Rinovimi i lidershipit ekonomik amerikan, tezat kyçe nga fjalimi i Jake Sullivan - Business Magazine Albania

Rinovimi i lidershipit ekonomik amerikan, tezat kyçe nga fjalimi i Jake Sullivan

Nga Geron Kamberi* – Sot në botë për shkak të dinamikës së marrëdhënieve ndërkombëtare, globalizimit , marrëdhënieve të shumta ekonomike e ndryshimi të situatave gjeopolitike ka shumë fjalime nga liderë të ndryshëm në forume, konferenca, apo media të ndryshme.

Por këto ditë më ngjalli një kureshtje një fjalim shumë interesant i Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare të presidentit të SHBA , Jake Sullivan që e kishte paraqitur pranë Institutit Brookings, një think tank i njohur amerikan për studime e analiza të ndryshme. Veçoria e këtij fjalimi ishin tezat interesante për të ardhmen e zhvillimeve ekonomike globale, marrëdhëniet transatlantike e ato me shtete të ndryshme përkundrejt situatave të zhvillimeve të sotme ku padashje na kujtojnë ato frazat se politika është shprehje e koncentruar e ekonomisë apo ekonomia është shprehje e koncentruar e politikës. Ndoshta duke e lexuar këtë material , që e përktheva nga interesi që më ngjalli, ndoshta mund të kuptojmë më shumë mbi zhvillimet e sotme e ato që priten në të ardhmen.

JACOB( JAKE) SULLIVAN (28.11. 1976) është aktualisht Këshilltar i Sigurisë Kombëtare pranë presidentit të Shteteve të Bashkuara Joe Biden . Më parë ka qenë një pozicionin e Drejtorit të Politikave pranë Presidentit Barack Obama dhe Këshilltar për Sigurinë Kombëtare i zëvendëspresidentit të atëhershëm Biden si edhe zëvendës Shef Kabineti i ish-Sekretares të Departamentit të Shtetit Hillary Clinton. Sullivan ka shërbyer gjithashtu si këshilltar i lartë i qeverisë së SHBA-së në negociatat me Iranin për cështjen e programit bërthamor të Iranit dhe Këshilltar i Lartë për Politikat gjatë fushatës presidenciale të ish kandidates për presidente të SHBA zj Hillary Klintonit në vitin 2016,. Sullivan ka përfunduar studimet universitare në Universitetin e Yale, ku u diplomua për marrëdhënie ndërkombëtare dhe shkenca politike ku ka marrë edhe çmimi Alpheus Henry Snow pasi u diplomua me rezultate të shkëlqyera. Më pas kreu studimet pasunioversitar të nivelit MA në Kolegjin Magdalen ( Magdalen College) të Universitetit të Oxfordit falë Bursës të Fondacionit Rhodes( Rhodes Scholarship) ku ishte për një periudhe edhe redaktor i revistës Oxford International Revieë. Më pas përfundoi studimet për doktoraturë ( Juris Doctor) pranë Universitetit të Yale( Yale Law School) në vitin 2003 .Për një periudhë kohe ka punuar për presidentin e Institutit Brookings, Strobe Talbott në Qendrën Yale për Studimin e Globalizimit(Yale Center for the Study of Globalization). si dhe profesor i jashtëm në në Fakultetin Juridik të Universtetit të Yale në SHBA.

BROOKINGS INSTITUTION(1916): Instituti Brookings Brookings, që shpesh njihet si Brookings është një institut i llojit think tank , krijuar prej më shumë se 100 vjetësh , në 1916 në SHBA . Instituti Brookings është i vendosur në kryeqytetin amerikan, Washington DC , në një zonë që njihet si “ Rreshti/Zona i/e Think Tank-eve ( Think Tank Row) që u referohet institucioneve të ngjashme të tipit think tank që ndodhen përreth hapësirës të Massachusetts Avenue në Washington, D.C., ndërmjet Thomas Circle dhe Dupont Circle. Përvec institutit Brookings( Brooking Institution) në këtë zonë janë të vendosur e ushtrojnë aktivitetin e tyre një sërë think tank të njohura që ushqejnë me analiza e studime vendimmarrjen e politikës amerikane të tilla si Carnegie Endowment for International Peace, Peterson Institute for International Economics, American Enterprise Institute, Center for Strategic and International Studies, Paul H. Nitze School of Advanced International Studies dhe Carey Business School e Johns Hopkins University , Washington Center e University of California ashtu sikurse edhe think tanke të tjera të njohura si Aspen Institute, Atlantic Council, Middle East Institute, Milken Institute, German Marshall Fund, Center for International Policy, Resources for the Future, the Institute for Policy Studies , New America Foundation. Cato Institute dhe Heritage Foundation .

Emërtimi është i ngjashëm me ato zona që njihen Rreshti/Zona i/e Milionerëv-ve ( Millionaier’s Row) apo Rreshti/Zona i /e Ambasada-ve .Instituti u krijua nga biznesmeni e filantropisti i njohur amerikan Robert S. Brookings (22.01.1850–15.11.1932),që financoi edhe krijimin e Universitetit të Washingtonit në St Lousi të shtetit Misuri. Fillimisht instituti kishte tre struktura përbërëse të ndara më vete sic ishte Instituti për Kërkime Qeveritare ( Institute for Government Research), Instituti i Ekonomisë (Institute of Economics ) dhe Shkolla Pasuniversitare Robert Brookings e lidhur me Universitetin e Uashingtonit në Shën Luis. Të tre këto struktura bashkuan më pas më 8 Dhjetor 1927 nën një strukurë të vetme që do të bëhej i njohur me emrin Instituti Brookings ( Brooking Institution).

