotë se kjo punë kërkimore është e domosdoshme pasi nuk mund të përftohen këto qeliza në ndonjë mënyrë tjetër.
Lexo edhe:Neuralink ka nisur rekrutimin e njerëzve për të filluar testimin e çipit
“Në fushën e qelizave staminale ka një përpjekje të madhe për të kuptuar se si i dallojmë nga organet dhe qelizat, dhe na duhet të imitojmë embrionin njerëzor që të mësojmë parimet, të cilat t’i zbatojmë tek qelizat staminale. Por kemi një pengesë të madhe për të patur qasjen tek mostrat embrionale të hershme, dmth nga dita e 7-të deri në ditën e 28-të të zhvillimit të embrionit. Është fazë shumë e hershme e shtatëzanisë dhe zakonisht gratë mund të mos e dinë se janë shtatëzana. Ka edhe shumë probleme etike dhe teknike në marrjen e këtij lloji materiali”, thotë ai.
Sipas profesorit Hanna, prodhimi i modeleve embrionale nga qelizat staminale do të bëjë të mundur edhe studimin e shumë sëmundjeve.
“Mund të prodhojmë mijëra modele embrionalë dhe t’i studiojmë. Kjo krijon një avantazh shumë të madh teknik dhe biologjik dhe rrit njohuritë që kemi për qenien tonë njerëzore, që mendoj se është diçka shumë e rëndësishme”, thotë ai.
Studimi i tij është më i fundmi në një vargan studimesh që shqyrtojnë fillesat e jetës njerëzore, në kushte laboratorike. Studime të tjera janë botuar nga shkencëtarët në Universitetin Teknik të Kalifornisë, si dhe në Universitetin e Kembrixhit në Britani. Modelet e tyre mund të përdoren jo vetëm për të prodhuar embrionë, por edhe për qeliza të ndryshme të trupit të një njeriu në moshë madhore.
Shkencëtarët mendojnë se nga studimi i këtyre fazave tepër të hershme të zhvillimit, mund të kuptojnë më shumë rreth dështimit të embrionëve, çrregullimeve në zhvillim si dhe humbjes së shtatëzanisë.
“Janë faza që në të kaluarën kanë qenë të vështira për t’u studiuar, por është pikërisht periudha kur dështojnë shumë prej shtatëzanive. Pra, të dhënat më të reja nga embrionët e prodhuar nga qeliza staminale mund të sjellin një botëkuptim më të mirë të shkaqeve të dështimit të shtatëzanive dhe të fazave më të hershme të zhvillimit njerëzor”, thotë Dr. James Briscoe, drejtues shkencor në Qendrën “Francis Crick”, në Londër.
Ai shton megjithatë se puna kërkimore nuk është ende pranë fazës kur një embrion i prodhuar nga qeliza staminale të mund të zhvillohet në faza të mëtejshme, dhe sigurisht shumë larg momentit kur mund të vendoset brenda një njeriu.
Këto modele embrionale kanë krijuar shqetësime serioze që duhet të debatohen në mënyrë që puna kërkimore të bëhet në mënyrë etike. Sipas udhëzimeve të Shoqatës Ndërkombëtare për Punën Kërkimore me Qeliza Staminale, shkencëtarët nuk duhet të vendosin një model embrional në trupin e një njeriu. Praktika e deritanishme ka qenë që studiuesit nuk duhej ta rrisnin një embrion në laborator përtej moshës së 14 ditëve. Por, duke qenë se këto modele nuk janë embrione, ato nuk i përfshin ky rregull.
“Nuk ekziston asnjë rregullore e qartë për përdorimin e qelizave staminale të marra nga embrionë njerëzorë. Mendoj pra se është urgjente nevoja për të shqyrtuar rregulla të këtilla dhe për të mundësuar një kuadër ligjor dhe etik për krijimin dhe përdorimin e këtyre modeleve të përftuara nga qeliza staminale, si dhe për arsye kërkimore”, thotë profesor Briscoe.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.