Rregullat e ofrimit dhe përdorimit të internetit do të ndryshojnë,... - Business Magazine Albania

Rregullat e ofrimit dhe përdorimit të internetit do të ndryshojnë, çfarë parashikon udhëzimi i ri i AKEP

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka hedhur në konsultim publik Projekt-Udhëzimin për Zbatimin e Rregullave për Internetin e Hapur, një dokument kyç që synon të konkretizojë mënyrën se si do të zbatohen në praktikë parimet e neutralitetit të internetit në Shqipëri, sipas Ligjit nr. 54/2024 “Për Komunikimet Elektronike”.

Në thelb, projekt-udhëzimi synon të garantojë që interneti të mbetet i hapur, i barabartë dhe jodiskriminues; ofruesit e shërbimit të internetit (ISP) të mos favorizojnë apo bllokojnë përmbajtje, aplikacione ose shërbime të caktuara; konsumatorët dhe bizneset të kenë qartësi kontraktuale dhe mbrojtje efektive në rast mospërputhjesh me cilësinë e shërbimit.

AKEP e pozicionon këtë udhëzim si një instrument që rrit sigurinë juridike për operatorët, por njëkohësisht forcon të drejtat e përdoruesve fundorë dhe funksionimin e tregut digjital si një hapësirë konkurruese dhe inovative.

Dokumenti sanksionon qartë se çdo përdorues, qoftë individ apo biznes, ka të drejtë të aksesojë dhe shpërndajë çdo përmbajtje ligjore; të përdorë dhe ofrojë çdo aplikacion apo shërbim online; të përdorë pajisje fundore sipas zgjedhjes së tij, pa kufizime artificiale nga operatorët.

Çdo praktikë që kufizon këto të drejta (p.sh. ndalimi i VoIP, video-streaming, tethering apo aplikacioneve të caktuara) konsiderohet shkelje e parimit të internetit të hapur.

ISP-të janë të detyruara të trajtojnë të gjithë trafikun në mënyrë të barabartë, pa bllokim, ngadalësim, prioritizim, ose diskriminim sipas përmbajtjes, aplikacionit apo burimit.

Menaxhimi i trafikut lejohet vetëm në raste të justifikuara, si ruajtja e integritetit dhe sigurisë së rrjetit; parandalimi i mbingarkesave të përkohshme; respektimi i detyrimeve ligjore.

Çdo masë duhet të jetë proporcionale, transparente dhe e përkohshme, dhe jo e bazuar në interesa tregtare.

AKEP sqaron se kontratat mund të parashikojnë shpejtësi të ndryshme interneti, kufij volumesh, tarifa të ndryshme, por pa cenuar të drejtat bazë të përdoruesve.

Një element i rëndësishëm është ndalimi i praktikave jo-agnostike ndaj aplikacioneve, përfshirë zero-rating për aplikacione të caktuara; tarifa të diferencuara që favorizojnë shërbimet e vetë operatorit ose partnerëve të tij.

Këto praktika konsiderohen nga AKEP si të papajtueshme me internetin e hapur.

ISP-të do të kenë detyrimin të informojnë qartë përdoruesit për shpejtësitë minimale, tipike dhe maksimale; ndikimin e menaxhimit të trafikut në cilësinë e shërbimit; mjetet juridike dhe procedurat e ankesave.

AKEP parashikon gjithashtu mekanizma monitorimi të certifikuar për matjen e cilësisë reale të shërbimit të internetit, në linjë me praktikat e BE-së.

Nëpërmjet këtij udhëzimi, AKEP forcon rolin mbikëqyrës mund të kërkojë informacion të detajuar nga operatorët; të ndërhyjë në rast shkeljesh; të vendosë masa korrigjuese për të parandaluar degradimin e cilësisë së internetit. Qasja e ndjekur është e njëjtë me atë të autoriteteve evropiane dhe bazohet në udhëzimet e BEREC.

Projektudhëzimi prek drejtpërdrejt operatorët e internetit (fiks dhe celular); bizneset digjitale dhe platformat online; konsumatorët dhe përdoruesit intensivë të internetit. /ekofin.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0