Lexo edhe: Cili është kuptimi i gërmës “i” në produktet e Apple

Instituti realizon analiza e studime të shumta për cështje të politikave ekonomike, arsimore, fiskale, globalizimit, zhvillimit , diplomacisë e politikës së jashtme. Istituti Brookings ( Brookings Institution) e ka të përqëndruar aktivitetin e tij studimor e kërkimor si think tank në pesë fusha kryesore 1) Studime Ekonomike( Economic Studies), 2)Politika e Jashtme( Foreign Policy) , 3) Studime për Qeverisjen( Governance Studies) 4)Zhvillimi dhe Ekonomia Globale(Global Economy& Development) dhe Politika Metropolitane/Bashkiake( Metropolitan Policy) Instituti Brookings ( Brookings Institution) ka krijuar edhe 3 qendra të tjera të ngjashme jashtë SHBA sic psh në Doha ( Katar) – Brookings Doha Catar ; Pekin ( Kinë)- Brookings Tsinghua Center for Public Policy) dhe në New Delhi( Indi)- Brookings India . Tradiat e gjatë e aktivitetit të këtij institiucioni e rendit atë ndër më të njohurit në botë . Raporti i Indeksit Global “Go To Think Tank “ që realizohet nga Universiteti i Pensilvanisë në SHBA tashmë prej vitit 2008 e rendit Institutin Brookings si “Think Tank i Vitit” dhe një nga “Top Think Tank në botë” ndërkohë revista e njohur The Economist e ka përshkruar Brookings si “think tank më prestigjioz në SHBA”.

FJALIMI I KËSHILLTARIT TË SIGURISË KOMBËTARE TË PRESIDENTIT TË SHBA JAKE SULLIVAN, MBAJTUR MË 27 PRILL 2023 PRANË THINK-TANKUT TË NJOHUR AMERIKAN BROOKING INSTITUTIONS: Rinovimi i Lidershipit Ekonomik Amerikan 

Dua të filloj duke ju falënderuar të gjithëve për kënaqësinë që më dhatë në rolin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar mbi ekonominë.

Siç e dini shumica prej jush, Sekretarja e Thesarit Yellen mbajti një fjalim të rëndësishëm pikërisht javën e kaluar mbi politikën tonë ekonomike në lidhje me Kinën. Sot do të doja të zgjeroja më shumë konceptin tonë ekonomik ndërkombëtar, pasi ajo lidhet veçanërisht me angazhimin thelbësor të Presidentit Biden – në të vërtetë, me lidershipin e tij të përditshëm – për të integruar më thellë politikën e brendshme dhe politikën e jashtme.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara udhëhoqën një botë të fragmentuar për të ndërtuar një rend të ri ekonomik ndërkombëtar. Kjo periudhë nxori qindra miliona njerëz nga varfëria dhe ia doli të realizonte revolucione drithëruese teknologjike. Nga ana tjetër kjo i ndihmoi Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera anembanë botës të arrinin nivele të reja begatie ekonomike.

Por dekadat e fundit zbuluan të çara në këto themele. Një ekonomi globale në ndryshim la pas shumë amerikanë që punonin dhe komunitetet e tyre ndërkohë që një krizë financiare tronditi klasën e mesme ndërsa një pandemi ekspozoi brishtësinë e zinxhirëve tanë të furnizimit. Nga ana tjetër një ndryshim i klimës po kërcënon jetët dhe jetesën ashtu sikurse pushtimi rus i Ukrainës nënvizoi rreziqet e mbivarësisë.

Pra, ky moment kërkon që ne të krijojmë një konsensus të ri.

Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara, nën Presidentin Biden, po ndjekin një strategji moderne industriale dhe inovative – si në vend ashtu edhe me partnerë në mbarë botën. Një strategji që investon në burimet e forcës sonë ekonomike dhe teknologjike, mbështet zinxhirë furnizimi global të larmishëm dhe elastik, vendos standarde të larta për gjithçka që nga puna mjedisi , teknologjia e besueshme dhe qeverisja e mirë duke shpërndarë kapital për të ofruar të mira publike sic janë klima dhe shëndeti.

Tani, ideja se një “Konsensus i ri të Uashingtonit”, siç e kanë përmendur disa njerëz, është sikur do të jetë vetëm Amerika, ose Amerika dhe Perëndimi duke përjashtuar të tjerët, por kjo është krejtësisht e gabuar.Kjo strategji do të ndërtojë një rend ekonomik global më të drejtë, më të qëndrueshëm, për të mirën tonë dhe për njerëzit kudo që ndodhen.Kështu që sot, ajo që dua të bëj , është të parashtroj atë që ne po përpiqemi të bëjmë. Dhe unë do të filloj duke përcaktuar sfidat siç i shohim ne – sfidat me të cilat përballemi. Për t’i marrë ato, na është dashur të rishikojmë disa hamendësime të shkuara. Më pas do të eci hap pas hapi se si është përshtatur qasja jonë për të përballuar këto sfida.

Kur Presidenti Biden erdhi në detyrë më shumë se dy vjet më parë, vendi u përball, nga këndvështrimi ynë, me katër sfida themelore.

Së pari, baza industriale e Amerikës ishte dobësuar .Vizioni i investimeve publike që i kishte dhënë energji projektit amerikan në vitet e pasluftës – dhe në të vërtetë për pjesën më të madhe të historisë sonë – ishte zbehur. Ky vizion ia kishte lënë vendin një sërë idesh që mbronin uljen e taksave dhe derregullimin, privatizimin mbi aktivitetet publike dhe liberalizimin e tregtisë si qëllim në vetvete.

Kishte një ide apo hamendësim në qendër të gjithë kësaj politike: që tregjet e shpërndajnë gjithmonë kapitalin në mënyrë produktive dhe efikase – pavarësisht se çfarë bënë konkurrentët tanë, pavarësisht se sa shumë u rritën sfidat tona të përbashkëta dhe pa marrë parasysh sa masa mbrojtëse hoqëm ne.Tani, askush – sigurisht jo unë – nuk po e ul fuqinë që kanë tregjet. Por në emër të efikasitetit të tepërt të tregut, të gjithë zinxhirët e furnizimit të mallrave strategjikë – së bashku me industritë dhe vendet e punës që i bënë ato – u zhvendosën jashtë vendit. Dhe postulati se liberalizimi i thellë i tregtisë do ta ndihmonte Amerikën të eksportonte mallra, jo vende pune dhe kapacitete, ishte një premtim i bërë por që nuk u mbajt.

Një ide apo hamendësim tjetër e ngulitur ishte se lloji i rritjes ekonomike nuk kishte rëndësi. Të gjitha rritjet janë të mira . Pra, u bashkuan reforma të ndryshme për të privilegjuar disa sektorë të ekonomisë, si financat, ndërsa sektorë të tjerë thelbësorë, si gjysmëpërçuesit dhe infrastruktura, u atrofizuan. Kapaciteti ynë industrial – i cili është thelbësor për aftësinë e çdo vendi për të vazhduar të jetë inovativ – mori një goditje të vërtetë. Goditjet e një krize financiare dhe një pandemie globale zbuluan kufijtë e këtyre ideve që kishin mbizotëruar deri në atë moment.

