Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) publikoi sot treguesit statistikore të aktivitetit për vitin 2025, duke evidentuar një vit me volum të lartë shërbimesh, rritje të regjistrimeve të bizneseve të reja dhe përdorim të gjerë të shërbimeve digjitale.
Sipas të dhënave, gjatë vitit të kaluar QKB administron 177,307 aplikime, nga të cilat 154,436 në Regjistrin Tregtar, 13,025 në Regjistrin e Lejeve, Licencave dhe Autorizimeve dhe 9,846 në Regjistrin e Pronarëve Përfitues. Krahasuar me vitet e mëparshme, volumi total i aplikimeve mbetet në nivele të qëndrueshme, ndërsa vihet re një rritje e aplikimeve në Regjistrin e Pronarëve Përfitues dhe në fushën e licencave.
Shërbimet më të përdorura nga bizneset lidhen kryesisht me Regjistrin Tregtar, ku kryesojnë dorëzimi i bilancit vjetor, ndryshimet për shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar dhe për personat fizikë, regjistrimi i personit fizik dhe pezullimi i aktivitetit. Ndërsa në Regjistrin e Lejeve, Licencave dhe Autorizimeve, kërkesat më të shpeshta kanë qenë aplikimet e reja, ndryshimet, revokimet vullnetare dhe shtyrjet e afatit. Në Regjistrin e Pronarëve Përfitues dominojnë aplikimet për regjistrim fillestar dhe për ndryshim të të dhënave.
Regjistrimet e bizneseve të reja shënuan një rritje të ndjeshme, duke arritur 20,765 subjekte, krahasuar me 17,500 në 2024 dhe 16,853 në 2023. Tirana vijon të mbajë peshën kryesore me 11,175 biznese të reja, e ndjekur nga Durrësi (2,185), Vlora (1,913), Fieri (1,173), Elbasani (873) dhe Shkodra (849). Regjistrime të konsiderueshme janë shënuar gjithashtu në Lezhë, Korçë, Berat, Gjirokastër, Dibër dhe Kukës.
Sa i përket sektorëve të ekonomisë, numri më i lartë i regjistrimeve i përket tregtisë me shumicë dhe pakicë, përfshirë riparimin e automjeteve dhe motorçikletave (5,341), ndjekur nga akomodimi dhe shërbimi ushqimor (2,878), ndërtimi (1,663), aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike (1,645), informacioni dhe komunikacioni (1,547), shërbimet administrative dhe mbështetëse (1,515) dhe transporti e magazinimi (1,433).
Në fushën e lejeve dhe licencave, gjatë 2025 janë lëshuar 2,000 licenca të reja, kryesisht për shërbime mjekësore dhe stomatologjike, prodhim dhe tregti ushqimore, farmaci, aktivitete të lidhura me automjetet, operatorë turistikë dhe shitje me shumicë të ushqimeve me origjinë shtazore. Po ashtu, janë dhënë 249 leje të reja, përfshirë lejet mjedisore të tipit B, lejet për peshkim dhe shfrytëzim të faunës ujore dhe lejet minerare. Krahasuar me vitet e mëparshme, treguesit e licencave shënojnë gjithashtu rritje të qëndrueshme.
QKB thekson se trendi i përdorimit të shërbimeve digjitale dhe rritja e regjistrimeve të bizneseve janë tregues pozitivë të zhvillimit ekonomik dhe të besimit në shërbimet publike elektronike.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto