Serena Williams ndan vlerën Nr.1 që i mësuan prindërit dhe që e çoi drejt suksesit - Business Magazine Albania

Serena Williams ndan vlerën Nr.1 që i mësuan prindërit dhe që e çoi drejt suksesit

Serena Williams ndan vlerën Nr.1 që i mësuan prindërit dhe që e çoi drejt suksesit

Legjenda e tenisit, Serena Williams, ka treguar se cila është vlera më e rëndësishme që i kanë dhënë prindërit e saj dhe që ka ndikuar drejtpërdrejt në suksesin e saj, si në sport, ashtu edhe në botën e biznesit.

Në një intervistë për “CNBC Meets” me gazetaren Tania Bryer, Williams tha se një nga vlerat që e ka shoqëruar përgjatë gjithë karrierës është përulësia.

“Mendoj se vlera kryesore që më kanë dhënë është përulësia. Dhe kjo, sipas meje, vlen më shumë se çdo kampionat apo trofe, sepse të mban me këmbë në tokë si individ,” tha Williams. “Të mban të respektueshëm dhe të barabartë me të tjerët, sepse në fund të ditës, të gjithë jemi njësoj, apo jo? Disa prej nesh mund të jemi pak më të mirë në disa gjëra, por jemi të gjithë njerëz.”

Me 23 tituj “Grand Slam” në kategorinë e tekeve, Serena është një ndër sportistet më të suksesshme të të gjitha kohërave. Pas largimit nga tenisi në vitin 2022, ajo iu përkushtua sipërmarrjes, duke themeluar fondin e kapitalit sipërmarrës Serena Ventures. E pyetur nëse mendon që ka ndikuar në përmirësimin e sportit të tenisit, Williams u shpreh: “Nuk do ta thoja kurrë këtë. Thjesht pata mundësinë të luaj një sport të mrekullueshëm dhe dhashë më të mirën time. A është më mirë sporti për shkakun tim? Nuk e di. Mendoj që ishte fantastik edhe para meje dhe do të vazhdojë të jetë i tillë edhe pas meje. Unë thjesht pata një moment kalimtar që do ta kujtoj dhe çmoj gjithmonë.” Së fundmi, Williams ka marrë rolin e entrepreneur in residence tek gjiganti i produkteve të konsumit Reckitt, i cili ka lançuar programin “Reckitt Catalyst”. Programi synon të investojë dhe mbështesë 200 startup-e në fushën e shëndetit dhe higjienës, të themeluara nga gra. Serena do të jetë një figurë kyçe në mentorimin e këtyre themelueseve dhe sipërmarrëseve.

Lexo edhe:Do të biesh në sy në çdo intervistë apo takim? Bëj këto pyetje!

“Duhet shumë disiplinë”

Nëna e dy fëmijëve dhe 43-vjeçarja thotë se një nga aftësitë më të vlefshme që e ka ndihmuar në tranzicionin nga sporti në biznes është disiplina. “Tenisi është një sport që e stërvit çdo ditë. Duhet të ushtrohesh çdo ditë. Edhe biznesi është njësoj. Është identik. Duhet shumë disiplinë,” theksoi ajo. “Gjithashtu, duhet të jesh i vendosur, si në momentet e mira ashtu edhe në ato të vështira. Kjo vendosmëri më ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës sime dhe tani mezi pres ta ndaj me mentorët e rinj që do të udhëheq.”

Sipas saj, një pjesë e suksesit vjen nga natyra, por një pjesë tjetër mund të kultivohet. “Mendoj që shumë gjëra janë të lindura, por shumë të tjera mund të zhvillohen. E di këtë nga përvoja. Dhe mezi pres t’i ndihmoj këta themelues të arrijnë sukses – çfarëdo kuptimi që ka suksesi për ta, sepse suksesi nuk ka vetëm një përkufizim.”

cnbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0