Sfida e dytë me të cilën u përballëm ishte përshtatja me një mjedis të ri të përcaktuar nga konkurrenca gjeopolitike dhe e sigurisë, me ndikime të rëndësishme ekonomike.Pjesa më e madhe e politikës ekonomike ndërkombëtare të dekadave të fundit ishte mbështetur në premisën se integrimi ekonomik do t’i bënte kombet më të përgjegjshme dhe të hapura dhe se rendi global do të ishte më paqësor dhe bashkëpunues, pra sjellja e vendeve në një rend që mbështetej në rregulla do të nxiste ata t’u përmbaheshin rregullave të saj.

Nuk doli kështu. Në disa raste ndodhi, dhe në shumë raste jo.

Në kohën kur Presidenti Biden erdhi në detyrë, ne duhej të përballeshim me realitetin se një ekonomi e madhe jo-tregu ishte integruar në rendin ekonomik ndërkombëtar në një mënyrë që paraqiste sfida të konsiderueshme. Republika Popullore e Kinës vazhdoi të subvencionojë në një shkallë masive si sektorët industrialë tradicionalë, si çeliku, ashtu edhe industritë kryesore të së ardhmes, si energjia e pastër, infrastruktura dixhitale dhe bioteknologjitë e avancuara. Amerika nuk humbi vetëm prodhimin – ne gërryem aftësinë tonë konkuruese në teknologjitë me rëndësi kritike që do të përcaktonin të ardhmen. Integrimi ekonomik nuk e ndaloi Kinën të zgjeronte ambiciet e saj ushtarake në rajon, apo të ndaloi Rusinë të pushtonte fqinjët e saj me një qeveri demokratie. Asnjë vend nuk ishte bërë më i përgjegjshëm apo bashkëpunues.Dhe injorimi i varësive ekonomike që ishin krijuar gjatë dekadave të liberalizimit ishte bërë vërtet i rrezikshëm – që nga pasiguria e energjisë në Europë deri te dobësitë e zinxhirit të furnizimit në pajisjet mjekësore, gjysmëpërçuesit dhe mineralet me rëndësi thelbësore. Këto ishin llojet e varësive që mund të shfrytëzoheshin si leva ekonomike ose gjeopolitike.

Sfida e tretë me të cilën u përballëm ishte një krizë e përshpejtuar klimatike(ngrohja globale) dhe nevoja urgjente për një tranzicion të drejtë dhe efikas të energjisë.Kur presidenti Biden erdhi në detyrë, ne nuk po arrinim të përmbushnim në mënyrë dramatike ambiciet tona në fushën e ndryshimeve klimatike, përsa kohë nuk kishim një rrugë të qartë drejt furnizimeve të bollshme me energji të pastër të qëndrueshme e të përballueshme, pavarësisht përpjekjeve shumë të mira të administratës Obama-Biden për të bërë përparime me rëndësi në këtë drejtim.Shumë njerëz besuan se ne duhej të zgjidhnim midis rritjes ekonomike dhe përmbushjes së objektivave tona të lidhura me ndryshimin e klimës.

Lexo edhe: Çfarë është Silicon Valley? Vendi ku lindën dhe u zhvilluan kompanitë e teknologjisë së informacionit

Presidenti Biden i ka parë gjërat krejtësisht ndryshe. Siç thuhet shpesh, ai kur dëgjon “klimë”, ai mendon për “punë”. Ai beson se ndërtimi i një ekonomie me energji të pastër të shekullit 21 , është një nga mundësitë më të rëndësishme të rritjes ekonomike në këtë shekull. Por që për të shfrytëzuar këtë mundësi, Amerika ka nevojë për një strategji investimi të qëllimshme dhe praktike për të çuar përpara inovacionin , ulni kostot dhe krijoni vende pune të mira.

Së fundi, ne u përballëm me sfidën e pabarazisë dhe dëmin e saj ndaj demokracisë.Këtu, hamendësimi apo ideja mbizotëruese ishte se rritja ekonomike që ishte mundësuar nga tregtia do të ishte një rritje gjithëpërfshirëse – se përfitimet e tregtisë do të ndaheshin gjerësisht brenda kombeve. Por fakti është se këto përfitime nuk kanë arritur të mbërrijnë tek shumë njerëz që punojnë. Klasa e mesme amerikane humbi terren ndërsa të pasurit ia dolën më mirë se kurrë. Ndërkohë komunitetet prodhuese amerikane u zbrazën ndërsa industritë e fundit u zhvendosën në zonat metropolitane.Tani, nxitësit e pabarazisë ekonomike – siç e dinë shumë prej jush edhe më mirë se unë – janë komplekse dhe përfshijnë sfida strukturore si revolucioni dixhital. Por elementi thelbësor midis këtyre nxitësve janë dekada të politikave ekonomike rrëshqitëse – politika si shkurtimet regresive të taksave, shkurtimet e mëdja të investimeve publike, përqendrimi i pakontrolluar i korporatave dhe masat aktive për të minuar lëvizjen sindikaliste që ndërtuan fillimisht klasën e mesme amerikane.Përpjekjet për të patur një qasje të ndryshme gjatë administratës Obama – duke përfshirë përpjekjet për të miratuar politika që adresonin ndryshimet klimatike, për të investuar në infrastrukturë, zgjeruar rrjetin e sigurisë sociale dhe për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve për t’u organizuar – u penguan nga opozita republikane.

Dhe sinqerisht, politikat tona ekonomike të brendshme gjithashtu nuk arritën të llogarisin plotësisht pasojat e politikave tona ekonomike ndërkombëtare.

Për shembull, e ashtuquajtura”goditje kineze( China shock)” që goditi veçanërisht fort xhepat e industrisë sonë të prodhimit vendas – me ndikime të mëdha dhe afatgjata – nuk u parashikua siç duhet dhe nuk u trajtua në mënyrë adekuate ndërsa u shpalos.Dhe në mënyrë të përmbledhur , këto forca kishin prishur themelet socio-ekonomike mbi të cilat mbështetet çdo demokraci e fortë dhe elastike.

