Rrugëtimi i Brilant Dushaj: Inxhinieri nga Shqipëria në rrethin e aeronautikës - Business Magazine Albania

Rrugëtimi i Brilant Dushaj: Inxhinieri nga Shqipëria në rrethin e aeronautikës

Brilant Dushaj

Brilant Dushaj është një inxhinier i talentuar dhe një nga përfaqësuesit më të rinj të industrisë aeronautike. Ai ka kaluar një rrugëtim të jashtëzakonshëm që ka nisur në Shqipëri dhe ka vazhduar në Francë, për të përfunduar në programin prestigjioz Graduate të Airbus. Me një pasion të jashtëzakonshëm për shkencën dhe teknologjinë, Brilanti ka kaluar nga një fëmijë emigrant në Francë në një profesionist i suksesshëm në fushën e aeronautikës, duke u bërë pjesë e një prej kompanive më të mëdha në botë. Në këtë intervistë, ai ndan me ne eksperiencën e tij të veçantë, arritjet dhe planet për të ardhmen, duke na treguar se si puna e palodhur dhe përkushtimi mund të çojnë në sukses, pa marrë parasysh sfidat e udhëtimit të tij.

Si ka qenë rrugëtimi juaj në Francë? Ju keni vajtur 12 vjeç atje?

Kam mbërritur në Francë në moshën 12 vjeçare për arsye familjare. Dija vetëm pak frengjisht por fjalë të pakta sa për komunikimin ditor. Fillimi ishte shumë i vështirë sepse nuk njihja askënd, nuk kisha shokë dhe jam munduar të integrohem në një mjedis dhe kulturë e cila ndryshon shumë me jetën në Shqipëri. Më pëlqente shkolla, sidomos lëndët shkencore si matematika dhe fizika. Më ndihmonin të harroja vështirësitë e përditshme të jetës së një emigranti në një shtet të  huaj.

Kur filluat të kuptoni që ju pëlqen teknologjia dhe si zgjodhet të studioni në fushën e aeronautikës?

Shkenca më ka pëlqyer që kur isha shumë i ri, shumë përpara se të largohesha nga Shqipëria. Isha i pasionuar me kompjuterat dhe internetin. Kurioziteti ka qenë gjithmonë një shtysë e madhe për mua dhe një burim energjie për të kuptuar dhe arritur sa më shumë. Pasi mbarova provimet e maturës në Francë me specialitet shkencor në 2018 me rezultatet më të larta (BAC Scientifique  Mention Très Bien), hyra në Universitetin e Lyonit në specialitet inxhineri të përgjithshme. Aeronautika nuk më dukej një fushë e lehtë sepse aty mund të gjejmë një ndërthurje të njohurive të shumë fushave si mekanika, sistemet elektrike dhe elektronike, aerodinamika, termodinamika dhe sistemet propulsive (motorat e avionit). Kam qenë i interesuar për aviona që në moshë të re sepse më dukej fantastike se si njeriu është i aftë të krijojë objekte gjigande që fluturojnë, pra se si njërëzit të bashkuar munden ta bëjnë botën më të mirë, tu lehtësosh jetesën njerëzimit dhe ti afrosh me njëri-tjetrin. Ky mesazh është shumë i rëndësishëm sidomos në këtë kohë konflikti dhe tensionesh anëmbanë botës.

Brilant Dushaj

Cilat janë pasionet e tua? Si i zhvillon ato?

