Në prag të edicionit të radhës së Leadership Forum, me temën “Rising Together: Albania’s Journey Toward a Renewed Europe”, organizatori Josh Miekley sjell një perspektivë të qartë mbi nevojën urgjente që bizneset shqiptare të përgatiten për konkurrencën evropiane. Përmes një qasjeje të hapur, jo të skriptuar dhe të bazuar në bashkëpunim, forumi synon të nxisë reflektim, veprim dhe partneritete strategjike në një moment kyç për ekonominë shqiptare.
Intervistë me Josh Miekley, organizator i Leadership Forum
Çfarë e frymëzoi krijimin e forumit me temën “Rising Together: Albania’s Journey Toward a Renewed Europe”?
Është frymëzuar nga liderët rezilientë në Shqipëri. Në forumin e 6-të në prill 2025, mbi 25 nga 120 njerëz në sallë ishin nga startup-e. Pyetja që ata ngritën ishte: “Si të rritemi tani dhe shpejt?” Ata janë gati për veprim. Nga ana tjetër, kemi biznesmenë me mbi 20 vite eksperiencë. Ata, pasi janë rritur në tregun shqiptar, po kuptojnë se duhet të adaptohen sërish, dhe shpejt.
A është ky momenti i duhur për të rimenduar rolin e Shqipërisë në peizazhin ekonomik evropian?
Po. Impact Assessment Institute (IAI) dhe Creative Business Solutions (CBS) kanë publikuar raportin mbi ndikimin e rregullave të BE-së në disa sektorë kyç të ekonomisë shqiptare. Studimi tregon qartë se rregullat e BE-së do të transformojnë këto sektorë. Bizneset mund të shtypen nga konkurrenca evropiane nëse nuk përgatiten. Standardet e BE-së do të jenë baza e çdo konkurrence. Kur flas me njerëz në sektorë si bujqësia, shumë mendojnë se nuk kanë nevojë të përgatiten ende. Shpesh dëgjoj: “Kur të vijë koha, do adaptohemi si gjithmonë.” Kjo është një recetë për katastrofë. Konsumatorët shqiptarë pëlqejnë të blejnë në vendet e BE-së sepse atje standardet janë më të larta. Bizneset shqiptare duhet të arrijnë të njëjtin nivel, ose të mbeten mbrapa.
Lexo edhe:Çelet Java Globale e Sipërmarrjes në Shqipëri
Cili është mesazhi kryesor që forumi dëshiron t’u përcjellë bizneseve shqiptare?
Pyetja kryesore që kërkojmë t’i përgjigjemi është: Çfarë duhet të bëjnë bizneset shqiptare tani për t’u përgatitur për konkurrencën në BE? Sa i përket mesazhit final, duhet ta prisni pas eventit. Do kemi në sallë shumë njerëz brilantë: sipërmarrës shqiptarë, ambasadorë dhe ekspertë si Erik Akse, njohës i rregulloreve të BE-së. Vitin e kaluar, dikush më pyeti: “Josh, a është si të gjitha eventet ku gjithçka është me skenar?” Iu përgjigja njësoj si tani: “Jo. Bukuria e këtij forumi është se ne vijmë për të eksploruar përgjigjet së bashku.”
Si e shihni rolin e sipërmarrësve shqiptarë në rinovimin e Europës: përfitues apo kontribues aktivë?
Shumë pronarë biznesesh duan në ekip një të ri energjik që sfidon status quo-në dhe i nxit të ecin përpara. Por ai i riu duhet të jetë i përgatitur. E njëjta logjikë vlen për sipërmarrjen shqiptare në Europë. Sipërmarrësit shqiptarë kanë një mundësi unike të jenë pjesë e rinovimit evropian, por duhet të jenë të përgatitur. Nuk mund t’u thuash të tjerëve “Hajde me mua në raketë drejt hënës” nëse ti vetë ende po kërkon rrugën drejt stacionit hapësinor.
Çfarë prisni nga ky forum?
Për disa biznese të vogla e të mesme, hapi i parë i domosdoshëm është transformimi digjital. Për të tjerë, do të jetë njohja me punën e Impact Assessment Institute dhe përputhja me rregulloret e BE-së. E veçanta e këtij forumi qëndron te fakti se në skenë do të jenë së bashku:
- përfaqësues të qeverisë shqiptare,
- Ambasadori i Mbretërisë së Holandës,
- Ambasadori i Republikës së Sllovenisë,
- AmCham,
- Impact Assessment Institute,
- ekspertë dhe sipërmarrës të ndryshëm.
Pjesëmarrësit vijnë me një qëllim të përbashkët: të rriten ndërsa Shqipëria afrohet me BE-në, gjë që krijon një ambient ideal për partneritete të reja.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.