Tani, këto katër sfida nuk ishin unike për Shtetet e Bashkuara. Ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim po përballeshin gjithashtu me to—në disa raste edhe në forma më akute se ne.

Kur Presidenti Biden erdhi në detyrë, ai e dinte se zgjidhja për secilën nga këto sfida ishte rivendosja e një mentaliteti ekonomik që mbështet ndërtimin. Dhe ky është thelbi i qasjes sonë ekonomike. Për të ndërtuar. Për të ndërtuar kapacitete, elasticitet, gjithëpërfshirje, brenda vendit dhe me partnerë jashtë . Kapaciteti për të prodhuar dhe inovuar si dhe për të ofruar të mira publike në një shkallë të gjerë sic janë infrastruktura kombëtre e dixhitale dhe energjia e pastër. Në të përfshihet qëndrueshmëria për t’i bërë ballë fatkeqësive natyrore dhe goditjeve gjeopolitike. si edhe gjithëpërfshirja për të siguruar një klasë të mesme të fortë e të gjallë amerikane ashtu si edhe mundësi më të mëdha për njerëzit që punojnë në mbarë botën.

E gjithë kjo është pjesë e asaj që ne e kemi quajtur një politikë e jashtme për klasën e mesme.( A Foreign Policy for the Middle Class)

Hapi i parë është hedhja e një themeli të ri në shtëpi – me një strategji moderne industriale amerikane.

Miku dhe ish-kolegu im Brian Deese ka folur për këtë strategji të re industriale në një farë mase, dhe unë ju përgëzoj vërejtjet e tij, sepse ato janë më të mira se çdo vërejtje që mund të jap për këtë temë. Por në mënyrë të përmbledhur:

Një strategji moderne industriale amerikane identifikon sektorë të veçantë që janë themelorë për rritjen ekonomike, strategjikë nga perspektiva e sigurisë kombëtare dhe ku industria private nuk është e gatshme të bëjë investimet e nevojshme për të siguruar ambiciet tona kombëtare.Ajo vendos investime publike të synuara në këto zona që zhbllokojnë fuqinë dhe zgjuarsinë e tregjeve private, kapitalizmit dhe konkurrencës për të hedhur themelet për rritje afatgjatë. Nga ana tjetër kjo strategji duhet ta ndihmojë biznesin amerikan që të bëjë atë që ai bën më mirë—të inovojë, të rrisë ekonominë e shkallës dhe të konkurrojë.Bëhet fjalë për grumbullimin e investimeve private – jo zëvendësimin e tyre. Ka të bëjë me kryerjen e investimeve afatgjata në sektorë jetikë për mirëqenien tonë kombëtare – jo zgjedhjen e fituesve dhe humbësve.

Dhe ka një traditë të gjatë në këtë vend. Në fakt, edhe pse termi “politikë industriale” doli nga moda, në një farë forme ai mbeti në heshtje për Amerikën – nga DARPA( Defence Advanced Research Project Agency) dhe interneti tek NASA dhe satelitët komercialë.

Tani, duke parë rrjedhën e dy viteve të fundit, rezultatet fillestare të kësaj strategjie janë të jashtëzakonshme.

Financial Times ka raportuar se investimet në shkallë të gjerë në prodhimin e gjysmëpërçuesve dhe të energjisë së pastër janë rritur tashmë 20-fish që nga viti 2019, dhe një e treta e investimeve të shpallura që nga gushti përfshijnë një investitor të huaj që investon këtu në Shtetet e Bashkuara.Ne kemi vlerësuar se kapitali total publik dhe investimet private nga axhenda e Presidentit Biden do të arrijnë në rreth 3.5 trilion dollarë gjatë dekadës së ardhshme.

Gjysmëpërçuesit duhen marrë në konsideratë pasi janë po aq thelbësorë për mallrat tona të konsumit sot, sa janë edhe për teknologjitë që do të formësojnë të ardhmen tonë, që nga inteligjenca artificiale te llogaritja kuantike te biologjia sintetike. Amerika tani prodhon vetëm rreth 10 për qind të gjysmëpërçuesve në botë dhe prodhimi – në përgjithësi dhe veçanërisht kur bëhet fjalë për çipat më të avancuar – është i përqendruar gjeografikisht diku tjetër.Kjo krijon një rrezik ekonomik kritik dhe një cenueshmëri të sigurisë kombëtare. Pra, falë Ligjit dypartiak të CHIPS dhe Shkencës( CHIPS & Science Act) , ne kemi parë tashmë një rritje të madhe të investimeve në industrinë e gjysmëpërçuesve të Amerikës. Dhe është ende herët.

Ose nëse marim parasysh mineralet me rëndësi thelbësore – shtylla kurrizore e së ardhmes me energji të pastër. Sot, Shtetet e Bashkuara prodhojnë vetëm 4 për qind të litiumit, 13 për qind të kobaltit, 0 për qind të nikelit dhe 0 për qind të grafitit të nevojshëm për të plotësuar kërkesën aktuale për automjete elektrike. Ndërkohë, më shumë se 80 për qind e këtyre mineraleve përpunohen nga një vend, Kina. Zinxhirët e furnizimit me energji të pastër janë në rrezik për t’u për tu përdprur si armë në të njëjtën mënyrë si nafta në vitet 1970, ose gazi natyror në Evropë në 2022. Pra, nëpërmjet investimeve të parashikuar në Ligjin për Reduktimit të Inflacionit( Inflation Reduction Act) dhe Ligjin për Infrastrukturën ( Bipartisan Infrastructure Laë), ne po marrim masa.

Në të njëjtën kohë, nuk është e realizueshme apo e dëshirueshme të ndërtohet gjithçka brenda vendit. Objektivi ynë nuk është autarkiteti – është elasticiteti dhe siguria në zinxhirët tanë të furnizimit.Tani, ndërtimi i kapaciteteve tona të brendshme është pika fillestare. Por përpjekja shtrihet përtej kufijve tanë. Dhe kjo më çon në hapin e dytë në strategjinë tonë: të punojmë me partnerët tanë për t’u siguruar që ata po ndërtojnë gjithashtu kapacitet, elasticitet dhe gjithëpërfshirje.Mesazhi ynë për ta ka qenë i qëndrueshëm: Ne do të ndjekim pa ngurim strategjinë tonë industriale në SHBA – por ne jemi të përkushtuar pa mëdyshje që të mos i lëmë miqtë tanë pas. Ne duam që ata të na bashkohen. Në fakt, ne kemi nevojë që ata të na bashkohen.