Kam shumë pasione si teknologjia dhe sidomos inteligjenca artificiale. Gjatë studimeve të mia, kam pasur mundësinë të bëj një internship (praktikë) në Suedi në Universitetin KTH në Stokholm. Atje pata mundësinë të zbuloj dhe të punoj me shkencëtarë nga e gjithë bota mbi algoritmat e inteligjencës artificiale. Gjithashtu më pelqen shumë fotografia. Kam një portfol me fotografi në Instagram dhe VSCO ku publikoj krijimet e mia.
Në sporte është futbolli dhe frekuentoj shpesh sallën e sportit.
Përfundoj me aeronautikën ku kam pasur mundësinë të hyj në shkollën inxhinierike ISAE (Institut Supérieur de l’Aéronautique et de l’Espace) në Toulouse të Francës pas konkurseve selektive e cila më ka hapur shumë dyer. Kam marrë pjesë në sallonin ndërkombëtar të aeronautikës Le Bourget në Paris që mbahet çdo 2 vite kjo fal shkollës sime. Ishte një eksperiencë fantastike ku mund të gjejmë shumicën e kompanive të fushës së aeronautikës dhe kompanive hapësinore, si Ariane Group ose European Space Agency në Europë. Më vonë pasi përfundova shkollën u transferova tek Airbus në një Global Graduate Program. Një program i cili është i njohur si përshpejtues karriere për persona shumë të talentuar dhe me potencial. Pata fatin e mirë të zgjidhem në vitin 2024 me 150 persona të tjerë në mbarë botën mbi 37000 aplikime.

 

Cilat mendoni se janë arritjet tuaja kryesore dhe vleresimet që keni marrë? A mendoni se vendi ishte një mundësi për ju?

Të them të drejtën arritja më e madhe është që kam bërë familjen time krenare. Pavarësisht vështirësive sepse nuk është fare e lehtë të ikësh në një shtet tjetër dhe të ndjekësh një edukim dhe një rrugë shkencore, familja ime pra nëna dhe 3 motrat e mia më kanë mbështetur shumë gjatë rrugëtimit. Pa mbështetjen e tyre nuk do ti kisha arritur ndoshta asnjëherë këto që kam sot. Arritja kryesore ka qenë hyrja në programin Graduate të Airbus sikur e thashë më përpara. Procesi selektiv ishte plot teste personaleti, teamwork dhe 3 intervista të ndryshme me burimet njerëzore, menaxheren time dhe ekipin që do të integroja. Ky Graduate Program më jep mundësinë të ndryshoj punë çdo 6 muaj dhe të shoh sektore të tjerë në të gjithë kompaninë Airbus që është konstruktori më i madh aeronautik në Europë dhe në botë. Kemi klientë anembanë botës (sikur Air Albania me familjen Airbus A320) dhe vazhdojmë të rritemi. Punoj sikur Integrated Business Planning Manager në programin e avionave A350 që lidhin Europën me kontinentet e tjera sidomos Azia dhe Amerika. Kemi gjithashtu trainings në lidhje me rolin e menaxherit dhe psikologjinë në vendin e punës në lidhje me këtë program. Pastaj kam pasur arritje të tjera akademike të ndryshme ku kam përfunduar në top 3 të klasës time inxhinerike në ISAE. Besoj që Franca ka qenë një mundësi e madhe për mua sepse ambienti shkencor dhe zhvillimi aeronautik francez kanë qenë mjetet e nevojshme që më kanë ndihmuar të arrij qëllimet e mia. Besoj me të vërtetë që me shumë punë, përkushtim dhe kuriozitet është e mundur t’ia arrish objektivave dhe ëndrrave sado të vështira të të duken.

Si e shpenzoni kohën e lirë?

Më pëlqen të lexoj autorë si Ernest Hemingway, Dostoievski dhe gjithashtu libra të kultivimit personal. Bëj aktivite sportive në salla sporti, të paktën 3 herë në javë, gjithashtu bëj hiking në mal me shokë ose kolegë të punës. Janë aktivitete shumë stimuluese.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Nuk jam person që mendoj shumë për të ardhmen e largët. Qellimi im kryesor është të jem i lumtur dhe të ushtroj një punë interesante. Do të doja të menaxhoja një ekip në të ardhmen edhe të rritem në detyrë për disa vite para se të krijoj ndoshta biznesin tim, por është akoma herët për këtë. Do të doja shumë të ndaja njohuritë e mia dhe eksperiencën time në të ardhmen edhe në Shqipëri për të zhvilluar fushën e bukur aeronautike.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0