Krijimi i një ekonomie të sigurt dhe të qëndrueshme përballë realiteteve ekonomike dhe gjeopolitike do të kërkojë që të gjithë aleatët dhe partnerët tanë të bëjnë më shumë – dhe nuk ka kohë për të humbur. Për industri si gjysmëpërçuesit dhe energjia e pastër, nuk jemi askund afër pikës së ngopjes globale të investimeve të nevojshme, publike apo private.Në fund të fundit, qëllimi ynë është një bazë e fortë, elastike dhe e avancuar tekno-industriale, në të cilën Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj me mendje të njëjtë, ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim, mund të investojnë dhe të mbështeten së bashku.

Presidenti Biden dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen folën për këtë këtu në Uashington muajin e kaluar. Ata lëshuan një deklaratë shumë të rëndësishme, të cilën nëse nuk e keni lexuar, ju inkurajoj vërtet ta lexoni. Në thelb, ajo që thuhej në deklaratë ishte si vijon: investimet e guximshme publike në kapacitetet tona industriale përkatëse duhet të jenë në qendër të tranzicionit energjetik. Dhe presidenti von der Leyen dhe Presidenti Biden u angazhuan të punojnë së bashku për të siguruar që zinxhirët e furnizimit të së ardhmes të jenë elastike, të sigurta dhe reflektuese të vlerave tona – duke përfshirë punën.Ata parashtruan hapa praktikë në deklaratë për të arritur këto qëllime – si përafrimi i stimujve përkatës të energjisë së pastër në secilën anë të Atlantikut dhe fillimi i një negocimi për zinxhirët e furnizimit për mineralet me rëndësi kritike dhe bateritë elektrike.

Menjëherë pas kësaj, Presidenti Biden shkoi në Kanada. Ai dhe kryeministri Justin Trudeau krijuan një grup pune për të përshpejtuar bashkëpunimin midis Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara drejt të njëjtit qëllim: sigurimin e furnizimit tonë me energji të pastër dhe krijimin e vendeve të punës të klasës së mesme në të dy anët e kufirit. Dhe vetëm pak ditë pas kësaj, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia nënshkruan një marrëveshje që thellon bashkëpunimin tonë në zinxhirët e furnizimit me minerale që kanë rëndësi kritike për zhvillimin e teknologjive të energjisë së pastër.

Pra, ne po shfrytëzojmë Aktin e Reduktimit të Inflacionit( Inflation Reduction Act-IRA) për të ndërtuar një ekosistem të prodhimit të energjisë së pastër, të rrënjosur në zinxhirët e furnizimit këtu në Amerikën e Veriut dhe që shtrihet në Evropë, Japoni dhe gjetkë.Kështu do ta kthejmë IRA-n nga një burim fërkimi në një burim force dhe besueshmërie. Dhe unë dyshoj se do të dëgjoni më shumë për këtë në Samitin e G7 në Hiroshima muajin e ardhshëm.

Tani, bashkëpunimi ynë me partnerët nuk kufizohet vetëm në energjinë e pastër.

Për shembull, ne po punojmë me partnerë – në Evropë, Republikën e Koresë, Japoni, Tajvan dhe Indi – për të koordinuar qasjet tona ndaj stimujve për gjysmëpërçuesit.Parashikimet e analistëve se ku do të ndodhin investimet e gjysmëpërçuesve gjatë tre viteve të ardhshme janë zhvendosur në mënyrë dramatike, me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët kryesorë që tani kryesojnë grafikët.

Më lejoni gjithashtu të nënvizoj se bashkëpunimi ynë me partnerët nuk është i kufizuar vetëm në demokracitë industriale të zhvilluara.Në thelb, ne duhet – dhe synojmë ta shpërndajmë nocionin se partneritetet më të rëndësishme të Amerikës janë vetëm me ekonomitë në ngritje. Jo vetëm duke e thënë, por duke e vërtetuar. Duke e vërtetuar atë me Indinë – në gjithçka, nga hidrogjeni te gjysmëpërçuesit. me Angolën—në energjinë diellore pa karbon.,me Indonezinë – në Partneritetin e saj të Tranzicionit të Drejtë të Energjisë( Just Energy Transition Partnership apo me Brazilin—për rritjen miqësore ndaj klimës.

Kjo më çon në hapin e tretë në strategjinë tonë: kalimi përtej marrëveshjeve tradicionale tregtare në partneritete të reja ekonomike ndërkombëtare novatore të fokusuara në sfidat thelbësore të kohës sonë.

Projekti kryesor ekonomik ndërkombëtar i viteve 1990 ishte ulja e tarifave. Mesatarisht, tarifat e aplikuara të SHBA-së u ulën pothuajse në gjysmë gjatë viteve 1990. Sot, në vitin 2023, norma jonë mesatare e tarifave të ponderuara nga tregtia është 2.4 përqind—që është e ulët historikisht dhe në raport me vendet e tjera.

Sigurisht, ato tarifa nuk janë uniforme dhe ka ende punë për të bërë për të ulur nivelet e tarifave në shumë vende të tjera. Siç ka thënë ambasadori Tai, “Ne nuk jemi betuar për liberalizimin e tregut”. Ne synojmë të ndjekim marrëveshje moderne tregtare. Por për të përcaktuar apo matur të gjithë politikën tonë bazuar në uljen e tarifave mungon diçka e rëndësishme.Të pyesësh se cila është politika jonë tregtare tani – e përcaktuar ngushtë si plane për të ulur më tej tarifat – është thjesht pyetja e gabuar. Pyetja e duhur është: si përshtatet tregtia në politikën tonë ekonomike ndërkombëtare dhe çfarë problemesh kërkon të zgjidhë ajo?

Projekti i viteve 2020 dhe 2030 është i ndryshëm nga projekti i viteve 1990.

Ne i dimë problemet që duhet të zgjidhim sot: 1)Krijimi i zinxhirëve të furnizimit të larmishëm dhe elastik. 2)Mobilizimi i investimeve publike dhe private për një tranzicion të drejtë të energjisë së pastër dhe rritje të qëndrueshme ekonomike. 3)Krijimi i vendeve të mira të punës gjatë rrugës, punë mbështetëse për familjen. 4)Sigurimi i besimit, sigurisë dhe hapjes në infrastrukturën tonë dixhitale.5) Ndalimi i një gare deri në fund në tatimin e korporatave. 6)Rritja e mbrojtjes për punën dhe mjedisin. 7)Trajtimi i korrupsionit. Dhe ky është një grup i ndryshëm prioritetesh themelore sesa thjesht ulja e tarifave.

Dhe ne kemi projektuar elementet e një nisme ekonomike ambicioze rajonale, Kornizën Ekonomike Indo-Paqësore ( Indo-Pacific Economic Frameëork-IPEF), për t’u fokusuar në ato probleme – dhe për t’i zgjidhur ato probleme. Ne po negociojmë kapitujt me trembëdhjetë kombe të Indo-Paqësori që do të përshpejtojnë tranzicionin e energjisë së pastër, do të zbatojnë drejtësinë tatimore do të luftojnë korrupsionin, do të vendosin standarde të larta për teknologjinë dhe do të sigurojnë zinxhirë furnizimi më elastik për mallrat dhe lëndët me rëndësi kritike.

Më lejoni të flas pak më konkretisht. Po të ishte krijuar Korniza Ekonomike Indo-Paqësore ( Indo-Pacific Economic Frameëork-IPEF), IPEF kur COVID bëri kërdine në zinxhirët tanë të furnizimit edhe fabrikat do të ishin në gjendje të reagonim më shpejt – kompanitë dhe qeveritë së bashku – do të drejtoheshin drejt opsioneve të reja për gjetjen dhe ndarjen e të dhënave në kohë reale. Kështu mund të duket një qasje e re për atë çështje – si për shumë të tjera.

Partneriteti ynë i ri i Amerikës për Prosperitet Ekonomik ( Americas Partnership for Economic Prosperity), i nisur me një numër të partnerëve tanë kryesorë këtu në Amerikë, synon të njëjtin grup objektivash bazë.Ndërkohë, përmes Këshillit të Tregtisë dhe Teknologjisë SHBA-BE (U.S.-EU Trade and Technology Council,), dhe përmes koordinimit tonë trepalësh me Japoninë dhe Korenë, ne po koordinojmë strategjitë tona industriale për të plotësuar njëra-tjetrën dhe për të shmangur një garë deri në fund nga të gjithë që konkurrojnë për të njëjtën gjë. objektivat.

Disa i kanë parë këto nisma dhe kanë thënë, “por ato nuk janë MTL- Marrëveshje të Tregtisë së Lirë tradicionale”. Pikërisht kjo është pika. Për problemet që po përpiqemi të zgjidhim sot, modeli tradicional nuk e parashikon. Epoka e arnimeve të politikave pas faktit dhe premtimeve të paqarta për rishpërndarje ka përfunduar. Ne kemi nevojë për një qasje të re.E thënë thjesht: në botën e sotme, politika tregtare duhet të jetë më shumë se reduktimi i tarifave dhe politika tregtare duhet të integrohet plotësisht në strategjinë tonë ekonomike, brenda dhe jashtë vendit.

Në të njëjtën kohë, administrata Biden po zhvillon një strategji të re globale të punës që avancon të drejtat e punëtorëve përmes diplomacisë dhe ne do ta zbulojmë këtë strategji në javët në vijim.Ai bazohet në mjete si mekanizmi i punës me reagim të shpejtë në USMCA (United States- Mexico-Canada Agreement) që zbaton të drejtat e shoqatës së punëtorëve dhe të negociatave kolektive. Vetëm këtë javë, në fakt, ne zgjidhëm rastin tonë të tetë me një marrëveshje që përmirësoi kushtet e punës – një fitore e favorshme për punëtorët meksikanë dhe konkurrencën amerikane.

Tani jemi në procesin për të udhëhequr një marrëveshjeje historike me 136 vende për t’i dhënë fund garës deri në fund mbi taksat e korporatave që dëmtojnë njerëzit e klasës së mesme dhe punëtorët. Tani Kongresi duhet të ndjekë legjislacionin zbatues dhe ne po punojmë që ta bëjnë pikërisht këtë.

Dhe ne po marrim një lloj tjetër qasjeje të re që mendojmë se është një plan kritik për të ardhmen – duke lidhur tregtinë dhe klimën në një mënyrë që nuk është bërë kurrë më parë. Marrëveshja Globale për Celikun dhe Aluminin( Global Agreement on Steel and Aluminum) që ne po negociojmë me Bashkimin Evropian mund të jetë marrëveshja e parë e madhe tregtare për të trajtuar si intensitetin e emetimeve ashtu edhe mbi-kapacitetin. Dhe nëse mund ta aplikojmë për çelikun dhe aluminin, mund të shohim se si zbatohet edhe në sektorë të tjerë. Ne mund të ndihmojmë në krijimin e një cikli të virtytshëm dhe të sigurojmë që konkurrentët tanë të mos fitojnë një avantazh duke degraduar planetin.

Lexo edhe: Lufta me Iranin rrezikon 40 miliardë euro humbje për turizmin në Lindjen e Mesme

Tani, për ata që kanë shtruar pyetjen, administrata Biden është ende e përkushtuar ndaj OBT-së dhe vlerave të përbashkëta mbi të cilat bazohet: konkurrenca e ndershme,, transparenca dhe sundimi i ligjit. Por sfidat serioze, veçanërisht praktikat dhe politikat ekonomike jotregtare, kërcënojnë këto vlera thelbësore. Pra, kjo është arsyeja pse ne po punojmë me kaq shumë anëtarë të tjerë të OBT-së për të reformuar sistemin tregtar shumëpalësh në mënyrë që të përfitojnë punëtorët, të realizojë interesat legjitime të sigurisë kombëtare dhe të përballet me çështje urgjente që nuk janë plotësisht të përfshira në kuadrin aktual të OBT-së, si zhvillimi i qëndrueshëm. dhe tranzicioni i energjisë së pastër.

Me pak fjalë, në një botë që po transformohet nga ai tranzicion i energjisë së pastër, nga ekonomitë dinamike në zhvillim, nga një kërkim për elasticitetin e zinxhirit të furnizimit – nga dixhitalizimi, nga inteligjenca artificiale dhe nga një revolucion në bioteknologji – loja nuk është e njëjta.Politika jonë ekonomike ndërkombëtare duhet të përshtatet me botën ashtu siç është, në mënyrë që të mund të ndërtojmë botën që duam.

Kjo më çon në hapin e katërt në strategjinë tonë: mobilizimin e trilionave për investime në ekonomitë në zhvillim – me zgjidhje që ato vende po krijojnë vetë, por me kapital të mundësuar nga një markë tjetër e diplomacisë amerikane.Kemi nisur një përpjekje të madhe për të evoluar Bankat Shumëpalëshe të Zhvillimit, në mënyrë që ato të përballen me sfidat e sotme. 2023 është një vit i madh për këtë.Siç ka theksuar Sekretarja e Thesarit Yellen, ne duhet të përditësojmë modelet e funksionimit të bankave – veçanërisht Bankën Botërore, por edhe bankat e zhvillimit rajonal. Ne duhet të zgjerojmë bilancet e tyre për të adresuar ndryshimet klimatike, pandemitë , brishtësinë dhe konfliktin. Dhe ne duhet të zgjerojmë aksesin në financa koncesionale me cilësi të lartë për vendet me të ardhura të ulëta dhe për vendet me të ardhura të mesme, ndërsa ato përballen me sfida që shtrihen përtej kufijve të çdo kombi të vetëm.

Ne bëmë një vlerësim të kësaj agjendë muajin e kaluar, por do të na duhet të bëjmë shumë më tepër.Dhe ne jemi shumë të entuziazmuar që udhëheqja e re e Ajay Banga në Bankën Botërore ta bëjë realitet këtë vizion. Në të njëjtën kohë që ne po mbështesim Bankat e Zhvillimit Shumëpalësh, ne kemi nisur gjithashtu një përpjekje të madhe për të mbyllur hendekun e infrastrukturës në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Ne e quajmë atë Partneriteti për Infrastrukturën dhe Investimet Globale ( Partnership for Global Infrastructure and Investment)-PGII. PGII do të mobilizojë qindra miliarda dollarë në financimin e infrastrukturës energjetike, fizike dhe dixhitale nga tani deri në fund të dekadës.

Dhe ndryshe nga financimi që vjen përmes Iniciativës Një Brez dhe Një Rrugë ( One Belt , One Road Iniative) të qeverisë kineze, projektet nën PGII janë transparente dhe me standarde të larta dhe në shërbim të rritjes afatgjatë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Dhe në pak më pak se një vit që nga fillimi i kësaj nisme, ne e kemi kryer tashmë investime të rëndësishme në çdo gjë, nga minierat e nevojshme për të fuqizuar automjetet elektrike deri te kabllot globale nënujorë për shërbime të telekomit.

Në të njëjtën kohë, ne jemi gjithashtu të përkushtuar për të trajtuar shqetësimin e borxhit me të cilin përballen një numër gjithnjë e më i madh vendesh që janë të prekura.Ne kemi nevojë të shohim lehtësim të vërtetë, jo vetëm “të zgjatemi dhe të shtiremi”. Dhe ne duhet të shohim të gjithë kreditorët dypalësh qofshin zyrtarë dhe privatë të ndajnë barrën. Kjo përfshin Kinën, e cila ka punuar për të ndërtuar ndikimin e saj nëpërmjet huadhënies masive për botën në zhvillim, pothuajse gjithmonë me interesa të lidhura. Ne ndajmë pikëpamjen e shumë të tjerëve se Kina tani duhet të rritet si një forcë konstruktive për të ndihmuar vendet që janë në vëshirësi nga borxhi.

Së fundi, ne po mbrojmë teknologjitë tona themelore me një oborr të vogël dhe gardh të lartë. Siç e kam argumentuar më parë, detyra jonë është të sjellim një valë të re të revolucionit dixhital – një valë që siguron që teknologjitë e gjeneratës së ardhshme të funksionojnë për, jo kundër, demokracive dhe sigurisë sonë.Ne kemi zbatuar kufizime të përshtatura me kujdes për eksportet më të avancuara të teknologjisë gjysmëpërçuese në Kinë. Këto kufizime janë të bazuara në shqetësime të drejtpërdrejta të sigurisë kombëtare. Aleatët dhe partnerët kryesorë kanë ndjekur shembullin, në përputhje me shqetësimet e tyre të sigurisë.

Ne po përmirësojmë gjithashtu kontrollin e investimeve të huaja në fusha kritike që lidhen me sigurinë kombëtare. Dhe ne po bëjmë përparim në adresimin e investimeve të jashtme në teknologjitë e ndjeshme me një lidhje thelbësore të sigurisë kombëtare.

Këto janë masa të përshtatura. Ata nuk janë, siç thotë Pekini, një “bllokadë teknologjike”. Ata nuk po synojnë ekonomitë në zhvillim. Ata janë të fokusuar në një pjesë të ngushtë të teknologjisë dhe një numër të vogël vendesh që synojnë të na sfidojnë ushtarakisht.

Një fjalë për Kinën më gjerësisht. Siç tha presidenti von der Leyen kohët e fundit, ne jemi për shmangien e rrezikut dhe diversifikimin, jo për shkëputjen. Ne do të vazhdojmë të investojmë në kapacitetet tona dhe në zinxhirë furnizimi të sigurt dhe elastik. Ne do të vazhdojmë të shtyjmë për një fushë loje të barabartë për punëtorët dhe kompanitë tona dhe të mbrohemi kundër abuzimeve.Kontrollet tona të eksportit do të mbeten të fokusuara ngushtë në teknologjinë që mund të anojë ekuilibrin ushtarak. Ne thjesht po sigurojmë që teknologjia e SHBA-së dhe aleatëve të mos përdoret kundër nesh. Ne nuk po e ndërpresim tregtinë.

Në fakt, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë një marrëdhënie shumë thelbësore tregtare dhe investimesh me Kinën. Tregtia dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës vendosi një rekord të ri vitin e kaluar. Tani, kur largohesh nga ekonomia, ne po konkurrojmë me Kinën në dimensione të shumëfishta, por nuk po kërkojmë konfrontim apo konflikt. Ne po kërkojmë të menaxhojmë konkurrencën me përgjegjësi dhe kërkojmë të punojmë së bashku me Kinën ku mundemi. Presidenti Biden e ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara dhe Kina mund dhe duhet të punojnë së bashku për sfidat globale si klima, si stabiliteti makroekonomik, siguria shëndetësore dhe siguria ushqimore.

Menaxhimi i përgjegjshëm i konkurrencës kërkon në fund të fundit dy palë të gatshme. Kërkon një shkallë pjekurie strategjike për të pranuar se duhet të mbajmë linja të hapura komunikimi edhe kur ndërmarrim veprime për të konkurruar.

Siç tha Sekretarja e Thesarit Yellen javën e kaluar në fjalimin e saj mbi këtë temë, ne mund të mbrojmë interesat tona të sigurisë kombëtare, të kemi një konkurrencë të shëndetshme ekonomike dhe të punojmë së bashku aty ku është e mundur, por Kina duhet të jetë e gatshme të luajë rolin e saj.

Pra, si duket suksesi?

Bota ka nevojë për një sistem ekonomik ndërkombëtar që funksionon për rrogëtarët tanë, punon për industritë , klimën dhe sigurinë tonë kombëtare si edhe punon për vendet më të varfra dhe më të cenueshme të botës.Kjo do të thotë zëvendësimi i një qasjeje të vetme të fokusuar tek hamendësimet tepër të thjeshtuara që parashtrova në krye të fjalimit tim, me një qasje që inkurajon investimet e nevojshme në vende që tregjet private nuk i bëjnë – edhe pse ne vazhdojmë të shfrytëzojmë fuqinë e tregjeve dhe integrimi. Kjo do të thotë a)t’u ofrohet hapësirë partnerëve në mbarë botën për të rivendosur marrëveshjet midis qeverive dhe votuesve dhe punëtorëve të tyre. B) ta bazojmë këtë qasje të re në bashkëpunim dhe transparencë të thellë për të siguruar që investimet tona dhe ato të partnerëve të jenë reciprokisht përforcuese dhe të dobishme. c)t’i rikthehemi besimit themelor që mbrojtëm për herë të parë 80 vjet më parë: se Amerika duhet të jetë në zemër të një sistemi financiar ndërkombëtar të gjallë, që u mundëson partnerëve në mbarë botën të ulin varfërinë dhe të rrisin prosperitetin e përbashkët. Dhe se një rrjet funksional i sigurisë sociale për vendet më të cenueshme të botës është thelbësor për interesat tona thelbësore.

Kjo nënkupton gjithashtu ndërtimin e normave të reja që na lejojnë të adresojmë sfidat e paraqitura nga kryqëzimi i teknologjisë së përparuar dhe sigurisë kombëtare, pa penguar tregtinë dhe inovacionin më të gjerë.Kjo strategji do të marrë zgjidhje—do të duhet një angazhim i përkushtuar për të kapërcyer barrierat që e kanë penguar këtë vend dhe partnerët tanë të ndërtojnë me shpejtësi, efikasitet dhe drejtësi, siç mund të bënim në të kaluarën.Por është rruga më e sigurt për të rivendosur klasën e mesme, për të prodhuar një tranzicion të drejtë dhe efektiv të energjisë së pastër, për sigurimin e zinxhirëve kritikë të furnizimit dhe, përmes gjithë kësaj, për të riparuar besimin tek vetë demokracia.

Si gjithmonë, ne kemi nevojë për partneritetin e plotë dhe dypartiak të Kongresit nëse do të kemi sukses, për të ringjallur kapacitetin unik të Amerikës për të tërhequr dhe mbajtur talentet më të ndritur nga e gjithë bota dhe në iniciativat tona reformuese në financat për zhvillim.

Dhe ne duhet të dyfishojmë investimet tona në infrastrukturë, inovacion dhe energji të pastër. Siguria jonë kombëtare dhe vitaliteti ynë ekonomik varet nga kjo.

Më lejoni ta mbyll me këtë.

Presidenti Kenedi kishte dëshirë të thoshte se “një dallgë që rritet i ngre të gjitha varkat”. Me kalimin e viteve, avokatët e ekonomisë e përvetësuan këtë frazë për nevojat e tyre.Por Presidenti Kennedy nuk po thoshte se çfarë është e mirë për të pasurit është e mirë për klasën punëtore. Ai thoshte se ne jemi të gjithë bashkë. Dhe shikoni se çfarë tha ai më pas: “Nëse një pjesë e vendit është në këmbë, atëherë herët a vonë një dallgë që u bie i rrëzon të gjitha varkat.”

Kjo është e vërtetë për vendin tonë. Kjo është e vërtetë për botën tonë. Ekonomikisht, me kalimin e kohës, ne do të ngrihemi – ose do të biem – së bashku.Dhe kjo vlen për fuqinë e demokracive tona, si dhe për fuqinë e ekonomive tona.

Ndërsa ne e ndjekim këtë strategji brenda dhe jashtë vendit, do të ketë debat të arsyeshëm. Dhe kjo do të marrë kohë. Rendi ndërkombëtar që u shfaq pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe më pas Luftës së Ftohtë nuk u ndërtuan brenda natës. As ky.

Por së bashku, ne mund të punojmë për të ngritur lart të gjithë njerëzit, komunitetet dhe industritë e Amerikës, dhe ne mund të bëjmë të njëjtën gjë me miqtë dhe partnerët tanë kudo në mbarë globin.Ky është një vizion që Administrata Biden duhet dhe do të luftojë për ta arritur.Kjo është ajo që po na drejton teksa marrim vendimet tona politike ku ndërlidhet e ekonomia, siguria kombëtare dhe demokracia.

Dhe kjo është puna që ne do të bëjmë jo vetëm si qeveri, por me çdo element të Shteteve të Bashkuara dhe me mbështetjen dhe ndihmën e partnerëve si në qeveri ashtu edhe jashtë qeverive në mbarë botën.

 

*Geron Kamberi është studiues i Asociuar për Politikat Europiane pranë Qendrës për Studimin e Demokracisë e Qeverisjes (CSDG). Që nga viti 2007, ai është angazhuar si studiues i asociuar pranë disa think tanke shqiptare, të fokusuar në analizën e politikave publike dhe veçanërisht në çështjet e lidhura me integrimin europian.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0